Publiku i pashkollë i urren mediat e lira - NACIONALE

Publiku i pashkollë i urren mediat e lira

1 vit më parë

nga Col Mehmeti

Col Mehmeti

Midis një teksti të keqshkruajtur gazetaresk dhe komenteve të publikut, shumë më alarmante janë këto të fundit.

Midis një mediumi të dobët dhe një publiku komentues, prapë kambanat e alarmit bien për këtë të fundit.

Receptimi kurdoherë është në dorën e publikut dhe kur standardet e tij janë thuajse inekzistente, ekosistemi kulturor e mediatik është mangut prej një hallke jetike.

Çdo lajm a përmbajtje mediatike ka pak lexime, por njëkohësisht pafund keqlexime; ekziston fillimisht një parakonceptim e pastaj kuptimi robnohet prej tij.

Një lajm i mirëshkruar do të lexohet nga pak vetë. Ai me siguri do të keqlexohet prej një audience që në trutë e vet ka ndërtuar e mbindërtuar struktura imagjinare ku partia në pushtet diftohet si projekt i të mirëve për të mirët, por që luftohet përhershmërisht nga të këqijtë.

Gazetarinë e shkruar e zura, si të thuash, në momentin historik të grahmës së saj të fundit, mu atëherë kur gazeta e shtypur u bë një copëz muzeu dhe kur pasardhësja e saj, kibergazetaria, operonte me sharte të tjera (shkurtësi tekstesh, fast food tekste, tekste pa kontekst, tekste minimale).

Teksti i dikurshëm gazetaresk, që e mbulonte cep më cep një faqe të tërë, u bë njësoj si Mbreti: fillimisht ceremonial, mandej simbolik dhe, krejt në fund, një letër bixhozi.

Fryma armiqësore e krejt publikut shqipfolës ndaj mediave nuk ka të bëjë me kritere, standarde e asnjë gjë tjetër.

Publiku, për shembull, nuk irritohet asnjë fije prej reels-ave, videove të shkurtra apo përmbajtjeve tiktokiste. Edhe këto janë media.

Ai hakërrehet, hundë e buzë bashkë, veç prej mediumit që nuk i ofron validim për ato që kërkon ethshëm t’i dëgjojë apo t’i shohë.

Publiku, për fat të keq, e kontaminon cilëndo përmbajtje mirëfilltazi gazetareske me komente në një gjuhë të zvargur, si hungurimë, të mezikuptueshme.

Sidoqoftë, ndonjë mendje e parobëruar nga turmokracia mund ta kapë se nga buron gjithë ky siklet i publikut me medien.

Hidhërimi i madh i tij është pse media nuk po e prodhon një kundër-realitet nanuritës ashtu siç bëjnë politikanët lleftistë, mashtruesit e klerikët.

Një mediumi nuk do t’i këqyrej aspak cilësia nëse do të përmbante atë lëndë e cila e qetëson publikun e agjituar nga nervat. Ai sirup quhet ‘validim’ dhe jepet në shishka ose doza të vogla nga ata që kanë guximin të eksperimentojnë me njerëz.

Përmbajtjet islamike i kënaqin guston një segmenti jo të vogël shoqëror që fushëpamje për jetën e njëmendshmërinë (realitetin) e ka islamizmin, atë set vleror e besimor me njerëz të devotshëm e jo të devotshëm.

Po kështu, përmbajtjet lleftiste i kënaqin guston një segmenti më të madh shoqëror që fushëpamje për jetën e njëmendshmërinë e ka lleftizmin, atë set vleror e besimor me një dorë njerëzish të kamur e një shumicë të skamur.

Sipas një sharti të pashkruar mijëvjeçar, fanatizma njerëzore funksionon fare thjesht. Ajo i thotë robit vulëhumbur: “Ajo çfarë bën ti është e mirë, ajo çfarë bën tjetri është e keqe”.

Islamizmi i pasluftës kështu iu pëshpëriti në vesh njerëzve të pashpresë e të keqshkolluar: “Ju jeni të drejtët e më të mirët, ata që s’janë si ju janë të këqijtë”.

Edhe lleftizmi albinkurtist po të njëjtën gjë e bëri përveçse në nivele më thella e më të përmasshme: “Ju jeni më të mirët e më unikët, por ata ju shpërfytyruan e ju lanë me gishta në gojë”.

Kështu, një proletariat i stërmadh – i përbërë prej çdo huqi, vesi e harambashllëku – u përfuqizua me vetëbesim shkatërrues që e asgjësoi thuajse këdo të cilin e mësyu.

Nuk i validove, ti je në bela me ta. U vure një pasqyrë përballë – ku shihet shëmtia popullore – ti bëhu gati për t’u leçitur nga i gjithë fshati i hakërryer me sfurka e hunj në duar.

U krehe bishtin me ndonjë fjalë të mirë që duan ta dëgjojnë, ti do t’i gëzosh sajditë më të mira prej tyre.

Këtë gjë sikur e kuptoi në totalitetin e vet Euripidi si nja 2430 vjet më parë. Te drama e tij Bakkhai, mbreti i Tebës, Pentheu, i bën ballë me çykë zori fanatizmit e delirit ekstatik që çoi peshë e dalldisi femrat, pleqtë e të rinjtë.

Por në momentin kur prej trillit ndëshkimor të hyut Dionis edhe vetë ai intoksinohet nga dalldia, gjëja e parë që i shtiret është dielli dhe Teba.

Ai nuk e sheh një diell, por dy diej, nuk e sheh një Tebë, por dy syresh.

Është kjo një alegori e hollë për dualizimin që sjell fanatizmi e intoksinimi kur brenda njeriut hyn zekthi i ideologjisë botërrënuese.

Në një botë për së mbari, laramanizimi (diversifikimi) i mediave do të ishte pozitiv për përmbajtje e anëpamje të reja.

Por edhe kjo e ka pas vete një efekt kolateral. Mediat e reja, domethënë këto që bëhen në ‘kushte shpije’, si për shembull një faqe idiote në Facebook, kanë pas vete një njeri të vetëm. Kështu, qëllimi i ‘mediumit’ bëhet vetëm përforcimi a betonimi i një qëndrimi të caktuar.

Shumë kohë para algoritmit kompjuterik, i lashtë sa vetë bota, ishte algoritmi i dashjes, ai që është në gjendje të ndërtojë besime e pikëpamje me copëza, dromca e shibla.

A nuk e keni vërejtur se si audienca kurrë nuk ankohet për një portal ose faqe që transmeton pafund video të shkurtra (reels-a) me receta fetare nga ndonjë klerik i popullarizuar? A thua pse?

Mllefi e vreri plas vetëm kur takohet me një medium me përmbajtje që e trazon këtë jetë paralele.

Prandaj, serioziteti i një medie – përveç përmbajtjes dhe përpikmërisë profesionale – matet edhe nga aftësia e saj për t’i rezistuar segmenteve radikale shoqërore...

Lajme të ngjashme