Premtimet Elektorale për Gjykatën Speciale dhe Pamundësia e Ndryshimit të Legjislacionit të Speciales - NACIONALE

Premtimet Elektorale për Gjykatën Speciale dhe Pamundësia e Ndryshimit të Legjislacionit të Speciales

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Arbër Ahmeti

Fushata zgjedhore ka kthyer në vëmendje çështjen e Gjykatës Speciale në kuadër të premtimeve zgjedhore. Premtimet që lidhen me Gjykatën Speciale propozojnë që do të merren hapa legjislativ për të zhbërë apo zvogëluar autonominë e saj të zgjeruar si organ gjyqësor, përmes ndryshimit dhe plotësimit të nenit kushtetues apo ligjit për Gjykatën Speciale.

Shqyrtimi ligjor i aspekteve procedurale shpalos kërkesa e detyrime ligjore që e bëjnë një gjë të tillë praktikisht të pamundur pa u përmbushur misioni i Gjykatës Speciale. Shkurt, përfundimi i mandatit të Gjykatës Speciale nuk mund të ndodhë pa njoftimin e Këshillit të BE-së që Gjykata ka përmbushur misionin e saj. Njëlloj, edhe ndryshimet në legjislacion nuk mund të ndodhin pa u konsultuar me organet kompetente të BE-së.

Gjykata Speciale dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë pjesë e një regjimi të veçantë juridik përbrenda sistemit juridik të Kosovës. Baza juridike e Gjykatës Speciale është Shkëmbimi i Letrave mes Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe Presidentes së Republikës së Kosovës i vitit 2014, Neni 162 mbi Dhomat e Specializuara sipas amendamentit kushtetues nr. 24, dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ky regjim juridik i nënshtrohet Kushtetutës së Kosovës por gëzon autonomi përbrenda sistemit juridik të Kosovës dhe i nënshtrohet rregullave dhe procedurave të veçanta.

Këto aspekte procedurale rrjedhin nga detyrimet ndërkombëtare të marra nga Shkëmbimi i Letrave që është marrëveshje ndërkombëtare mes Kosovës dhe BE-së, ku Kosova zotohet se do të krijojë Dhomat e Specializuara. Ato detyrime janë bërë pjesë e sistemit juridik të Kosovës përmes aprovimit në Kuvend të ligjit ratifikues Nr. 04/L-274. Shkëmbimi i Letrave mes Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe Presidentes së Republikës së Kosovës parasheh që Kosova do të konsultohet me autoritetet e BE-së për çdo veprim në procesin e amendimit të legjislacionit në lidhje me Gjykatën Speciale.

Amendamenti 24 i Kushtetutës që shton Nenin 162 mbi Dhomat e Specializuara, është implementim i detyrimeve të marra përmes shkëmbimit të letrave me BE-në. Referenca eksplicite te ligji i ratifikimit në Nenin 162(13) dhe (14), i kthen në detyrim kushtetues kërkesat e dakorduara përmes Shkëmbimit të Letrave. Ndër to është edhe detyrimi për konsultime me organet përgjegjëse të BE-së për legjislacionin që ka të bëjë me Gjykatën Speciale. Pra, konsultimi me autoritetet e BE-së është kërkesë procedurale kushtetuese, dhe ky interpretim është konfirmuar nga praktika gjyqësore kushtetuese e Republikës së Kosovës.

Çështja e legjislacionit rreth Gjykatës Speciale është trajtuar tre herë nga niveli kushtetues: në vlerësimin e kushtetutshmërisë së amendamentit 24 në vitin 2015; në vlerësimin e kushtetutshmërisë së aprovimit nga Kuvendi i amendamentit 24 në po atë vit ku gjykata e shpalli kërkesën të papranueshme; dhe në vitin 2020 nga Dhoma Kushtetuese e Gjykatës Speciale (niveli kushtetues pranë Gjykatës Speciale).

aktgjykimin për vlerësimin e amendamentit 24 të Kushtetutës së Kosovës, Gjykata Kushtetuese vlerëson se paragrafët 13 dhe 14 të Nenit 162 të Kushtetutës lidhen ngusht me parimin e sigurisë juridike. Në mënyrë që të garantohet administrimi i papenguar i drejtësisë dhe përmbushja e detyrimeve ndërkombëtare të Kosovës, mandati i Gjykatës Speciale do të vazhdojë deri në njoftimin e përfundimit të mandatit nga Këshilli i BE-së sipas ligjit që ratifikon Shkëmbimin e Letrave. Edhe pse njoftimi nga Këshilli i BE-së nuk përmendet në amendamentin kushtetues, ajo përcaktohet në marrëveshjen mes Kosovës dhe BE-së në të cilën thirren paragrafët 13 dhe 14 të Nenit 162. [shih KO 26/15; para. 101]

Në vitin 2020, Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës kërkoi shqyrtimin pranë Dhomës Kushtetuese të Gjykatës Speciale propozimin për amendimin e Nenit 162 të Kushtetutës me qëllim të sqarimit të kohëzgjatjes së mandatit të Speciales. Amendamentet 26 dhe 27 fshijnë nga paragrafët 13 dhe 14 të Nenit 162 referencën në ligjin e ratifikimit të Shkëmbimit të Letrave. Dhoma Kushtetuese gjeti se amendamentet e propozuara që fshijnë referencën te ligji i ratifikimit të Shkëmbimit të Letrave mëtojnë të zvogëlojnë të drejtave dhe liritë themelore të individëve të involvuar në procesin gjyqësore pranë Gjykatës Speciale, të drejta dhe liri që garantohen më Kapitullin II të Kushtetutës.

Nisur nga interpretimi i Gjykatës Kushtetuese në çështjen KO 26/15, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në vlerësimin e amendamenteve 26 dhe 27 për ndryshimin e Nenit 162 mbi Gjykatën Speciale, ka konfirmuar se kërkesat procedurale dhe kriteri i konsultimeve që rrjedhin nga Shkëmbimi i Letrave janë të natyrës kushtetuese sipas referencës eksplicite në paragrafët 13 dhe 14 të Nenit 162. Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese vëren se Shkëmbimi i Letrave parasheh që secili ligj që mund ketë impakt në procesin gjyqësor pranë Gjykatës Speciale duhet ti nënshtrohet kësaj procedure konsultative. [shih para. 71]

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në mënyrë eksplicite e bënë të qartë që kriteri i konsultimeve në procesin e ndryshimit të legjislacionit në Kosovë është pjesë e Nenit 162 të Kushtetutës [po aty, para. 73]. Ajo vëren se ky kriter kufizon ushtrimin e kompetencave ligjvënëse të Kuvendit, por ky kufizim është në pajtim me bartjen e kompetencave sovrane për funksionimin e Gjykatës Speciale në pajtim me Nenin 20 të Kushtetutës. [paras. 74-5]

Kësisoj, kriteri kushtetues i konsultimeve aplikohet për secilin akt legjislativ që ka të bëjë me mandatin, juridiksionin dhe fushëveprimin e Gjykatës Speciale, pavarësisht nëse një akt i tillë është amendament kushtetues apo amendim i ligjit për Gjykatën Speciale. Qëllimi i këtij kriteri është garantimi i autonomisë së Gjykatës Speciale, sigurimi i të drejtave dhe lirive themelore të palëve të përfshira në procesin gjyqësorë, qe garanton funksionimin e pavarur, efektiv, dhe të sigurt të Gjykatës Speciale.

Në rastin e amendamentit Kushtetues, sipas Nenit 162 të Kushtetutës, kërkesave të tjera procedurale i shtohet edhe kërkesa për konsultime me organet përgjegjëse të BE-së. Njëlloj, edhe në rastin e amendimit të ligjit për Gjykatën Speciale, procedurave të tjera ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit i shtohet edhe kriteri i konsultimeve me organet përgjegjëse të BE-së siç është paraparë në Shkëmbimin e Letrave.

Përfundimisht, veprimet legjislative për shpërbërjen apo ndryshimin e legjislacionit që lidhet me Gjykatën Speciale, janë të pamundura dhe jo-kushtetuese pa pëlqimin Këshillit të BE-së dhe konsultimin e organeve përgjegjëse të BE-së.

*Arbër Ahmeti është doktorant në Universitetin e Vjenës dhe bashkëpunëtor i Shkollës së Avancuar të Hulumtimit në Drejtësi dhe Jurisprudencë. Ky shkrim pasqyron pikëpamjet personale të autorit dhe nuk përfaqëson qëndrimet e asnjë institucioni me të cilin ai është i lidhur.

Lajme të ngjashme