Prej 6 gushtit deri pas 5 tetorit - Kush e ka kohën dhe kujt i duhet marrëveshja? - NACIONALE

Prej 6 gushtit deri pas 5 tetorit - Kush e ka kohën dhe kujt i duhet marrëveshja?

1 orë më parë

nga NACIONALE

Takimet e fundit mes LVV-së dhe LDK-së zgjatën disa orë. Marrëveshja, megjithatë, mund të thuhej se kishte dështuar para se delegacionet të hynin në sallë. LDK-ja erdhi me tri nga figurat e saj kryesore dhe me nevojën për një marrëveshje. Kurti erdhi vetëm me Hekuran Muratin dhe me luksin e mosarritjes së marrëveshjes. Në politikë, marrëveshjet nuk bëhen kur palët kanë vullnet të mirë, por kur frika nga dështimi ndahet afërsisht njësoj. Të martën mbrëma, ajo frikë ishte vetëm në njërën anë të tavolinës.

Kushdo që priste marrëveshje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, apo me cilëndo parti tjetër, dy ditë para seancës konstituive, ose nuk e ka lexuar mënyrën se si negocion Albin Kurti, ose nuk e ka përcjellë politikën e Kosovës gjatë dekadës së fundit. Marrëveshja me LDK-në mbetet e mundshme. Një marrëveshje e hershme, pa dyshim që jo.

Kurti e tha vetë para takimit se votat i ka për Kuvendin dhe Qeverinë, jo për Presidentin. Me 53 deputetë dhe me mbështetjen e komuniteteve që nuk kontrollohen nga Lista Serbe, përfshirë Nenad Rashiqin, ai e ka rrugën pothuajse të sigurt deri te shumica parlamentare. LDK-ja i duhet te Presidenca, aty ku numrat e tij nuk mjaftojnë. Prandaj dy palët mund të ulen në të njëjtën tavolinë, por nuk janë duke negociuar të njëjtën gjë dhe as me të njëjtën urgjencë.

Vetë fotografia e takimit e tregonte këtë pabarazi. Kurti zgjodhi formatin e ngushtë 1+1 dhe shkoi vetëm me Hekuran Muratin, duke mos shprehur asnjë nguti për kompromis. LDK-ja erdhi me Lumir Abdixhikun, Vjosa Osmanin dhe Lutfi Hazirin, bërthamën e saj politike pas një përplasjeje të brendshme në parti. Tre nga 18 deputetët e LDK-së, pra një e gjashta e gjithë grupit parlamentar, u ulën në atë tavolinë. Një parti nuk e sjell një të gjashtën e grupit të vet vetëm për të shkëmbyer mendime. Ajo shkon për marrëveshje. Dhe, pas një vote 170 me 152 në Kuvendin e partisë, Abdixhiku nuk mund të kthehet në parti vetëm me disa ministri dhe një fotografi. I duhet diçka që mbijeton edhe nëse koalicioni prishet.

Kurti dha sinjalin e kundërt. Pas takimit, ai e ktheu bisedën te PDK-ja dhe AAK-ja, duke përsëritur gatishmërinë për t'i takuar Bedri Hamzën dhe Ardian Gjinin. Kjo ishte taktikë për t'ia zvogëluar peshën LDK-së edhe kur ajo mbetet partneri i vetëm realist për Presidencën. Duke hapur publikisht dyer të tjera, Kurti përpiqet t'ia ulë çmimin derës së vetme që vërtet i duhet.

As dita e takimit nuk ishte neutrale. Para takimit me LDK-në, Kurti ishte në veri, te ura e tretë mbi Ibër dhe te kanali Ibër-Lepenc, ndërsa mu gjatë bisedimeve me LDK-në, në faqen e tij u publikua video nga Ujmani. Ishte sinjali i një lideri që kërkon bashkëpunim institucional pa prekur platformën e vet të sovranitetit, jo i dikujt që po përgatitet ta zbusë politikën për ta arritur një koalicion.

Kontrolli para marrëveshjes

Gabimi më i shpeshtë në leximin e Kurtit është bindja se marrëveshja me të duhet t'i paraprijë veprimit institucional. Në praktikën e tij politike pothuajse gjithmonë ka ndodhur e kundërta. Ai e merr fillimisht institucionin që mund ta marrë, e ndryshon pikën prej së cilës negociohet dhe lëshon pe vetëm kur marrëveshja i sjell më shumë se fakti i kryer.

Precedenti më i qartë mbetet ai i viteve 2019-2020. Atëherë dallimi ndërmjet LVV-së dhe LDK-së ishte vetëm 1.72 pikë përqindjeje dhe një mandat, 29 me 28. LDK-ja negocionte pothuajse si e barabartë. Megjithatë, nga zgjedhjet e 6 tetorit deri te marrëveshja e 2 shkurtit kaluan gati katër muaj. Pati oferta e kundëroferta, video e kundërvideo, afate, presion publik dhe përpjekje të vazhdueshme për t'ia faturuar palës tjetër dështimin e mundshëm.

Më 26 dhjetor, pa marrëveshje me LDK-në, Kurti e propozoi Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit. Konjufca u zgjodh me 75 vota, përfshirë votat e LDK-së. Ajo lëvizje nuk i mbylli negociatat, por thjesht ua ndryshoi pikën e nisjes. Kurti e mori institucionin që mund ta merrte dhe vazhdoi të negocionte nga pozita e atij që tashmë e kontrollonte atë.

Marrëveshja u arrit vetëm më 2 shkurt, një ditë para përfundimit të afatit të mandatarit të parë për formimin e Qeverisë. Në atë pikë nuk rrezikohej më vetëm procesi negociues, por dështimi publik për t'ua dhënë qytetarëve atë që ishte shitur si “Qeveria e Shpresës”, ndërsa hapej mundësia për një mandatar të dytë, një qeveri pa LVV-në ose zgjedhje të reja. Vetëm kur mosmarrëveshja u bë më e kushtueshme se lëshimi, posti i kryetarit të Kuvendit u bë i negociueshëm. Konjufca kaloi në Ministrinë e Jashtme, Vjosa Osmani u zgjodh kryetare e Kuvendit, ndërsa kërkesa e atëhershme e LDK-së për Presidencën mbeti jashtë marrëveshjes.

Atëbotë, Qeveria u rrëzua pas 51 ditësh. Pesë vjet më vonë, në fushatën e vitit 2025 në Prizren, vetë Kurti e përdori atë për ta përjashtuar një koalicion të ri me opozitën: “Na e kemi provu koalicionin me ta, 51 ditë na ka zgjatë. O për Zotin, qetash as 5 orë s'mundet me zgjatë.”

Ky është mësimi i vitit 2020. Kurti nuk bën kompromis për ta parandaluar krizën. E bën kur kriza fillon t'i kushtojë më shumë se kompromisi. Deri atëherë, kontrolli vjen i pari. E nëse veproi kështu kur LDK-ja ishte vetëm një deputet prapa tij, nuk ka arsye të pritet që sot, me 53 deputetë përballë 18, ta japë paraprakisht atë që mund ta negociojë më vonë dhe me më shumë leverdi politike.

6 gushti

Është jorealiste të pritet që seanca konstituive të paraprihet nga një marrëveshje e përgjithshme me LDK-në. Vetë Abdixhiku ia ka hequr Kurtit një pengesë politike. Ai ka thënë se, nëse deri më 6 gusht nuk ka marrëveshje, duhet të vazhdojë konstituimi i Kuvendit, duke shtuar se LDK-ja nuk ka interes për postin e kryetarit.

Kjo mund të jetë tërheqje, por edhe pozicion negociues. LDK-ja duket se po heq dorë nga një post që e vlerëson më pak për ta ruajtur kërkesën për institucionin që e vlerëson më shumë. Pasoja e menjëhershme, megjithatë, është e qartë. Ajo e ka dorëzuar betejën për kryetarin e Kuvendit para se votimi të nisë. Kurti nuk ka pse ta paguajë LDK-në për një votë që ajo tashmë ka paralajmëruar se nuk do ta bllokojë.

Prandaj skenari më i mundshëm është që LVV-ja do ta propozojë kandidaten e vet dhe, me votat që i siguron nga komunitetet joshumicë, e konstituon Kuvendin pa e mbyllur çështjen e Presidentit.

Pesëmbëdhjetë ditët

Me dekretimin e mandatarit nis afati 15-ditor për votimin e Qeverisë. Nuk ka pothuajse asnjë skenar realist në të cilin një qeveri e udhëhequr nga Kurti dështon në Kuvend. Shumica ekziston dhe Kurti nuk ka arsye ta përsërisë rrugën e vitit 2025, kur dështimi i mandatarit të parë e çoi vendin te kandidati i dytë dhe pastaj te zgjedhjet.

Por ai mund ta përdorë një pjesë të mirë të atyre 15 ditëve. Jo sepse i mungojnë votat, por sepse koha i shërben dhe sepse i duhet pamja e negociatës. Mund të thotë se dera mbetet e hapur, se po kërkon zgjidhje më të gjerë dhe se nuk po e mbyll askënd jashtë. Në fund, Qeverinë mund ta votojë me shumicën që e ka edhe pa LDK-në. E merr ekzekutivin dhe, gjatë rrugës, përpiqet ta ndajë me të tjerët faturën politike të mungesës së marrëveshjes.

Këtu gjendet arsyeja e vërtetë e këmbënguljes së LDK-së për Presidencën. Hyrja në Qeveri nuk i jep asaj siguri afatgjatë. Nëse Kurti e ruan shumicën parlamentare edhe pa LDK-në, ai mund t'i largojë ministrat e saj sapo marrëdhënia të prishet dhe të vazhdojë të qeverisë.

Presidentin, ndërkaq, Kurti nuk mund ta shkarkojë edhe në skenarin hipotetik kur prishet koalicioni. Për LDK-në, ai post është kundërpesha pesëvjeçare që mbijeton edhe nëse marrëveshja për ekzekutivin zgjat 51 ditë apo, siç thoshte Kurti para disa muajsh, as pesë orë. Prandaj LDK-ja kërkon ta paraqesë paketën si marrëveshje politike dhe jo si pazar për emra e ministri. Ajo e di se një koalicion me Kurtin mund të zgjasë pak. Prandaj edhe po kërkon diçka që nuk varet tërësisht nga vullneti i tij pasi Qeveria të jetë zgjedhur.

16 shtatori

Aktgjykimi i trupit gjykues në Dhomat e Specializuara, i caktuar për 16 shtator, nuk e ndryshon asnjë afat kushtetues. Mund ta ndryshojë, megjithatë, çmimin politik të zgjedhjeve të reja.

Pozita e Kurtit ndaj Dhomave të Specializuara është më e ndërlikuar sesa paraqitet zakonisht. Lëvizja Vetëvendosje e kundërshtoi themelimin e tyre dhe Kurti mund të thotë me të drejtë se nuk ishte pjesë e kompromisit që i krijoi. Por ai ka qenë përfituesi kryesor politik i një terreni në të cilin figurat historike të PDK-së janë larguar nga politika e përditshme, ndërsa partia është detyruar të jetojë mes mbrojtjes së tyre dhe kërkimit të një identiteti të ri. Kurti nuk e kontrollon atë proces, por mungesa e tyre ia ka dobësuar kundërshtarin më të organizuar.

Një aktgjykim dënues, sado cungues për partinë, mund t'i japë PDK-së të paktën nominalisht një bosht mobilizimi rreth padrejtësisë së perceptuar, trashëgimisë së luftës dhe solidaritetit me ish-krerët e UÇK-së. Një aktgjykim lirues do t'ua rikthente peshën politike figurave mbi të cilat ajo ende ndërton një pjesë të identitetit të vet. Edhe pse asnjëri variant nuk është e thënë që domosdo do të përkthehet automatikisht në vota, sërish, secili mund ta ndryshojë energjinë elektorale të PDK-së dhe, bashkë me të, llogarinë e Kurtit.

Nëse pas 16 shtatorit PDK-ja tregon shenja reale forcimi, marrëveshja me LDK-në bëhet sigurim kundër zgjedhjeve që Kurti mund t’i perceptojë si të pafavorshme. Nëse ajo valë nuk materializohet, Kurti mund t'i ofrojë më pak LDK-së dhe ta pranojë më lehtë mundësinë e zgjedhjeve. Në anën tjetër, LDK-ja shtrëngohet nga të dyja anët, meqenëse një polarizim i ri LVV-PDK ia ngushton hapësirën elektorale dhe ia rrit nevojën për Presidencën, por njëkohësisht ia rrit koston për t'u dukur si partia që po e shpëton Kurtin. Pra, të gjithë, e në veçanti Kurti, po e presin verdiktin e Hagës për të parë nëse ai ua bën zgjedhjet më të rrezikshme apo më të leverdishme.

4 tetori

Më 4 tetor përfundon periudha gjashtëmujore e ushtrimit të detyrës së Presidentit. Aty mund të nisë faza më agresive e betejës politike.

Pas kësaj date, Kurti mund ta ndryshojë narrativën publike. Nuk do të pyesë më pse nuk u arrit marrëveshja. Do të fillojë të pyesë kush po e lë Kosovën pa President. Me këtë formulim, ai mund ta kthejë zbrazëtinë institucionale në instrument presioni, ta ndajë opozitën dhe çdo refuzim të LDK-së ta paraqesë si vendim për ta lënë shtetin pa një institucion themelor.

Presioni atëherë nuk do të jetë vetëm mbi Abdixhikun, por mbi secilin deputet që duhet të vendosë nëse hyn në sallë dhe nëse e siguron kuorumin. Kurti do të kërkojë që marrëveshja të mos shihet më si lëshim i tij ndaj LDK-së, por si detyrim i të tjerëve ndaj shtetit. Pikërisht këtu mund të kërkojë çarje, abstenime ose vota individuale që sot duken të pamundshme.

Përvoja e krizave të dy viteve të fundit ka treguar se edhe afatet që duken përfundimtare mund të prodhojnë kohë shtesë, kur përplasjet politike shndërrohen në konteste pranë Gjykatës Kushtetuese. E kjo e fundit ka vendosur disa herë afate shtesë, si për konstituimin e Kuvendit, plotësimin e Kryesisë dhe zgjedhjen e Presidentit. Për Kurtin, çdo javë e fituar ka vlerë të dyfishtë, sepse në njërën anë ia zgjat kohën për ta çarë kundërshtimin ndaj kandidatit të tij, dhe në anën tjetër e shtyn procesin eventual zgjedhjor nga nëntori drejt dhjetorit, kur përllogaritjet elektorale të LVV-së bëhen më të favorshme.

5 tetori

Më 5 tetor përfundojnë 60 ditët për zgjedhjen e Presidentit, nëse Kuvendi konstituohet nesër. Pa marrëveshje dhe pa ndonjë ndërhyrje të Gjykatës Kushtetuese në një rast eventual, dështimi do ta shpërndante Kuvendin dhe zgjedhjet do të duhej të mbaheshin brenda 45 ditëve, diku nga mesi ose fundi i nëntorit.

E nëse ndonjë kontest kushtetues e shtyn kalendarin, dhjetori bëhet i mundshëm. Për LVV-në, fundi i dhjetorit do të ishte skenari ideal, duke u nisur nga fakti që në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 mori mbi 51% të votave dhe 57 mandate, rezultat më i mirë se 47.13% dhe 53 mandatet e qershorit. Ndonëse prania e diasporës gjatë festave nuk e garanton përsëritjen e atij rezultati, ajo i jep sërish Kurtit një nxitje krejt konkrete që, nëse duhet të shkojë në zgjedhje, t'i preferojë ato sa më afër fundit të vitit.

Në kahun tjetër, nuk duket se ka ndonjë skenar serioz, në të cilin Kurti, nga dëshpërimi për Presidencën, bën marrëveshje me AAK-në apo edhe me Listën Serbe. Së pari, sepse AAK-ja e ka përjashtuar pjesëmarrjen në Qeveri, ndërsa hendeku politik mes LVV-së dhe Listës Serbe është shumë më i madh se vlera e një kompromisi për Presidentin. Kurti do të shkonte në zgjedhje shumë përpara se ta paguante Presidencën me një marrëveshje që do t'ia rrënonte të gjithë narrativën për veriun.

Rruga më e mundshme, pra, nuk nis me marrëveshje. Më 6 gusht LVV-ja e merr Kuvendin. Brenda afatit 15-ditor e merr edhe Qeverinë. Pas 16 shtatorit e mat leverdinë e zgjedhjeve. Pas 4 tetorit fillon ta përdorë rrezikun e Kosovës pa President si presion mbi opozitën dhe mbi deputetët veç e veç. Afër 5 tetorit vendos nëse kompromisi me LDK-në i kushton më pak se zgjedhjet, ose nëse një betejë e re kushtetuese mund t'ia blejë kohën që i duhet.

Kësisoj, edhe nëse marrëveshja arrihet, ajo ka shumë më tepër gjasa të jetë një ujdi e vonshme për Presidentin sesa një koalicion i madh i lidhur në gusht. LDK-ja po negocion për një marrëveshje që i duhet tani. Kurti po negocion për momentin kur mungesa e saj do të fillojë t'i kushtojë edhe atij.

Shkruan: Eugen Cakolli

Lajme të ngjashme