Pranë fjalëve të pafjalë - NACIONALE

Pranë fjalëve të pafjalë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Iljasa SALIHU

Kur njeriut i mungon vullneti për punë, mu atëherë ka prirje të jashtëzakonshme të gjejë dhe të përshfaqë arsye të panumërta të mungesës së punëve. Madje me një dhunti të rrallë, këtë mungesë lezetshëm e arsyeton dhe kështu e gjenë rehatinë në mospunë, ngaqë po të mos e arsyetonte, atëherë rehatia do t’i mungonte, në i thënçi kësaj rehati. Ngjashëm është edhe me shumë syresh, të cilët përtojnë të lexojnë, mirëpo kurrë nuk ngurrojnë të thonë se gjuha shqipe është shumë e varfër, mendimi shqiptar është mendim koti e broçkulla të ngjashme.Për rrjedhojë, sot kemi shkrimtarë, profesorë e akademikë, të cilët shkruajnë me një gjuhë të përçudnuar, të varfër, të gjymtuar, huazojnë panevojshëm fjalë të huaja dhe kryesisht i mungon estetika në shkrimet a kumtesat e tyre, duke e bërë kështu shkrimin vështirë të lexueshëm, për më tepër prore të pakuptueshëm.

Prej kohësh nuk jam duke ia lexuar punimet e tyre vetëm për shkak të llojit të përdorimit të gjuhës, sepse përdorimi i dhunës përgjatë të shkruarit më dhunon edhe mua mendërisht. Lloji i kësaj shpure (shkrimtarë, profesorë, hoxhallarë, priftërinj, gazetarë, politikanë) duhet ta kuptojnë se njohja e gjuhës nuk i përket vetëm gjuhëtarëve, por gjithsecilit, kurse gjuhëtarët janë ata që i prijnë kësaj detyre madhështore, janë mësuesit tanë të përjetshëm në këtë botë të përkohshme. Mund të jesh një mjek, ekonomist e jurist shumë i mirë, mirëpo nëse të paktën ju mungon njohja e thellë e gjuhës së nënës, atëherë ju mungon një gjë madhështore, ju mungon tyta, edhe pse mund ta keni të stërmbushur karikatorin me plumba.

Ashtu që, nuk mund t’i shprehim idetë madhështore apo ta përçojmë ndonjë porosi të lartë, nëse nuk e njohim shkëlqyeshëm gjuhën me të cilën i drejtohemi dëgjuesve apo lexuesve. Po ashtu, nuk mund ta njohim shkëlqyeshëm një gjuhë të caktuar nëse nuk lexojmë libra të atilla që mes tjerash i kushtohet rëndësi edhe përdorimit të gjuhës. Kjo vlen edhe për ata që dëgjohen. Duhet patjetër ta përdorin gjuhën e njësuar dhe shumësinë e fjalëve që tashmë gjenden në fjalor, por për fat jo të mirë, jo të gjitha fjalët përdoren dhe kështu me kalimin e kohës qerthulli i fjalëve ngushtohet, duke u krijuar padrejtësisht një përshtypje se gjuha shqipe sa e varfër qenka.

Për shembull, ja disa fjalë të cilët rrallë i prekin gishtërinjtë dhe pështypa e gojës, të cilët shumë sosh që e përdorin këtë gjuhë, nuk i dinë se këto fjalë “këmbëkryq janë të ulura në odën e gjuhës shqipe”, mirëpo të cilët me kalimin kohës janë trajtësuar si fjalë të huaja, mu sikurse disa fjalë të huaja që përkapen si fjalë të gjuhës shqipe për arsye të përdorimit të shpeshtë dhe të sheshtë. VRING, HAJTHËM, BUTHTOJ, PLOJË, KTHINË, SHESTIM, PËRDAT, ANDRALLË, MUJSHAR, KALAMEND, ÇARK, THAGMË, VRAGЁ, KAPЁRCYELL, FRЁNGJI, KALISEM, GULÇIMЁ, LATOJ, SHUSHAT, ZUKAMË, QËMTUES, LËNESHË, ZDËRRANIK, SOKËLLIMË, ANGULLIMË, XANXË, MBROTHËSI, RRËMET.

Është mirë t’i themi mjaftë më përshtatjes së panevojshme. Le t’i përshtaten njerëzit një standardi të caktuar dhe jo standardi dëshirave të njerëzve, përndryshe mosrespektimi i standardit të shpie në pështjellim jo vetëm gjuhësor, por edhe në pështjellim të mendimit dhe të shprehjes . Të mos shkruajmë a flasim me një gjuhë të varfër dhe të gjymtuar, gjoja se të pranishmit nuk e kuptuakan si duhet këtë gjuhë. Le të mësohen me këtë gjuhë. Në fillim do t’i duket vështirë, por me kalimin e kohës do të mësohen dhe pa dyshim se do të lartësohen në piramidën e diturisë.

Kur veshët i mësuam me të keqen, edhe më lehtë do t’i mësojmë me të mirën, vetëm se në fillim duhet pak durim. Rrjedhimisht, ideja do të del e mangët nëse përdorim një gjuhë të varfër dhe të gjymtuar. Kësisoj, nëse duam ta lartësojmë shkallën e njohurive, duhet të mundohemi e të djersitemi nëse është nevoja dhe pa dyshim se do t’ia dalim. Në të kundërtën, nëse shkojmë me mendësinë e përshtatjes, ndoshta sot do të kuptohemi si duhet, por nesër do të jemi sikurse që ishim dje, pra fare nuk do të lartësohemi, pse jo me kalimin e kohës do të shkërmoqemi.

Me pak fjalë, gjuha e njësuar shqipe duhet të përdoret kudo: në shkollë; zyre, familje, kafene, xhami, sallë sporti, kishë, spital, libra, mediume, universitete, shtabe partiake, letra dashurie. Kjo nuk do të thotë se gjuha standarde është e përkryer dhe se nuk ka nevojë të pasurohet me fjalë të reja apo të pasurohet me prurje të reja që kanë një themel të gjuhës shqipe, ose të paktën një shpjegim të thukët nga njohësit e rryer të gjuhës shqipe!

Lajme të ngjashme