Oreksi për Pushtet
Shkruan: Jon Krasniqi
Kosova gjendet edhe një herë në prag të zgjedhjeve të parakohshme, një zhvillim që do të shënonte zgjedhjet e treta nacionale brenda vetëm 14 muajve. Në shumicën e demokracive parlamentare kjo do të konsiderohej një shenjë serioze e paqëndrueshmërisë politike. Në rastin e Kosovës, kjo reflekton paaftësinë e vazhdueshme të akterëve politikë për ta shndërruar fuqinë elektorale në kompromis institucional.
Ngërçi institucional i menjëhershëm lidhet me zgjedhjen e Presidentit. Pavarësisht se Lëvizja Vetvendosje! ka siguruar 57 ulëse në Kuvend, partia në pushtet nuk ka arritur të krijojë konsensusin më të gjerë parlamentar të nevojshëm për të zgjedhur një kandidat konsensual për president. Ajo që në shikim të parë mund të duket si një mosmarrëveshje e zakonshme politike, në fakt ekspozon një paradoks të politikës tone aktuale, një shumicë qeverisëse mjaftueshëm e fortë për të dominuar numrat në parlament, por e pavullnetshme ose e paaftë për të hyrë në kompromiset që kërkon struktura kushtetuese e Kosovës.
Presidenca në Kosovë nuk është konceptuar kurrë si një zgjatim i pushtetit ekzekutiv. Ndryshe nga sistemet presidenciale, ku ky institucion përfaqëson qendrën e autoritetit ekzekutiv, presidenti në Kosovë ka kryesisht një rol balancues dhe kushtetues, të menduar për të funksionuar mbi konkurrencën e përditshme partiake. Ky pozicion ka fuqi të kufizuara të drejtpërdrejta mbi qeverinë. Në fakt, më shumë funksionon si një garanci simbolike dhe institucionale, apo një figurë që synon të reflektojë legjitimitet më të gjerë parlamentar dhe të ruajë ekuilibrin mes pozitës dhe opozitës.
Pikërisht për këtë arsye, kërkesa për mbështetje ndërpartiake në zgjedhjen e presidentit nuk është menduar kurrë si pengesë procedurale. Ajo është dizajnuar qëllimisht si mbrojtje kushtetuese, apo një mekanizëm që siguron që disa pozita shtetërore të mbeten të mbrojtura nga kontrolli i ngushtë i mazhorancës. Në demokracitë parlamentare, fitorja në zgjedhje jep të drejtën për të qeverisur, por jo edhe të drejtën për të monopolizuar të gjitha institucionet e shtetit.
Ngërçi aktual, prandaj, zbulon një kontradiktë të çuditshme. Një shumicë qeverisëse me 57 ulëse në parlament e ka trajtuar presidencën si një pozicion që duhet siguruar përmes forcës numerike, dhe jo përmes legjitimitetit të negociuar, apo kompromisit. Megjithatë, korniza kushtetuese është ndërtuar pikërisht për ta parandaluar një rezultat të tillë të njëanshëm. Në këtë mënyrë, zgjedhja e presidentit/es i detyron akterët qeverisës të angazhohen në dialog me opozitën dhe të pranojnë se disa role institucionale duhet të dalin nga kompromisi. Kjo nuk tregon dobësi të sistemit, por është vetë dizajni i sistemit të Kosovës.
Qeverisja parlamentare mbështetet në negocim të vazhdueshëm mes akterëve politikë, jo në hegjemoni të shumicës. Kur ky negocim zhduket, institucionet nuk funksionojnë sipas qëllimit për të cilin janë ndërtuar. Përkundrazi, ato fillojnë të rrëshqasin drejt paralizës.
Kosova tashmë i ka përjetuar pasojat e një paralize të tillë. Gjatë vitit 2025, Kuvendi mbeti praktikisht i bllokuar për gati 9 muaj, i paaftë për të rikthyer bashkëpunimin funksional politik. Ky ngërç i zgjatur institucional përfundimisht e dërgoi Kosovën në zgjedhje të parakohshme, duke e rivendosur ciklin politik pa e zgjidhur në mënyrë thelbësore kulturën e konfrontimit që prodhoi krizën në radhë të parë.
Vetë presidenca ngre pyetje të rëndësishme brenda këtij modeli më të gjerë institucional. Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ndërhyri përfundimisht vetëm në fazën e fundit të afatit kushtetues për të mbrojtur vazhdimësinë e institucioneve dhe për të parandaluar një vakum më të thellë kushtetues. Megjithatë, kriza më e gjerë fton për reflektim edhe mbi mundësitë e mëhershme për ndërmjetësim institucional. Gjatë muajve kur parlamenti mbeti i bllokuar, presidenca, një institucion që kushtetutshmërisht ka për detyrë të mbrojë funksionimin e shtetit, qëndroi kryesisht jashtë procesit të arbitrazhit politik.
Edhe pse kompetencat formale të presidencës janë të kufizuara në sistemin parlamentar të Kosovës, ky institucion gjithsesi bart një përgjegjësi të rëndësishme joformale, të inkurajojë dialogun kur institucionet paralizohen. Ndërhyrja në momentin e fundit kushtetues mund të zgjidhë një problem procedural të menjëhershëm, por njëkohësisht tregon se sa larg shpesh lejohen të përshkallëzohen krizat institucionale para se kompromisi të bëhet politikisht i pranueshëm. Në thelb të situatës aktuale qëndron një zhvillim tashmë i njohur në jetën politike të Kosovës, ai i prioritizimit të kontrollit politik mbi funksionalitetin institucional.
Akterët politik shpesh i shtyejnë mekanizmat institucional deri në kufijtë e tyre, duke lejuar që ngërçet të thellohen derisa garancitë kushtetuese të detyrohen të ndërhyjnë. Rezultati është një cikël i përsëritur I menaxhimit të krizave, në vend të një qeverisjeje të qëndrueshme. Ky model ka pasoja që shkojnë përtej manovrave të brendshme politike. Kosova sot operon në një gjeopolitikë çdo herë e më komplekse, me një dialog ende të pazgjidhur me Serbinë dhe një ngecje mbrapa gjithnjë e më shumë ndaj reformave dhe zgjerimit të Bashkimit Evropian. Navigimi në kësi lloj rrethana kërkon stabilitet institucional, fokus strategjik dhe pjekuri politike. Në vend të kësaj, vendi rrezikon të hyjë edhe një herë në një cikël të ri zgjedhor.
Me kalimin e kohës, kjo dinamikë fillon të ngjajë me një sistem të bllokuar taktikisht, ku zgjedhjet shërbejnë më pak si instrument demokratik dhe më shumë si pauza të përkohshme në një garë të vazhdueshme për avantazh politik. Këtu qëndron arsyeja pse momenti aktual kërkon një reflektim më të gjerë. Rendi kushtetues i Kosovës është ndërtuar mbi supozimin se akterët politikë, herët a vonë, do ta vendosin stabilitetin institucional mbi përfitimin partiak. Presidenca, në veçanti, është menduar të mishërojë këtë logjikë të balancës, një pozitë që qëndron mes qeverisë dhe opozitës, dhe jo një institucion që i përket ekskluzivisht njërës palë. Megjithatë, kriza aktuale sugjeron se ky supozim po bëhet gjithnjë e më i brishtë.
Nëse vendi shkon edhe një herë drejt zgjedhjeve, qytetarët mund të bëjnë një pyetje të thjeshtë: sa zgjedhje do të duhen derisa kompromisi të bëhet politikisht i pranueshëm? Sa cikle zgjedhore duhet të kalojnë derisa shumicat qeverisëse të kuptojnë se pushteti parlamentar kërkon negociim, jo vetëm dominim numerik? Sa kohë mund të përballoj të humbas Kosova para se paraliza institucionale të filloj të prodhoj pasoja më të thella, qoftë në marrëdhënie ndaj aleatëve, në rrugën drejt integrimit evropian, apo në stabilitetin e vet institucioneve demokratike?
Demokracia nuk matet vetëm nga sa shpesh mbahen zgjedhjet e dalja në zgjedhje, por nga aftësia e akterëve politikë për t’i bërë institucionet të funksionojnë, e jo nga oreksi I vazhdueshëm për pushtet.
Kriza aktuale institucionale nuk ka lindur nga një moment i vetëm politik, por është rezultat i një serie vendimesh dhe mosveprimesh nga akterë të ndryshëm. Presidentja mund të kishte ndërmjetësuar edhe në 2025-tën për të krijuar hapësirë për kompromis, shumica parlamentare mund të kishte treguar më shumë gatishmëri për dialog, dhe opozita mund të ishte më proaktive dhe më transparente me popullin rreth gjetjes së një zgjidhjeje. Pa këtë kulturë për dialog, kriza rrezikon të kthehet në një model të përsëritur të funksionimit institucional, duke lënë qytetarët pa zgjidhje dhe institucionet të paralizuara. Një mësim i madh që mund të nxirret është se mungesa e vullnetit për kompromis dhe për dialog ndërpartiak nga partitë politike shkaktojnë kriza që shkojnë direkt në kurrizin e qytetarëve, duke i lënë ata pa përgjigje dhe duke humbur kohë që vendi nuk e ka luksin ta humbas.