Nuk e kam ditë që ekziston kjo kombëtare kaq e fortë
Shkruan: Berat Buzhala
E para dhe ma e rëndësishmja, goli që e ka dhënë Fisnik Asllani nuk mundet me u dhënë prej gjithkujt, posaçërisht tuj e ditë kush mbrojke kah Sllovenia – Oblak, njani prej dy-tre golmanave ma të mirë në botë. Nuk ke veç goditja, ke edhe mënyrën qysh e rujti topin.
Muriqi nuk ka shënu, ama Muriqi është nifar muri i gjallë i Kosovës që e ndan ekipin tonë me ekipin e kundërshtarit. Këtë rol e kishte edhe sot. Kur t’i hapë kambët Muriqi, e kur ta len topin pak para kambëve, nuk del djalë nane që ia merr.
Florent Muslija, pa asnjë dyshim, ka vrapu ma së shumti. Kurrë nuk është ndalë. Ka qenë i papërmbajtshëm. Më pëlqejnë tejmase ato filtrimet e tij, qoftë brenda 16-metershit, qoftë në drejtim të mesfushës. Aty Muslija i len për të vdekun shumë lojtarë kundërshtarë. Sonte e ka bo këtë sen disa herë.
Në krahun tjetër, Vojvoda, qysh e thash edhe ma herët, e ka ni gjakftohtësi të admirueshme, që pak lojtarë e kanë. E kam një përshtypje që me Fabregasin trajner te Como, Vojvoda e ka një rilindje. Po ka ma shumë vetëbesim. Sot, në dy-tri raste, osht kanë: wow.
Rexhbeçaj e Leon Avdullahu nuk është që vrehën shumë prej masave popullore, që kërkojnë trika, kërkojnë driblime, ama tashmë janë dyshja e sigurisë tonë. Nuk ka lojë moderne pa mesfushë, kurse Kosova së pari ka mesfushë të denjë për lojëra të mëdha.
Dion Gallaçenin unë e kisha shpallë lojtar të ndeshjes në çdo ndeshje. E kam pikë të dobët. Sot Gallaçeni luftoi fort, e pika ma e ndritshme e tij ke kur lojtari slloven e goditi me brryl në gojë edhe e mori karton të kuq. Këtu ishte momenti kur loja u mbyll. Dioni ka bo lojë fenomenale.
Lumbardh Dellova po vjen tuj u rritë në çdo ndeshje. Sot e ka bo një ndeshje pa gabime.
Në anën tjetër, Alban Hajdari është magjik. Në disa raste e kam pa tuj u shkatërru kundërsulmet e sllovenëve thellë në mesfushën sllovene. Kur një mbrojtës e prish një kundërsulm të rrezikshëm, ai nuk vlerësohet shumë, sepse ngjarja ka ndodhur te goli i kundërshtarit, ama ai kundëraksion, pas disa sekondave, mund të shndërrohej në gol. Albani lun me shpirt, lun me zemër, por edhe me mend. E lexon lojën si pakkush, mirëpo as nuk tutet me u rrase në betejë, gjë të cilën e ka bo sot dy-tri herë, duke e rreziku edhe kambën e tij.
Pesha e rikthimit të Amir Rrahmanit në pozitën e tij në kombëtaren tonë u dëshmu edhe sot në fushë. Se sa i pjekun është Amiri e ka tregu sot në dy-tri raste, ku secili amator, përfshi edhe mu, i kish thanë “pse po e gjuan jashtë vijave atë top, se mundesh me e ndalë”, mirëpo Amiri nuk është amator. Për shkak se shumica e ekipit janë të moshës 20–23 vjeç, tash Amiri po duket edhe kapiten, por edhe lider i grupit.
Për ekzistencën e Amir Saipit, portierit tonë, unë së pari sonte kam dëgju, mirëpo sonte u binda që porta jonë nuk qenka e rrezikuar edhe kur mungon Aro. Pritja që ai sot e ka bo në një rast ishte e jashtëzakonshme. Me majën e gishtave e ka parandalu një gol të sigurt.
Më boni përshtypje, për aq sa lujti, edhe Valdin Hodja. E ka një fizik të prerë për futbollist, kurse topin e kontrollon për mrekulli.
Duhem me e pranu, para disa muajve unë nuk e kam besu që kjo kombëtare ka me u rritë kaq shpejt. Nuk e kam ditë që ekzistojnë 5–6 lojtarë të ekipit të parë. Federata e Futbollit ka bo punë të mirë tuj i sjellë ata në Kosovë. E ka bo kombëtaren shumë konkurruese. Tash duhet me punu shumë edhe Zhegrova, edhe Miloti, edhe kushdo që don me kanë në ekipin e parë. Sigurisht që Milotin e kam në zemër, sepse i ka dhënë shumë Kosovës.