Një miliard investime të huaja në beton e jo në zhvillim
Shkruan: Adri Nurellari
Tabloja e 1 miliardshit të investimeve të huaja direkte në Kosovë për vitin 2025 është në thelb një sinjal alarmi dhe nuk duhet lexuar kurrsesi si një histori suksesi. Problemi nuk është sa kapital hyn, por ku shkon, dhe në këtë rast, ekonomia po ndërton më shumë pasuri të dukshme të paluajtshme, por jo më shumë aftësi për të prodhuar, për të hapur vende të reja pune të mirëpaguara dhe për të konkurruar me eksporte.
Prandaj, tejkalimi i 1 miliard eurove duket në pamje të parë mbresëlënës, por struktura e tyre tregon një ekonomi që po “varroset” në sektorë jo-produktivë si ndërtimi. Fakti që rreth 75% e FDI-së shkon në pasuri të paluajtshme nënkupton kapital të orientuar drejt spekulimit dhe jo drejt krijimit të kapaciteteve prodhuese, eksportit apo teknologjisë.
Kjo lloj rritjeje nuk gjeneron produktivitet afatgjatë, nuk rrit kompleksitetin ekonomik dhe nuk krijon zinxhirë vlere të qëndrueshëm. Nuk ka transferim teknologjie, nuk ka rritje të kapaciteteve industriale, nuk ka integrim në zinxhirë globalë vlerë por vetëm beton dhe ndërtime që ushqejnë një iluzion bollëku që maskon fukarallëkun.
Dominimi i investimeve nga diaspora (Gjermania dhe Zvicra) nuk përfaqëson investim strategjik nga aktorë që sjellin knoë hoë të avancuar, teknologji apo inovacion por thjesht një riciklim kursimesh. Djersa e diasporës kthehet në beton në vendlindje, duke ushqyer sektorin e ndërtimit, por duke e lënë ekonominë po aq të brishtë sa ishte para investimit.
Në terma të ekonomisë politike, kjo është një trajektore që prodhon përnjëmend rritje nominale ama faktikisht sjell keq-orientim investimesh dhe një ekuilibër të ulët zhvillimi, ku ekonomia vazhdon e varur nga flukset e jashtme të diasporës dhe mbetet e paaftë për të gjeneruar kapacitete të brendshme konkurruese.
Për rrjedhojë, qeveria Kurti nuk ka arsye reale të krenohet me këtë shifër, pasi ajo nuk buron nga përmirësimi i klimës së biznesit, forcimi i institucioneve apo nga një strategji e qëndrueshme zhvillimi. Nuk kemi parë as një klimë të qetë dhe pa tensione, as avancim drejt përmbylljes së konfliktit të ngrirë me Serbinë, e aq më pak reforma serioze që rrisin besimin e investitorëve. Po ashtu, mungojnë politika fiskale inovative, investime domethënëse në infrastrukturë moderne dhe përmirësim i cilësisë së kapitalit njerëzor përmes arsimit.
Nëse ka një "meritë" që mund t'i mvishet ekzekutivit për 1 miliardshin, është nxitja e largimit të rreth 300 mijë qytetarëve që nga viti 2019, të cilët, të detyruar të kërkojnë punë me pagê dinjitoze në perëndim. Pra kjo rritje nuk buron nga ndonjë vizion strategjik për integrim në zinxhirët globalë të vlerës, por nga rritja e flukseve monetare të diasporës së re, e cila po financon mbijetesën ekonomike të familjeve të mbetura në vendlindje.