Në kërkim të një jete më të mirë pranë varrezave
Shkruan: Afrim Kasolli
Instruktimi i jetës njerëzore drejt së mirës, lumturisë dhe virtytit ka qenë njëra nga detyrat e filozofisë që nga koha e Sokratit. Kërkimi i këtyre vlerave shkonte paralelisht me kërkimin e njohjes. Sipas filozofit antik, njohja i paraprinte një jete të mirë. E liga dhe keqja e kishin burimin te injoranca. Platoni po ashtu i takonte kësaj tradite të formimit të personaliteti etik të qenieve njerëzore. Kurse për Arisotetlin e mira më e lartë apo lumturia “eudaimonia” mund të konsiderohet ajo gjendje e cila e ka qëllimin e saj në vetvete dhe nuk shërben si mjet për qëllime tjera (Telos). Pra, ky ideal nuk kërkohet për hir të diçkaje tjetër, por vetëm për hir të së vetvetes. Kjo trashëgimi mbeti persistente në historinë e filozofisë, deri kur Friedrich Nietzche, u rebelua kundër saj me pandehmat kundër “ së mirës dhe së keqes”.
Mirëpo, mbase kthesa më vendimtare në këtë drejtim mund të lidhet me filozofin e njohur gjerman Martin Heidegger. Nën peshën e problemeve, moderne filozofi ekzistencialist, do të shtrojë detyra krejtësisht tjera para filozofisë, si dhe si mund të na ndihmoj ajo të gjejmë vetveten dhe ta drejtojmë një jetë më të mirë. Ky mendimtar që vokabulari i të cilit mbetet tejet kompleks për shkak të inagurmit të termave tw reja, sikur se, “Seinsvergessenheit, Bodenständigkeit, Wesensverfassung,” konstatonte se njeriu modern ka harruar edhe që te jetë i lirë për vetveten.
Sipas tij qeniet njerëzore janë të hedhura në botë në një ambient partikular social, historik dhe kulturor, e të rrethuar nga qëndrime rigjide, paragjykime të kohës etj etj. Kurse shumë nga nevojat tona praktike nuk janë prodhim i domosdoshëm i shumicës së qenieve njerëzore. Por ato imponohen. Prandaj, detyra e filozofisë është se si të na ndihmojë ta ballafaqohemi me këtë hedhje “Geworfenheit” me qëllim qe në ta bëjmë një jetë autentike “Eigentlichkeit”, si të kundërt me atë joautentike “Uneigentlichkeit”.
Për M. Heidegger-in, arsyeja kryesore se pse ne dështojmë ta jetësojmë këtë detyrë është për shkak se gjatë gjithë kohës i nënshtrohemi kërkesave, prirjeve, shijeve dhe qëndrimeve të “they-self” për dallim nga “oursevles”. Në këtë mënyrë, ne shpenzojmë kohe me atë që ai e quan më shume si “das Gerede” biseda të kota. Shumicën e tyre e kanë burimin në botën e spektaklit të mjeteve të komunikimit masiv, portalet, gazetat, televizionet etj etj.
Mirëpo, shtrohet pyetja si mund të dalim nga vorbulla e kësaj thashethemnaje? Hapi vendimtar në këtë drejtim për Haidegger-in mund të iniciohet kur fokusohemi më shumë në vdekjen tonë të pashmangshme, apo “qenësimin drejt vdekjes”. Kështu vetëm në këtë mënyrë, ne mund ta kuptojmë se njerëzit tjerë nuk mund të na shpëtojnë nga hiçi, “Das Nichts”. Me këtë hapërim cilësor atëherë do të ndalojmë të jetojmë për ta, të shqetësohemi se çka mendojnë ata për ne dhe t’i shpenzojmë energjitë tona të jashtëzakonshme për t’i impresionuar ata të cilët në të vërtete ashtu kështu nuk na duan neve në rend të parë. Madje asnjëri nga ta nuk do vdes për ne. Por ne do të vdesim për vetveten. E këtu nuk duhet përjashtuar rastet kur ata edhe do të tentojnë t’i shfrytëzojnë vdekjet e tjerëve për qëllimet e tyre.
Kjo edhe ishte arsyeja që kur ky filozof ishte pyetur nga të pranishmit gjatë një ligjërate në vitin 1961 se çka duhet të bëjnë për ta drejtuar një jetë më të mirë? Ai me një përgjigje lakonike kishte pohuar se “vetëm duhet të kalojnë më shumë kohë pranë varrezave”. Asgjë më shumë.