Derisa bota digjet, a ka shpresë për të shpëtuar veten? - NACIONALE

Derisa bota digjet, a ka shpresë për të shpëtuar veten?

4 vjet më parë

nga NACIONALE

RICHARD HAASS

Artikulli është shkruar për Project Syndicate, dhe është përkthyer nga gazeta Nacionale.

Edhe përpara se presidenti rus Vladimir Putin të niste luftën e tij kundër Ukrainës dhe një përleshje globale për karburantet fosile, beteja kundër ndryshimeve klimatike po humbiste. E me liderët kombëtarë dhe diplomacinë ndërkombëtare që rezulton e paefektshme, a ka ndonjë shpresë për të shpëtuar veten?

Shpesh thuhet se në një luftë nuk fiton askush, vetëm se disa humbin më pak se të tjerët. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës nuk duket të jetë përjashtim. Pasi, një humbës i qartë është tashmë është i dukshëm: planeti.

Lufta është bërë prioriteti ndërkombëtar për politikëbërësit dhe publikun. Me të drejtë: agresioni i presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës kërcënon një shtyllë të rendit ndërkombëtar, përkatësisht ndalimin e ndryshimit të kufijve me forcë. Por, në përgjigje të sanksioneve kundër eksporteve ruse të energjisë dhe mundësisë që Rusia të ndërpresë furnizimet, lufta gjithashtu ka shkaktuar një përleshje globale për furnizime të mjaftueshme me energji. E tani, shumë vende kanë zbuluar se rruga më e lehtë dhe më e shpejtë është sigurimi i karburanteve fosile që emetojnë gazra serrë.

Megjithatë, edhe para se Putini të niste luftën e tij, beteja kundër ndryshimeve klimatike po humbiste. Ka qenë e vështirë të krijohet ndonjë ndjenjë urgjence për një problem që shihet gjerësisht si real (mohimi i shkencës së klimës po zbehet), por që shihet kryesisht si diçka që mund të trajtohet në të ardhmen. Ky përceptim mund të ndryshohet nga temperaturat e larta rekord në Evropë dhe vende të tjera, thatësirat, zjarret, stuhitë e forta dhe shtimi i migrimit, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur.

Për më tepër, çdo qeveri që vepron e vetme në këtë drejtim nuk do ta zgjidhë problemin. Pra, në shumë vende ekziston një ndjenjë që të bësh gjënë e duhur nuk do të ketë rëndësi, sepse të tjerët do të vazhdojnë të bëjnë gjënë e gabuar dhe të gjithë do të vuajnë.

Pastaj është pyetja tjetër e lidhur, që dëgjohet më shpesh në botën në zhvillim: "Pse duhet të bëjmë gjënë e duhur kur ne nuk e kemi shkaktuar problemin?"

Vendet e varfra refuzojnë si një standard të dyfishtë që kërkohet nga vendet e pasura – të cilat u industrializuan në një kohë kur konsideratat klimatike nuk kishin shumë rëndësi dhe janë përgjegjëse për emetimet shumë më të larta historike të karbonit – të zhvillohen në një mënyrë që u mohon aksesin në formën më të lirë të energji. Problemi është se disa vende (veçanërisht Brazili) nuk po bëjnë çfarë munden për të parandaluar shkatërrimin e pyjeve tropikale, sfungjerit natyror të karbonit të tokës.

Duke folur për standarde të dyfishta, përpjekjet ndërkombëtare për të ngadalësuar ndryshimet klimatike pengohen nga kundërshtimi ndaj mbështetjes më të madhe në energjinë bërthamore, edhe pse ajo nuk lëshon dioksid karboni në atmosferë. Që nga fatkeqësia e Fukushimës në Japoni në vitin 2011, operimi i reaktorëve bërthamorë ekzistues ose ndërtimi i centraleve të reja më të sigurta është bërë një betejë e vështirë politike.

Përpjekjet për të ngadalësuar ndryshimet klimatike ende vuajnë nga perceptimi se ato duhet të vijnë në kurriz të punësimit dhe rritjes ekonomike. Por, kjo është gjithnjë e më e pavërtetë: ndryshimi i klimës po rezulton të jetë i kushtueshëm, ndërkohë që futja e alternativave ndaj lëndëve djegëse fosile me kalimin e kohës mund të krijojë vende pune dhe të zvogëlojë kostot e energjisë. Megjithatë, rezistenca për të ndjekur këtë rrugë është intensive, veçanërisht në zonat që varen prej kohësh nga prodhimi i lëndëve djegëse fosile.

Për të gjitha këto arsye, përpjekjet ndërkombëtare për të ngadalësuar ritmin e ngrohjes globale kanë arritur pak. Udhëheqësit botërorë do të mblidhen përsëri këtë nëntor (në Egjipt) për Konferencën e ardhshme të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (COP27), por nuk ka asnjë arsye për të qenë optimistë se ky takim do të sjellë diçka më tepër se sa takimi paraprak i 26-të.

Shtetet e Bashkuara, tradicionalisht një udhëheqëse e përpjekjeve ndërkombëtare për të frenuar ndryshimet klimatike, po anashkalohen gjithnjë e më shumë. Presidenti i mëparshëm, Donald Trump, tërhoqi ShBA-në nga marrëveshja e klimës së Parisit e vitit 2015, ndërsa pasardhësi i tij, Joe Biden, është gjithnjë e më i kufizuar në atë që mund të bëjë sepse Kongresi (në veçanti, anëtarët e tij republikanë) nuk do të subvencionojë zhvillimin e burimeve alternative të energjisë. Edhe Gjykata e Lartë ka kufizuar ashpër autoritetin e qeverisë federale për të rregulluar emetimet e CO2.

Gjithashtu, ka shumë pak ose aspak mbështetje politike për tatimin e emetimeve ose hyrjen në marrëveshje tregtare që do të dekurajonin konsumin e qymyrit ose naftës duke vendosur tarifa për produktet që i përdorin ato intensivisht.

Rezultati është se temperatura e sipërfaqes së Tokës është vlerësuar se është rritur rreth 1.1º Celsius mbi nivelet para-industriale dhe do të rritet akoma më shumë për shkak të aktivitetit të mëparshëm, edhe nëse bota sot ndalon së emetuari gazra serrë – gjë që padyshim nuk do ta bëjë. Përkundrazi, trajektorja jonë aktuale çon në një klimë shumë më të ngrohtë, duke prekur shtresat e akullit, pyjet e shiut dhe tundrën. Në një cikël të virtytshëm, zhvillimet e mira çojnë në zhvillime më të mira; kur bëhet fjalë për klimën, cikli është vicioz: e keqja çon në më të keqen.

A ka ndonjë arsye për shpresë? Ka, por në pjesën më të madhe jo nga përpjekjet e qeverisë, qoftë të vetme apo së bashku. Udhëheqësit politikë nuk kanë gjasa të veprojnë në një shkallë proporcionale me problemin derisa të jetë tepër vonë.

Një përparim i mundshëm mund të vijë nga korporatat, të cilat kanë stimuj financiarë për të prezantuar produkte më efikase ndaj karburantit. Qeveritë kombëtare dhe lokale mund të rrisin aksionet e kompanive për ta bërë këtë duke miratuar rregullore që inkurajojnë investimet në inovacion.

Ndërsa, një fushë e dytë për ndryshime pozitive është përshtatja. Qeveritë mund të ndërtojnë infrastrukturë për të ndihmuar në menaxhimin e efekteve të ndryshimeve klimatike, të tilla si përmbytjet dhe institucionet financiare mund të përdorin politikat e huadhënies dhe sigurimit për të dekurajuar njerëzit që të ndërtojnë shtëpi në zonat e rrezikuara nga përmbytjet ose zjarret.

Shpresa më e mirë për të ecur përpara ndryshimeve klimatike mund të vijë nga teknologjia, kryesisht ato që na mundësojnë të ndalojmë apo edhe të kthejmë ndryshimin e klimës, qoftë duke hequr pak karbon atmosferik ose duke vendosur grimca reflektuese në atmosferë për të zvogëluar sasinë e dritës së diellit që arrin në tokë. Zhvillimi i teknologjive të tilla duhet të jetë një prioritet.

Ekziston një precedent i kohëve të fundit për një përpjekje të tillë: COVID-19.

Ndërsa numri global i vdekjeve është diku midis 15-18 milionë, ajo që na shpëtoi nga një katastrofë edhe më e madhe ishte bashkimi i qeverisë dhe biznesit për të zhvilluar një gjeneratë të re vaksinash shumë efektive në kohë rekord. E me ndryshimin e klimës, gjithashtu, do të na duhet të mbështetemi më shumë në shkencën fizike sesa shkencën politike për të na shpëtuar nga vetja.

Lajme të ngjashme