Ndërmjet ideologjisë së pushtetit dhe mjerimit opozitar - NACIONALE

Ndërmjet ideologjisë së pushtetit dhe mjerimit opozitar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Afrim Kasolli

Për ta parë më nga afër se si fjalët dhe gjuha mund të shndërrohen në slogane dhe klishe të zbrazëta, mund të marrim si shembull mënyrën se si disa protagonistë politikë të partisë në pushtet i përdorin nocionet "teori dhe praktik". Madje, edhe ministra nga kabineti qeveritar. Ata krejt çka dinë për përmbajtjen e këtyre nocioneve është se çka kanë dëgjuar shkarazi nga dikush tjetër, kryesisht mënyrës se si i përdor lideri i tyre. Vetë kurrë në jetën e tyre asnjë libër nuk e kanë lexuar që i pasqyron raportet ndërmjet këtyre dy sferave. Si ndërkëmbehen ato, etj etj. Apo kuptimin e tyre etimologjik si “theoria” dhe “praxis”. Jam i bindur se asnjëherë, as që i kanë pasur në dorë libra sikur se, “Theory and Practice” të J.Habermas-it, apo “The Life of the Mind” të H. Arendt etj etj, e lërë më për t’u ulur dhe për t’i lexuar.

Kështu, ky përdorim i fjalëve pa e ditur dhe pa e menduar kuptimin e tyre, e zhvesh gjuhën nga funksioni komunikativ inter-subjektiv. E shndërron vetëm në mjet për t’i transmetuar në mënyrë dogmatike nocionet e introjektuara pa asnjë sens kritik. Kurse ky shtrembërim i gjuhës mjerisht e prodhon edhe ideologjizimin e vetëdijes. Ngase kjo e fundit nuk është vetëm shprehje e pozicionit klasor, siç pretendonte dikur Marksi, por pikërisht edhe pasojë e çrregullimit të komunikimit. Ajo më nuk i shpreh refleksionet personale të dikujt, por bëhet vetëm mjet për të tejçuar bindjet e autoritetit. Humbet mundësia që nëpërmjet gjuhës ta njohim vetën, botën dhe të tjerët. Zhbëhet kontakti normal me shoqërinë.

Natyrisht, kjo qasje ia doli që të ketë sukses politik, për shkak të "alternativës" opozitare. Nuk mund të pritet ndonjë konkurrencë më serioze, kur brenda taborit të saj një vend kryesor përfaqësues e gëzojnë ato figura, që sipas bindjes së tyre “librat sjellin fukarallëk”. Prandaj, nuk ia vlen që të humbet kohë me to. Dhe këtu, dolën të jenë të saktë. Por jo për fatin e tyre personal. Sepse, çuditërisht nga ky qëndrim disa përfaqësues politikë të opozitës u shndërruan në oligarkë.

Mirëpo, paradoksalisht pasurimi i tyre personal u bë burim i mjerimit politik dhe shoqëror. Ngase nuk ka varfëri më të madhe shoqërore, sesa kur pushteti mbetet pa alternativë. Shoqëria "pushtohet" nga një rrëfim, një ideologji dhe një model. Kështu, vendin e dominon një frymë politike dhe disa përpjekje fragmentare të figurave opozitare që shihet se kanë për qëllim vetëm si ta ruajnë pozitën e tyre personale. Mbështetja e këtyre të fundit është vetëm mbështje e projekteve të tyre fantome. E vazhdimit të pasurimit të tyre personal dhe mjerimit shoqëror. Mungojnë kauzat politike për mobilizim të përbashkët.

Atëherë është normale që shoqëria të identifikohet me atë rrëfim që shfaqet si më unik dhe më koherent, pavarësisht se mbi çfarë premisa është i ndërtuar. Sepse është e privuar nga zgjedhje tjera.

Lajme të ngjashme