Mundësitë e pashfrytëzuara të Kosovës me aleancën me SHBA-të - NACIONALE

Mundësitë e pashfrytëzuara të Kosovës me aleancën me SHBA-të

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Afrim Kasolli

Gjatë një raportimi në seancën e Komitetit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ku u trajtua tema “Pika e Tensionit: Një Rrugë drejt Stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, ndër të tjera u diskutua edhe Kosovën. Në këtë diskutim u tha se rruga më mirë ta zgjidhur ngërçin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet anëtarësimi i së parës në NATO, e deri te konstatimet se Albin Kurti shihet si obstruksionist nga shumë burokratë të Departamentit të Shtetit. Nuk munguan as shqetësimet mbi “hemorragjinë kombëtare” të rinisë së Kosovës e cila po e braktis vendin në kërkim të një jete të më të mirë në vendet perëndimore.

Me këtë rast, eksperti i politikës së Jashtme, Max Primorax deklaroi se, “rinia e Kosovës po largohet me të madhe, ky vend ka një energji të madhe që mund të shndërrohet në potencial për vetën, rajonin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Sipas këtij eksperti, “Kosova është një vend që duhet mbështetur, ku në çdo marrëveshje më Serbinë duhet të parashihet njohja e pavarësisë së Kosovës nga Beogradi, sepse në fund të fundit është një vend 100 për qind kundër Kinës komuniste dhe Rusisë, pra dy rivalëve strategjikë global të SHBA-ve”.

Në një sërë shkrimesh, duke u bazuar pikërisht në vlerësimet e shumë ish diplomatëve amerikanë që kohë të gjatë kanë shërbyer edhe në rajon dhe janë marr me çështjen e Kosovës, se pavarësisht nga trazimet globale që po kalon bota, rrethana të tilla nëse shfrytëzohen si duhet janë një mundësi e mirë për ta përmirësuar pozicionin diplomatik të shtetit. Sepse ka qenë e ditur që nga fillimi që administrata aktuale amerikane e ka pozicionuar vetën si kundërshtare kryesore të Pekinit. Madje edhe ndryshimet gjeopolitike në kontinentin e Evropian janë pasojë e këtij riorientimi strategjik. Uashingtoni disa herë e ka bërë të qartë se siguria transatlantike e kontinentit të vjetër më nuk do jetë shqetësim primar.

Në funksion të kësaj pikëpamje, pikërisht kohë më parë në një intervistë për mediumin Evropa e Lirë, ish-diplomati amerikan, tashmë i pensionuar, Cameron Munter, kishte deklaruar se e para “Administrata e re në Uashington nuk është mike e Bashkimit Evropian. Donald Trump nuk është dikush që mendon shumë për Bashkimin Evropian. Donald Trump nuk brengoset, ai do marrëveshje. Ai do marrëveshje me Serbinë, me Hungarinë, me Rumaninë etj”. Pra thjesht ai kërkon raporte bilaterale me shtete të veçanta.

Në këtë kontekst, Kosova e gëzon një përparësi në raport me Serbinë, sepse asaj nuk i duhet të bëjë lëshime të mëdha sikur vendit fqinj, për shkak të lidhjeve të shumëfishta të Beogradit me Kinën dhe Rusinë. Vetë presioni amerikan mbi Serbinë lidhur me kompaninë e naftës NIS e dëshmon këtë. Kështu edhe “ashpërsia amerikane me Kinën do të jetë një sfidë serioze për presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq”, për shkak të pleksjes së interesave të sipër cekura.

Prandaj, e tëra që i është dashur Kosovës ka qenë vetëm intensifikimi i lidhjeve diplomatike me këtë administratë. Synim ky, që mjerisht ka dështuar. Lirisht mund të thuhet se aktualisht qasja e Prishtinës në Shtëpinë e Bardhë është inekzistente. Për më shumë, për shkak të nevojave të brendshme elektorale të partisë në pushtet, këto raporte jo vetëm që nuk erdhën duke u thelluar por fatkeqësisht rezultuan edhe në pezullimin e dialogut strategjik, duke ndikuar kështu që Kosova të mos i shfrytëzojë mundësitë e shumta të aleancës më SHBA-të, kur kanë mundur të jenë më produktive se asnjë herë tjetër./TV Arbëria/

Lajme të ngjashme