Mjerimi si përfundim i retorikës për shpëtim
Tashmë jemi në vitin e fundit qeverisës të këtij pushteti. Ai po e përmbyll mandatin ashtu siç e ka filluar, me propagandë dhe dështime. Prapakthimi është evident në të gjitha fushat, duke filluar që nga diplomacia, ekonomia, arsimi, investimet etj etj.
Shkruan: Demush Shabani
Ashtu siç pata pohuar para dy viteve, se premtimet e Lëvizjes Vetëvendosje për ta shndërruar Kosovën në parajsë, në të vërtetë mund të përfundojnë në mjerim. Sepse siç thotë një fjalë e urtë popullore "aty ku thonë se ka dredhëza shumë, merre shportën e vogël ". Kuptimi i këtij testamenti të vjetër na tregon, më mirë se asgjë tjetër, se si duhet të mbrohemi nga mashtrimi dhe retorika boshe. Ne fund të fundit historia e ka dëshmuar që rruga drejt mjerimit ka kaluar nëpërmjet premtimit për parajsë.
Nën qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, Kosova për herë të parë u sanksionua ndërkombëtarisht. Për njohje të reja as që bëhet fjalë. Kurse suksesin heroik të Njësisë Elitare të Policisë së Kosovës në përballimin e sulmit terrorist nga Serbia e ktheu në dështim poltik dhe diplomatik. Pas kësaj ngjarje, në procesin e dialogut, kryeministri Kurti u zotua për një draft-statut të Asociacionit që e rikthen rezolutën 1244 dhe i hap rrugë federalizmit dhe ndarjes së brendshme territoriale nëpërmjet autonomisë së komunitetit serb.
Për ekonomi mos të flasim. Inflacioni, rritja astronomike e çmimeve, thellimi i deficitit tregtar, shtimi i shpenzimeve qeveritare dhe rritja e varfërisë ekstreme janë vetëm disa nga "arritjet" politike të drejtimit të shtetit nga kjo koniunkturë amatore qeverisëse. Si investimi më i njohur "popullor" që do mbahet mend një urë dy metra. E pasi nuk ju mbeti asnjë alternativë, në fund filluan ta kërkojnë shpëtimin në fantazmat e vdekura të mendësisë komuniste, nëpërmjet fondit sovran. Eksperimente këto të ekonomisë së komanduar shtetërore që bota i ka varrosur me kohë. Por, që jam i bindur se edhe te ne, ky projekt nuk do ta kalojë testin e kushtetutshmërisë, sepse bie në kundërshtim të plotë me parimet e ekonomisë së tregut.
Këtë degradim total pa dyshim se e vulosi rënia në fund të pusit në sferën e arsimit. Rezultatet katastrofale në Testin Pisa e pasqyrojnë këtë fakt. Kosova u rendit gati e fundit në këtë garë me disa shtete afrikane.
Shëndetësia e sëmurë vetëm sa u përkeqësua nga eksperimentet e kryeministrit, here duke sjellë mjek nga Amerika si drejtues të këtij sektori për t'i degdisur pas pak kohe, e herë duke u bërë vetë ministër de fakto nëpërmjet komisioneve qesharake shtetërore, për të përfunduar në fund në duart e mindilit me kordel.
Nuk është e rastësishme që nën qeverisjen gati katërvjeçare të Vetëvendosjes Kosova e përjetoi në përmasa ekstreme eksodin kombëtar të rinisë drejt rrugëve të botës së madhe.
Nuk e di se kujt i shërben ky kryeministër. Por një gjë e di, se nuk është kurrë agjendë e shtetit të Kosovës konfrontimi me aleatët vendimtar në procesin e shtet-ndërtimit, sikur se janë SHBA-të. Kjo është vetëm një ëndërr e politikës revanshiste të Vuqiçit. As fuqizimi i ndarjes së brendshme dhe rezolutës 1244 nuk është interes kombëtar. Ndërkohë, zbrazja e Kosovës në përmasa të frikshme dihet se ka qenë qëllim strategjik i kahershëm armiqve tanë. Janë të njohura elaboratet e tyre për deshqiptarizmin e kësaj toke.
Kryeministër eja në vete, para se të jetë vonë. Sepse në këtë mënyrë, me ose pa vetëdije, vetëm po ia lehtëson rrugën Serbisë që ta fitojë me paqe atë që e humbi me luftë.