Mirëqenie, jo folklorizma - NACIONALE

Mirëqenie, jo folklorizma

1 javë më parë

nga NACIONALE

Opozita bën mirë të fokusohet vetëm në alternativat për zgjidhjen e problemeve të shumta në Kosovë, e të mos përfshihet në lojërat se kush është patriot e kush tradhtar. Është mjeshtri t’i shmangesh grackës së pushtetit.

Shkruan: Imer Mushkolaj

Kur kanë mbetur dy muaj e gjysmë deri në zgjedhjet parlamentare, partitë politike po e vazhdojnë fushatën në përpjekje për t’i bindur qytetarët që t’ua japin votën. Premtime nga më të ndryshmet, brenda e jashtë Kosovës, po listohen në deklaratat publike të zyrtarëve partiakë. Përderisa opozita po propozon alternativa për çështje të ndryshme dhe po kritikon pushtetin, pushteti po përpiqet t’i arsyetojë këto pretendime dhe ta dëshmojë të kundërtën. Por, edhe kjo betejë parazgjedhore nuk po iu shpëton deklarimeve se kush është patriot e kush tradhtar, kush është “njeri i Serbisë” e kush jo.

Është i papranueshëm, moralisht e politikisht, çfarëdo krahasimi i situatës në veri dhe qasjes së institucioneve kosovare atje me vitet e qeverisjes së Slobodan Milosheviqit dhe Aleksandër Rankoviqit. Krahasimet e tilla janë problematike të bëhen edhe nga qytetarë të rëndomtë, e lëre më nga politikanë. Kohët e tmerrshme të Rankoviqit e Milosheviqit nuk kanë të krahasuar me gjendjen në veri tash. Ato kohë mbeten trishtuese, kohë të torturave e vrasjeve, krimeve e dëbimeve ndaj shqiptarëve. Ato mbeten kohë që askush nuk ka dëshirë të përsëriten.

Në kohën kur vendi ka nevojë për zhvillim ekonomik e shoqëror, për arsim e shëndetësi më të mirë, për mirëqenie e punësim, është anakronike që si alternativë partitë politike të gjejnë akuza e kundërakuza për tradhti e patriotizëm. Në kohën kur qytetarët ballafaqohen me paga të ulëta krahasuar me çmime të larta, zor se mund t’iu interesojë cili është më patriot se tjetri. Është huqje politike të merresh me çështje, të cilat aspak nuk ndikojnë për të mirë në jetën e qytetarëve, por më shumë janë kiç floskula politike që ngazëllejnë militantët.

* * *

Duke u marrë me diskursin “tradhtarë-patriotë”, një pjesë e opozitës po bie në grackën e pushtetit. Në fund të mandatit katërvjeçar qeveria duhet të jep llogari për punët e bëra dhe të pabëra, duhet të jep llogari për zbatimin ose jo të programit qeverisës. Në fund të mandatit qeveria duhet t’u tregojë qytetarëve nëse i ka përmbushur premtimet – e ato nuk kanë qenë të pakta. Opozita duhet ta mbajë përgjegjëse qeverinë për dështimet, duke propozuar njëkohësisht zgjidhje për problemet. Por nëse futet në diskursin, në të cilin pushteti është i fortë, atëherë me vetëdije do të bie në grackë.

Natyrisht, jo gjithçka që ka bërë kjo qeveri, e as ato të kaluarat është keq, është zi. Veçmas në debatet për veriun dhe situatën atje duhet pasur kujdes. Duhet pranuar ajo që është përmirësuar – jo duke sulmuar e tjetërsuar, por duke shpjeguar. Tekefundit, pavarësisht çfarë thonë politikanët në Prishtinë, qytetarët që jetojnë në atë pjesë e dinë më së miri nëse diçka ka ndryshuar, për mirë a për keq.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka pasur diskurs të fortë folkloriko-patriotik. Është gabim nëse partitë rivale zgjedhin të njëjtën gjuhë. Është irrituese kur dëgjon deputetë opozitarë duke spekuluar dhe etiketuar pa kurrfarë baze, siç është irrituese të dëgjosh deputetë pushteti duke fajësuar për gjithçka qeveritë e kaluara.

* * *

Pavarësisht çfarë iu thonë partitë politike, njerëzit e dinë çfarë është mirë e çfarë keq. Andaj, janë të kota përpjekjet për t’iu hedhur atyre hi syve. Njerëzit duan jetë më të mirë, duan mirëqenie më të lartë, duan që Kosova të bëhet vend sa më i jetueshëm. Të rinjve, të cilët nuk janë të “infektuar” me folklorizëm e pseudopatriotizëm, nuk iu interesojnë armiqësitë e hershme të politikës, nuk iu interesojnë zënkat banale që nuk çojnë askund. Ata kanë nevojë për një jetë të ngjashme me moshatarët e tyre në Europë, kanë nevojë për arsim cilësor e mundësi të barabarta punësimi. Kanë nevojë për më shumë investime në teknologji të reja.

Është e lehtë të biesh në grackën e pushtetit. Mjafton t’i flasësh në gjuhën e njëjtë. Por është mjeshtri t’i shmangesh kësaj gracke. Qytetarët më 9 shkurt duhet të votojnë për ata që i bindin se do t’ua përmirësojnë jetën, jo për ata që ua vështirësojnë atë me rrëfime koti se cili është më patriot se tjetri./Dukagjini/

Lajme të ngjashme