Mes provave dhe pritjes, aktgjykimi që po mban pezull një proces historik - NACIONALE

Mes provave dhe pritjes, aktgjykimi që po mban pezull një proces historik

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Justice on Hold

Shkruan: Liriona Morina - Avokate

Vendimi i fundit i Dhomat e Specializuara të Kosovës për të shtyrë edhe për dy muaj shpalljen e aktgjykimit në çështjen ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbën një zhvillim procedural që, nga perspektiva e mbrojtjes, kërkon vlerësim të kujdesshëm juridik jo vetëm në raport me diskrecionin gjyqësor, por edhe në raport me kufijtë e tij kushtetues. Me fjalë më të thjeshta, diskrecioni gjyqësor nënkupton të drejtën që kanë gjyqtarët të marrin vendime sipas vlerësimit të tyre profesional dhe rrethanave konkrete të rastit, por kjo e drejtë nuk është absolute dhe duhet të respektojë kufijtë që përcakton ligji dhe të drejtat themelore të njeriut.

Sipas njoftimit zyrtar, trupi gjykues e ka arsyetuar shtyrjen me kompleksitetin e çështjes dhe volumin e madh të provave të administruara gjatë procesit gjyqësor, duke e zgjatur afatin e shpalljes së aktgjykimit deri më 20 korrik 2026, me theks se çdo shtyrje e mëtejshme do të jetë e arsyetuar dhe në përputhje me rregullat procedurale të gjykatave ndërkombëtare. Këto rregulla procedurale janë normat që tregojnë se si zhvillohet një proces gjyqësor ndërkombëtar, si administrohen provat, si respektohen afatet dhe si garantohet një gjykim i drejtë për të gjitha palët.

Në aspektin juridik, një arsyetim i tillë në parim është në përputhje me diskrecionin e gjykatës për të garantuar një vendim të plotë dhe të bazuar në standardin e provës përtej dyshimit të arsyeshëm. Ky standard është një nga standardet më të larta juridike në të drejtën penale dhe nënkupton se një person mund të shpallet fajtor vetëm nëse gjykata bindet se nuk ekziston ndonjë dyshim serioz apo logjik lidhur me fajësinë e tij. Megjithatë, ky diskrecion nuk mund të interpretohet si i pakufizuar, sidomos kur ai ndërvepron drejtpërdrejt me kufizimin më të rëndë të lirive themelore, masën e paraburgimit afatgjatë pa vendim përfundimtar, ashtu që shtyerja e aktgjykimit në këtë fazë nuk është një veprim neutral procedural, por një element që duhet të kalojë testin e rreptë të justifikimit objektiv, pasi çdo vonesë e re ndikon në mënyrë kumulative në të drejtën për liri dhe në parimin e prezumimit të pafajësisë, parim ky që do të thotë se çdo person konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të provohet me vendim përfundimtar të gjykatës. Ndërsa, parimi i gjykimit brenda një afati të arsyeshëm, i garantuar nga neni 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe i zhvilluar në jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nuk duhet kuptuar si standard formal, por si garanci substanciale që kërkon që shteti dhe institucionet gjyqësore të shmangin çdo situatë ku paraburgimi zgjatet përtej asaj që është absolutisht e domosdoshme. Në këtë kontekst, argumenti i kompleksitetit të çështjes, edhe pse juridikisht i arsyeshëm, nuk mund të qëndrojë i vetëm si justifikim i mjaftueshëm për zgjatjen e mëtejshme të procedurës, sidomos kur shqyrtimi gjyqësor është përmbyllur dhe gjykata ndodhet vetëm në fazën e marrjes së vendimit.

Çdo shtyerje në këtë fazë përbën një kufizim real të lirisë që duhet të balancohet në mënyrë strikte me interesin publik për një drejtësi të arsyetuar, duke e bërë proporcionalitetin, jo vetëm standard teorik, por test praktik të domosdoshëm. Në të njëjtën kohë, nuk mund të injorohet nevoja e gjykatës për të garantuar një vendim të qëndrueshëm dhe të pacenueshëm juridikisht, mirëpo kjo nevojë nuk e zëvendëson detyrimin për të respektuar kufijtë kohorë të arsyeshëm që burojnë nga standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Prandaj, shtyrja e aktgjykimit duhet të shihet me një lente kritike juridike, ku diskrecioni gjyqësor vlerësohet gjithmonë në raport me efektin e tij konkret mbi lirinë personale dhe sigurinë juridike të të akuzuarve.

Në fund, ky proces vazhdon të mbetet justice on hold, ku pesha e kohës nuk rëndon vetëm mbi të akuzuarit, por edhe mbi vetë kredibilitetin e drejtësisë ndërkombëtare. Sa më shumë që zgjatet pritja për një vendim përfundimtar, aq më shumë vihet në provë aftësia e sistemit për të ruajtur balancën mes nevojës për një aktgjykim të kujdesshëm dhe detyrimit për të garantuar drejtësi brenda një afati të arsyeshëm. Në këtë kuptim, procesi nuk matet më vetëm me rezultatin final, por edhe me mënyrën se si drejtësia administrohet në praktikë, sepse një drejtësi që vonohet përtej kufijve të arsyeshëm rrezikon të perceptohet jo si garanci e së vërtetës juridike, por si një proces i pafundëm që lë pezull jo vetëm fatin e të akuzuarve, por edhe besimin publik në standardet që drejtësia ndërkombëtare pretendon të mbrojë.

Lajme të ngjashme