Mes paqes dhe konfliktit: Lufta hibride, dezinformimi dhe rreziku ndaj vetë themelit të shtetit - NACIONALE

Mes paqes dhe konfliktit: Lufta hibride, dezinformimi dhe rreziku ndaj vetë themelit të shtetit

1 javë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Besa Kabashi - Ramaj

Kosova sot nuk përballet vetëm me sfida; ajo përballet me një provë të drejtpërdrejtë të qëndrueshmërisë së saj si shtet. Dy nga vlerësimet më serioze të sigurisë në botë, ai i komunitetit të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara për vitin 2026 dhe raporti vjetor i NATO-s, japin një mesazh të qartë: rajoni ynë mbetet i brishtë, Kosova është e ekspozuar dhe kërcënimet janë reale, në rritje dhe gjithnjë e më komplekse. Nga lufta hibride, te ndikimi i huaj dhe përdorimi i dezinformimit si armë, këto nuk janë narrativa politike, por vlerësime zyrtare të aleatëve tanë strategjikë. Në këtë kontekst, mjedisi i sigurisë në të cilin operon Kosova është shumë më i ndërlikuar sesa shpesh pranohet në debatin publik.

Rreziqet ndaj shtetit nuk burojnë më vetëm nga kërcënimet e jashtme tradicionale ushtarake apo nga kufiri, por edhe nga forma të sofistikuara të ndërhyrjes si sabotimi i infrastrukturës kritike, manipulimi i opinionit publik, sulmet kibernetike dhe delegjitimimi i institucioneve. Kjo është thelbi i luftës hibride, një realitet i sigurisë moderne që synon të destabilizojë shoqëritë nga brenda duke turbulluar vijën mes paqes dhe konfliktit. Ngjarjet konkrete e kanë bërë këtë kërcënim të prekshëm: sulmi në Banjskë dëshmoi përdorimin e aktorëve të armatosur për destabilizim, ndërsa sulmi ndaj kanalit të Ibër Lepencit tregoi se edhe infrastruktura jetike, uji, energjia dhe funksionimi bazë i shtetit, mund të jetë cak. Këto nuk janë incidente të izoluara, por sinjale të një presioni të koordinuar dhe në rritje.

Megjithatë, sfida më shqetësuese sot nuk vjen vetëm nga jashtë, por nga brenda. Kosova po përballet me një normalizim të rrezikshëm të dezinformimit në diskursin e saj publik. Narrativat e rreme nuk janë më margjinale; ato po depërtojnë në çështje themelore të shtetit, përfshirë historinë çlirimtare dhe bazën e shtetësisë sonë. Kjo nuk është çështje e lirisë së shprehjes, por e deformimit të së vërtetës në dëm të interesit shtetëror. Kur historia relativizohet, sakrifica vihet në pikëpyetje dhe e pavërteta fiton hapësirë, dobësohet vetë kohezioni i shtetit. Pikërisht në këtë terren lufta hibride është më efektive: ajo nuk i krijon dobësitë nga e para, por i shfrytëzon dhe i thellon ato.

Lufta hibride nuk fillon me tanke. Fillon me gënjeshtra, frikë dhe përçarje.

Kosova vazhdon të jetojë në një mjedis sigurie shumë më të ndërlikuar sesa e pranon shpesh debati ynë publik. Rreziqet ndaj shtetit nuk vijnë vetëm nga akterë klasik e konflikt konvencional. Sot, shtetet dhe shoqëritë dëmtohen edhe përmes dezinformimit, sabotimit të infrastrukturës kritike, nxitjes së urrejtjes, delegjitimimit të institucioneve, sulmeve kibernetike, përdorimit të akterëve të maskuar dhe manipulimit sistematik të opinionit publik. Kjo është thelbi i luftës hibride, ashtu siç e përkufizon NATO: përdorim i mjeteve ushtarake dhe joushtarake, të hapura dhe të fshehta, për ta turbulluar vijën mes paqes dhe konfliktit dhe për të destabilizuar shoqëritë nga brenda.

Kjo qasje nuk është teori. Është realiteti i sigurisë moderne. NATO e ka ngritur reziliencën, mbrojtjen civile dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike në qendër të sigurisë kolektive, pikërisht sepse kërcënimet më të mundshme sot nuk janë vetëm sulmet tradicionale, por edhe krizat e projektuara për të paralizuar shtetin dhe për të humbur besimin e qytetarëve në të vërtetën, institucionet dhe njëri tjetrin.

Kosova do të duhej të ishte më përpara në këtë kuptim. Rishikimi Strategjik i Sektorit të Sigurisë i vitit 2014 ishte momenti kur shteti ynë u përpoq ta kuptonte sigurinë në kuptimin e saj më të gjerë, si siguri e shtetit dhe e qytetarit, me nevojën për koordinim ndërinstitucional dhe kapacitete moderne. Por ajo frymë nuk u kthye në doktrinë të qëndrueshme shtetërore. U ec përpara në disa drejtime, por nuk u ndërtua një kulturë e plotë rezilience kombëtare.

Pikërisht këtu qëndron problemi. Lufta hibride funksionon më mirë aty ku ka polarizim, institucione të brishta, debat publik toksik, media të sulmuara dhe qytetarë të lodhur nga zhurma politike. Ajo nuk ka nevojë t’i shpikë të gjitha dobësitë. Mjafton t’i thellojë ato. Kjo vlen për ndikimin e jashtëm rus e serb në rajon, por vlen edhe kur aktorë të brendshëm, me vetëdije apo pa vetëdije, normalizojnë të njëjtat metoda që helmojnë demokracinë.

Çfarë janë mjetet e luftës hibride?

Mjetet kryesore të luftës hibride janë të njohura tashmë. Ato përfshijnë dezinformimin dhe operacionet psikologjike, narrativat polarizuese, frikësimin e mediave dhe të zërave kritikë, ndërhyrjet politike, sabotimin e infrastrukturës kritike, sulmet kibernetike, përdorimin e grupeve të armatosura ose aktorëve të mohueshëm, si dhe shfrytëzimin e krizave shoqërore për të krijuar hutim dhe humbje besimi. Qëllimi i tyre nuk është vetëm të fitojnë një debat. Qëllimi është të krijojnë një shoqëri ku askush nuk di më kujt t’i besojë.

Prandaj, qytetarët duhet ta kuptojnë një gjë themelore: dezinformimi nuk është thjesht “politikë e ashpër”. Ai është armë kundër gjykimit të lirë të qytetarit. Sulmi ndaj mediave nuk është thjesht “pakënaqësi me raportimin”. Ai është përpjekje për ta frikësuar hapësirën publike. Sabotimi i infrastrukturës nuk është thjesht vepër kriminale. Ai është goditje ndaj funksionimit të shtetit dhe jetës së përditshme.

Banjska dhe Ibër Lepenci e bënë të qartë se Kosova është objektiv real. Sulmi në Banjskë duhet të shihet si pjesë e spektrit të agresionit hibrid ndaj Kosovës. Aty pamë përdorim të akterëve të armatosur, mohueshmëri politike, pasojë të rëndë sigurie dhe tentativë për destabilizim të veriut. Kjo nuk ishte vetëm ngjarje kriminale. Ishte provë se Kosova përballet me forma të organizuara, të dhunshme dhe politikisht të ngarkuara të destabilizimit.

Edhe sulmi ndaj kanalit të Ibër Lepencit në nëntor 2024 duhet të hyjë qartazi në çdo analizë serioze të luftës hibride. Bashkimi Evropian e quajti “akt të neveritshëm sabotimi” ndaj infrastrukturës kritike civile, ndërsa dëmtimi preku sistemin jetik të ujit dhe furnizimin e lidhur me kapacitetet energjetike të vendit. Kur sulmohet uji, energjia dhe funksionimi bazë i shtetit, qëllimi nuk është vetëm dëmi fizik. Qëllimi është paniku, pasiguria dhe mesazhi se shteti mund të goditet aty ku dhemb më shumë.

Por rreziku nuk vjen vetëm nga jashtë. Kjo është pika ku debati ynë duhet të bëhet i ndershëm. Po, Kosova duhet të jetë vigjilente ndaj ndikimit rus dhe serb. Po, dezinformimi i jashtëm është kërcënim real. Raportet ndërkombetare kanë paralajmëruar prej vitesh se Kosova mbetet e cenueshme ndaj çrregullimeve informative, se narrativa të rreme ndikojnë opinionin publik dhe se në periudha zgjedhore dezinformimi mund të ndikojë perceptimet dhe votën.

Por një demokraci nuk dëmtohet vetëm nga propaganda e importuar. Ajo dëmtohet edhe kur politika e brendshme fillon të përdorë të njëjtat metoda: delegjitimim të kundërshtarit, etiketim të mediave si armike, nxitje të turmave kundër institucioneve, përdorim të narrativave të pavërtetuara dhe normalizim të dhunës politike. Këtu lind pyetja që qytetarët duhet ta bëjnë seriozisht: si është e mundur që në emër të “ndryshimit”, në Kosovë janë përdorur metoda që ngjajnë me logjikën e luftës hibride që e shohim te Rusia? Ngjashmëria e metodës nuk do të thotë identitet i akterit. Por dëmi demokratik mund të jetë i ngjashëm.

Çfarë metodash ka përdorur Vetëvendosje që ngjasojnë me këtë logjikë?

Së pari, ekziston çështja e dhunës politike dhe presionit jashtëinstitucional. Deputetë të Vetëvendosjes dhe opozitës së atëhershme përdorën gaz lotsjellës në Kuvend për të bllokuar punimet, dhe në vitin 2018, deputetë të VV, përfshirë Albin Kurtin, morën dënime me kusht për këtë veprim. Kjo nuk ishte rezistencë demokratike normale. Ishte mesazh se institucioni mund të paralizohet me mjete të rrezikshme kur rezultati politik nuk pëlqehet. Një kulturë e tillë nuk ndërton demokraci. Ajo e dobëson atë.

Së dyti, ekziston praktika e delegjitimimit të mediave. Në korrik 2024, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe SafeJournalists ngritën alarmin për një fushatë të rrezikshme nga zyrtarë të Vetëvendosjes kundër mediave, pasi u shpërndanë akuza se media në Kosovë gjoja kontrolloheshin nga Serbia dhe Vuçić. Në mars 2026, AGK raportoi sërish për një valë të re sulmesh ndaj gazetarëve dhe mediave të nisura nga zyrtarë të kësaj partie, përfshirë akuza të rënda e të paprovuara. Kur një pushtet përpiqet ta paraqesë median kritike si armik, ai nuk po mbron demokracinë. Ai po përpiqet ta frikësojë atë. Kjo është logjikë tipike e manipulimit të hapësirës informative.

Së treti, organizatat ndërkombëtare të lirisë së medias raportuan së fundi se liria e medias në Kosovë ka shënuar rënie që nga viti 2023 dhe se një pjesë e problemit lidhet me retorikën armiqësore ndaj gazetarëve dhe standardeve të cenuara nga partia në pushtet. Kjo është tejet serioze. Sepse lufta hibride nuk ka gjithmonë nevojë ta mbyllë median. Shpesh i mjafton ta diskreditojë, ta lodhë, ta izolojë dhe ta bëjë qytetarin të mendojë se askush nuk meriton besim.

Së katërti, zhvillimet në Kosovë tregojnë se përdorimi i dezinformimit dhe i narrativave të pavërtetuara është shfaqur në mënyrë të theksuar nga Vetëvendosje dhe strukturat e saj mbështetëse. Përmes rrjeteve sociale, grupeve partiake dhe sulmeve të pabazuara, është krijuar dhe ushqyer një mjedis ku narrativa e rreme përhapet shpejt dhe ndikon drejtpërdrejt opinionin publik. Kjo nuk është thjesht çështje debati politik, por një problem serioz për cilësinë e demokracisë. Dhe kur një forcë politike që ka ardhur në pushtet me premtimin për moral të ri ndërton dhe mirëmban një mjedis të tillë, atëherë përgjegjësia për llogaridhënie bëhet edhe më e madhe.

Pse kjo duhet t’i zgjojë qytetarët!

Qytetari i lirë nuk duhet të manipulohet që të votojë. Ai duhet të informohet. Vota e lirë nuk është thjesht hedhja e fletëvotimit në kuti. Vota e lirë nënkupton mundësinë për të gjykuar pa presion, pa propagandë, pa frikë, pa shpifje të orkestruara dhe pa helmim të qëllimshëm të debatit publik. Kur politika ushqehet me demonizim, etiketime, gjysmë të vërteta dhe sulme ndaj medias, qytetari nuk po bindet. Ai po manipulohet.

Prandaj, pyetja që duhet të mbetet pezull në ndërgjegjen publike është kjo: nëse Rusia përdor dezinformimin, përçarjen, frikësimin e mediave, mohueshmërinë dhe destabilizimin e institucioneve si armë për të dobësuar demokracitë, atëherë pse në Kosovë po tolerohen e madje po shpërblehen politikisht metoda që i ngjajnë kaq shumë kësaj logjike?

Përfudimisht, Kosova duhet t’i kundërvihet me vendosmëri luftës hibride nga jashtë. Por ajo nuk do të bëhet kurrë vërtet e vetëqëndrueshme nëse njëkohësisht lejon që brenda vendit të normalizohen dezinformimi, dhuna politike, sabotimi i së vërtetës dhe sulmet ndaj mediave. Mbrojtja e shtetit fillon me mbrojtjen e gjykimit të lirë të qytetarit. Dhe mbrojtja e votës së lirë fillon kur qytetarët refuzojnë të bëhen viktima të dezinformimit, pavarësisht se nga kush vjen ajo.

Lajme të ngjashme