Mes budallallëkut të institucioneve dhe “heroizmit” të Fatonit
Ikja nga burgu e Faton Hajrizit shkaktoi sensacion në botën shqiptare mediatike. Pra, një djalë i ri i burgosur që nga paslufta deri më sot sistemi korrigjues nuk ka arritur ta risocializoj. Si fillim kemi të bëjmë me dështim të institucionit të burgut. Ky rast dhe përsëritja e krimeve nga të burgosurit nuk po ndodhë vetëm në Kosovë por gjithandej dhe këto raste janë “kambanat që bien” për ta ndryshuar konceptin e burgut. Te rasti i Hajrizit kemi me dështimin e institucioneve që burgosja e tij e parë përgjatë administratës së UNMIK-ut e deri në momentin që ai ka ikur për herë të fundit nga burgu.
Shkruan: Zenel Miftari
Përgjatë rastit të tij janë bërë shkelje e gabime të shumta. Si fëmijë e kanë dërguar në burgun e të rriturve, ndalimi i shkollimit dhe e kanë mbajtur në izolim nga të tjerët, pra të drejta që i kanë takuar nuk i ka gëzuar e lëre më të merret ndonjë nga institucionet me risocializimin e tij. Institucionet shtetërore Fatonin e lanë në mëshirën e fatit që të bëhet “njeri i mirë”. Por ai ashtu siç ndodhë rëndomë me të gjithë edhe jashtë burgut, zakonet e këqija me kalimin e kohës bëhen edhe më të këqija.
Sociologu francez Mishel Fuko, në librin e tij “Disiplinë dhe ndëshkim” – shpjegon bukur mirë historikun e dënimeve dhe evoluimin e institucioneve ndëshkuese. Dënimet drakonike apo gjymtimi i kriminelëve, ashtu siç na mëson edhe historia nuk ka dhënë rezultatet e pritura përgjatë shekujve. Si pasojë, na duhet të mendojmë një metodë e re dhe ajo është pikërisht disiplinimi dhe riedukimi me metoda të reja i të dënuarve në burgje.
Pikërisht Fuko flet për konceptin e disiplinës, duke shqyrtuar institucione si ushtria, shkollat dhe fabrikat si vende ku ushtrohet pushteti disiplinor. Ai diskuton edhe rreth panoptikonit, i cili është një dizajn teorik i burgut që lejon mbikëqyrjen konstante të të dënuarve, si një metaforë për shoqërinë disiplinore moderne – por që e përfshin edhe në institucionet tjera korrektuese apo edukuese. Nga koncepti i panoptikonit nënkuptojmë një formë të re të pushtetit që përfshin autodisiplinimin dhe vetë-kontrollin.
Pasi shteti dështoi me risocializimin e Fatonit dhe ai u kriminalizua edhe më shumë, shtetit ju kthye bumerang anashkalimi i rasteve të tij. Por edhe sa raste të tjera si Fatoni kemi në Kosovë? Qeveria, shoqëria civile bashkë me gazetarët dhe ndërkombëtarët, për një mend duhet të përveshin mëngët e të merren më seriozisht me raste të tilla të mos përsëriten në të njëjtën apo tjetrën mënyrë. Këtu duhet të fokusohen më shumë në aspektin e rritjes së sigurisë në burgje, evidentimi më i drejtë dhe i saktë i të burgosurve dhe trajtimi i tyre në aspektin psiko-fizik.
Por ato që duhet të angazhohen në nisma të tilla, duhet ta dinë se provincializmin politik duhet ta lënë pas. Ajo që duhet t’i shtyjë më tutje është kultura e lartë politike që duhet të bazohet në mirëkuptim përkundër mendimeve të llojllojshme mes shoqërisë.
Por pyetja që po bredhë më së shumti është se veprimi i Faton Hajrizit a ishte heroizëm apo akt ordiner kriminal. Por pyetja që dua ta shtroj është se kush është hero për ne dhe çka quajmë ne hero? Zakonisht hero quhet një njeri që sakrifikon veten për të mirën e të tjerëve ashtu si në popujt e lashtë që një “hero” i tillë ishte edhe hyjnor apo Zot. Heroizmi dhe guximi nuk janë një dhe e njëjta gjë: guximi mund të jetë pa heroizëm, por heroizmi i përmban të dyja: edhe guximin, që është një forcë e verbër e natyrës edhe një ide, e cila është ideja e një gjeniu të ndërgjegjshëm dhe të mirë.
Pra, heroizëm nuk do të thotë guxim momental, por përkushtimi i pakufishëm ndaj një ideali. Kjo mund të jetë ideja e atdheut, fesë, shoqërisë, familjes, paqes brenda shtëpisë apo edhe dashurisë për një grua. Pra, çdo njëri prej nesh që është qytetar i ndershëm dhe i përkushtuar mund të jetë një hero. Por assesi një person që i bënë dëm shoqërisë, shtetit dhe familjes. I cili pas vdekjes së tij, persona të shumtë rreth tij dhe Kosova do të bartë pasojat e veprimit të tij të pamatur.
* Autori është gazetar në Maqedoninë e Veriut.