Mendësia e “Qerosit në botën e poshtme” në krye të PDK-së - NACIONALE

Mendësia e “Qerosit në botën e poshtme” në krye të PDK-së

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Afrim Kasolli

Ato pohime që para pak dite dukeshin si të vagullta dhe nebuloze, kanë filluar të kristalizohen gjithnjë e me tepër, si qëndrim zyrtar i PDK-së. Drejtuesit e këtij subjekti politik kanë filluar edhe me shumë t’i mëshojnë idesë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sipas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Madje, pa kërkuar hapur, që themelimi i këtij entiteti të mund të bëhet vetëm si pjesë e pakos së një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë. Pata shkruar edhe para pak ditë për këtë qëndrim të ri politik të PDK-së. Si dhe për kohën kur ajo po artikulohet gjithnjë e më zëshëm.

Nuk ka dyshim se ky “zgjim” politik i këtij formacioni për këtë temë, po ndodhë në një kohë kur presioni ndërkombëtar mbi institucionet vendore për krijimin e Asociacionit ka arritur kulmin. Sepse, deri më tani zyrtarët e kësaj partie kanë qenë të kujdesshëm në prononcimet e tyre lidhur me këtë çështje. Që nga koha kur janë në opozitë, ata vazhdimisht pohonin, se janë për një marrëveshje me Serbinë në qendër të së cilës është njohja reciproke, por duke e shmangur me mjeshtëri deklarimin për pataten e nxehtë.

E në dallim nga qëndrimet e sofistikuara të mëhershme, tani kanë filluar të flasin qartë pro kësaj teme. Mbase ky ndërrim i beftë i pozicionit politik të PDK-së, mund të jetë i motivuar nga kalkulime taktike për ta sinkronizuar sa më shumë që të jetë e mundur gjuhën e tyre me atë të diplomatëve ndërkombëtarë. Dhe për të krijuar përshtypjen në opinionin publik se kjo parti vazhdon të mbetet besnike ndaj qëndrimeve të aleatëve perëndimorë, për dallim nga pushteti që po i acaron këto raporte.

Mirëpo, argumente të tilla mund të vuajnë nga disa kontradikta serioze politike. Sepse tjetër është arsyeja që shtetet perëndimore po e kërkojnë sa më shpejt zbatimin e obligimeve që ka marrë shteti i Kosovës në negociatat në Bruksel. Dhe tjetër është gabimi që kishte bërë pala kosovare kur e kishte pranuar ta themelonte këtë strukturë të çuditshme juridike dhe politike në kuadër të rendit kushtetues të Kosovës. Kam shkruar edhe më herët për qëllimet politike të Asociacionit. Dhe kam pohuar se kërkesa për themelimin e tij ishte kërkesë e Serbisë, si pjesë e planeve të saj për shtim të levave të pushtetit të Beogradit mbi territorin e Kosovës. Dhe me anë të këtij projekti nuk mëtohej t’i përmirësoheshin të drejtat politike, civile dhe kulturore të serbëve në Kosovë, sepse ata tashmë të gjitha këto të drejta i kanë.

E bashkësia ndërkombëtare fillojë ta kërkojë më ngulm themelimin e këtij entiteti vetëm pasi Kosova si shtet u zotua ndërkombëtarisht se do ta bëjë një gjë të tillë. Pra diplomatët ndërkombëtarë nuk kanë punë me parti të veçanta në Kosovë, por me premtimet e këtij shteti në raport me parimet e së drejtës ndërkombëtare. Kurse ne duhet t’i qasemi gjeanologjisë së këtij projekti ndryshe. Duke e mos e shqitur nga mendja se origjina e kësaj ideje ndodhet dikund tjetër. Madje, supozoj ndonëse informata të sakta nuk kam, se kjo edhe ishte arseja, që ish-presidenti Thaçi, në fund filloi të kërkonte alternativa tjera për të dalur prej kësaj situate, sikurse afirmimi i projektit për korrigjimin e kufijve. Mirëpo, tash gjithçka ishte vonë. Sepse, hapja e kësaj teme kërkonte një konsensus të madh kombëtar. Ajo nuk arriti të bëhej. Dhe erdhëm në këtë situatë si erdhëm.

Po ashtu, pata pohuar para pak dite, se këtu nuk duhet përjashtuar skenarin se në këtë mënyrë PDK po dëshiron të transmetojë mesazhe para diplomatëve ndërkombëtarë se ata nuk e kanë problem plotësimin e kësaj kërkese, me kusht që të shpëtojnë nga rënia politike ku janë katandisur tash e sa kohë. E të rikthehen edhe një herë në majat kulmore të pushtetit. Sepse insistimi në këtë temë po ndodhë në të njëjtën kohë kur janë shtuar tensionet ndërmjet pushtetit dhe vendeve perëndimore si dhe LDK-ja ka filluar të shihet gjithnjë e më shumë në opinionin publik si alternativë ndaj pushtetit aktual.

Sidoqoftë, kjo mani ku shpresa për rikthim nuk ndërtohet mbi bazën e reformave të brendshme dhe rifitimit të zemrave dhe mendjes së shumicës qytetarëve të Kosovës, por me anë të pakteve të jashtme është njëri nga gabimet më të tmerrshme strategjike të drejtueseve të kësaj partie. Në shumëçka ajo i ngjason universit mitologjik të “Qerosit në botën e poshtme” që e ka trajtuar shkrimtari i ynë i njohur Ismail Kadare, në veprën e tij “Ftesë në Studio”.

Gjeniu ynë i letrave, me anë të këtij rrëfimi “sa të thjesht po aq madhështor” tregon për një “qeros që në një natë rrëzohet në një vrimë dhe bie në botën e poshtme” Ai fillimisht jeton në atë botë, por me kalimin e kohës e pushton malli për t’u rikthyer përsëri lartë. Mirëpo ky mision i duket i pamundur. Vërtitet kot andej këndej. Në fund një plak e këshillon se ç’duhet të bëjë. “Është një zhgabonjë” i thotë plaku “ që mund të të çojë atje, veçse rruga e ngjitjes është e largët dhe zhgabonja gjatë gjithë fluturimit duhet të ushqehet me mish” Qerosi pajtohet me kushtet dhe bën pakt me zhgabonjën. Fatkeqësisht fluturimi zgjat më shumë se ç’pandehej dhe mishi që e kishte rezervuar Qerosi mbaron. Kështu “Qerosi është i detyruar që të pres copa të mishit nga trupi i tij për ta ushqyer zhgabonjën, përndryshe ajo do ta lëshojë drejt skëterrës. Kjo përsëritet shume herë. Dhe kur Qerosi mbërrin në botën e sipërme mund të përfytyrohet se çka ndodhur, “ai nuk është veçse një skelet në krahët e një zhgabonje dhe njerëzit që e shikojnë këtë skelet thërrasin: shikoni një të vdekur në krahët e një shkabe”. Prandaj thotë Kadare, “është e vështirë të gjendet një strukturë më e përshtatshme për të dhënë dramën e njeriut që për t’u ngjitur nga fatkeqësia ku ka rënë është i gatshëm për gjithçka.

Mesazhi është i qartë; dëshira të tilla të ethshme për rikthim me çdo kusht nuk mund te jenë të shëndetshme. Dhe se ato vetëm sa mund ta agravojnë zgavrimin e atyre që janë pushtuar nga tundime të tilla. Madje dallimi është, se deri sa Qerosi kishte rënë aksidentalisht në humnerë, kurse eksponentët e kësaj partie, duhet ta kenë të qartë se humbja e tyre politike dhe elektorale, nuk ishte aksidentale. E njëri nga këto shkaqe ishte edhe pranimi i Asociacionit

Lajme të ngjashme