Mehmeti, mimikëria e pesë bukëve
Col Mehmeti
Mehmet Korroticës në kohë të luftës i ra për hise me u strehue në një shpí në Kolovicë, atje në skaj Prishtine.
Ngreha njëkatëshe ku u vendos me robtë e tij ndodhej në të njejtin oborr me shpín e rregulluar të pronarit.
Mehmeti drenicak, një burrë thatim nga shtati, dinte t’i lexonte mirë njerëzit.
Kjo ishte dhuntia e vetme e tij e jo ai pak shkollim fillor për të cilin kush nuk e bënte mall.
Qysh në ditët e para të jetës refugjate, sytë e shkathët picërrues të Mehmetit vunë re se i zoti i shpís, në dhomën kryesore, mbante një portret të kornizuar të Adem Demaçit.
Prejse mbahet mend, demaçistët, nëse guxojmë të sajojmë një fjalë të re, kanë qenë një pakicë sa troha në Kosovë.
Për nga simpatitë e tij politike, Mehmeti mbahej si lëdëkist i zellshëm, dhe, siç dihet, shumë prej tyre nuk e shihnin me sy Ademin.
Por rrethanat tani po e shtrëngonin për një kompromis të vogël.
“Eh, lum shqiptaria që e ka bacin Adem”, i tha një ditë zotit të shpís sa për ta testuar e për t’i hyrë në zemër.
Nikoqiri, një burrë bujar e esnaf me sjellje, mbeti pak i shtangur se vërtet numëroheshin me gishta të dorës ata që ruanin simpati për njeriun që kaloi aq shumë vite në burg.
Nemitja e tij u pasua me një buzëqeshje që si rrallëherë ia zdriti fytyrën serioze prapa xhamave të errët të syzeve.
Kaq mjaftoi që Mehmeti ekspedient ta zgjidhte gjuhën e të fliste për Ademin si simbol shqiptarizme, si rilindës e si shqiptar i kulluar.
E dinte që sa më shumë mbiemra të përdorte, aq më fort flatronte pronari.
I zoti i shpís, çakërrqejf, vetëm sa ia bënte me kokë e ia rrihte shpatullat “O të lumtë goja, bre mik”.
Për pak u shkëput nga Mehmet epitetdhënësi, doli në sokak nxitimthi dhe, pa u vonuar, u kthye nga furra e lagjes me pesë bukë të nxehta valë.
Dhe këtë nisi ta bënte përditë për drenicakun e robtë e tij.
Edhe Mehmetin thatim asnjëherë nuk e tradhtonte goja me fjalët e tij laudatore për Ademin. I kishte në majë të gjuhës fjalët e mëdha, i përmendte të bâmat e tij, burgun e gjatë dhe qëndrimet e tij të paepura.
“Çfarë Rugove, çfarë bakrraçi! Kjo Kosovë veç nji Adem e ka”, thoshte qesim para nikoqirit që i bëhej zemra mal.
Pronari në shtatë palë qejfe mendonte me vete se ja, më në fund, mirënjohja popullore po ia jepte hakun tribunit popullor.
Kështu, fotografia e Adem Demaçit e fjalët glorifikuese për të i sillnin çdo mëngjes Mehmetit nga pesë bukë taze.
Kjo historizë nga 1998-a e meriton të riaktualizohet për një arsye përtejanekdotike.
Ne besojmë naivisht se gjindja nuk lëshon pé, se idolatria politike krijon gardhe e fesate mes njerëzve, madje shpesh bëjmë kujdes që të mos lëndojmë ndjeshmëritë e tilla. Heqim për mend, pra!
Sepse idiosinkracia popullore është krejt tjetërfare.
Idhujtaria partiake është veçse çmimi fillestar i pazarit societal.
Përtej partizanit të sertë fshihet një kalkulant i ftohtë, dhe është koha që kjo të kuptohet në brutalitetin e vet.
Njësoj si Mehmeti ynë që e këmbente pa dhimtë Rugovën për Demaçin kur ky i sillte pesë bukë taze, edhe sot njerëzit i picërrojnë sytë në bursën e interesave.
Besnikëria e djeshme tregtohet saora kur pazari e han më shumë për Albinin.
Dhe pushteti pesëdhjetë e një përqindësh është një dorëzan më i mirë sigurie sesa çdo pushtet i derisotëm.
Kur themi se njerëzia iriten nga ky apo ai politikan, ne vetëm se kemi vënë në lojë padashje atë ngushëllim që nuk na i shpërpush anët tona të errëta si qenie kalkulante.
Nuk duam ta ngacmojmë atë pjesë të errët që është e prirur për të manipuluar të tjerët, sidomos politikanët.
Kur njerëzia shpesh qahen se “askush nga institucionet nuk po na viziton”, kjo nuk ka të bëjë edhe aq me një rrëfim të nëpërkëmburish që kanë mbetur pa dorën kujdestare të shtetit a pushtetit lokal.
Në plot raste, psherëtima ankimtare “ata nuk po na vizitojnë” poshtë vete ka ca titra ku lexohet: “Nuk më erdhi kush në derë që ta manipuloja…”
T’ia hedh tjetrit para se të ma hedhë. Ta kam mirë me fjalë që nuk kushtojnë asgjë. Të betohem ndryshe me gjuhë e ndryshe me zemër!
Ky është morali i korruptuar aq i kapilarizuar në katet e poshtme të banesës shoqërore.
Ai sikur thotë: Thaçin e këmbej për Albinin dhe Albinit nuk do t’ia shoh sytë sapo ta gjej erifin tjetër me të cilin më del hesapi më mirë.
Një lexim i ngushtë mbase do t’i jepte të drejtë kësaj mimikërie, meqë njerëzia është në të drejtën e saj të hidhet në krahët e atij politikani me ofertën më të mirë.
Por, kjo është një mimikëri adaptive që është negacion i një kontrate të njëmendët politike – relatat shoqërore nuk mund të urëzohen pa një minimum besimi!
Koineja shoqërore, siç na mësonte Platoni dikur, krijohet mes njerëzish që i besojnë njëri-tjetrit.
Ata që sot janë në radhët e para të fanatikëve të regjimit, nuk është se po vihen në lëvizje edhe aq nga besimet e tyre e as nga aktualizimi i tyre brenda një realiteti të ri më të mirë se dikur.
Të jesh sot albinkurtist fanatik nuk është bash-bash si me pesë bukët e Mehmetit dhe fjalët laudatore për Ademin.
Albinkurtist domethënë të kesh fituar licensën morale për t’u revanshuar ndaj gjithë atyre që ishin në listën e njerëzve të urryer.
E kush na janë ata dushmanë?
Janë ata që u eci fati në jetë, ata që çanë ravat e jetës me punë e djersë, ata që rrezikuan, dhe që dikur me duart e tyre krijuan kalatë e bereqetit.
Nën hijen e tyre ishin ata njerëz ziliqarë që nuk i hoqën duart nga xhepi i kotësisë e që pëlqyen ta lidhin dështimin e tyre me suksesin e pamerituar të tjerëve.
Nganjëherë, kaleidoskopi njerëzor në Kosovë nuk kapet as nga sondazhe e as nga intervistime.
Po ta merrnim në të sotmen, Mehmet Korrotica i 1998-s nuk do të parashikohej kurrën e kurrës edhe nëse do të thoshte se do ta votojë Albinin në zgjedhjet e radhës.
Gjasat i ka vetëm ajo parti që argaset me marifetet e mimikëritë e Mehmetëve…