Marrëveshja që po denormalizon PDK-në - NACIONALE

Marrëveshja që po denormalizon PDK-në

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Afrim Kasolli

Kakofonia dhe konfuzioni brenda PDK-së, për të cilën kam shkruar edhe herë tjera, lidhur me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tashmë ka filluar të marrë përmasat e një çarjeje të theksuar politike. Është interesant se ky dallim po kristalizohet si konflikt ndërmjet gjeneratave. Ndonëse, a është marrëveshja ndërmjet A.Kurtit dhe A.Vuciqit shkaku i vërtetë i këtij tensioni, apo ajo po përdoret vetëm si pretekst për shkak të rivaliteteve të brendshme për pushtet partiak, kjo është ende e paqartë.

E tëra filloi nga një reagim i nënkryetarit Sami Lushtaku. Që si duket ai reagim ishte shkruar nga një mbledhi në një odë të Drenicës në një pritje të organizuar për disa luftëtararë nga Kosova që kishin qenë pjesë e luftës në Kroaci. Sepse të dy postimet u bënë brenda një harku të shkurtër kohor.

Ky reagim ishte paksa i çuditshëm. Thirrja fillonte me fjalët jemi në Drenica, pastaj PDK dhe në fund qytetarët që duhet të jenë prijëse të këtij procesi. Pra ndonëse ai ishte i drejtuar kundër Albin Kurtit, megjithatë sikur ia përkujtonte veçanerisht strukturave drejtuese të partisë, që është e para Drenica, pastaj vjen partia për të vendosur për këto gjëra. Kjo mënyrë e komunikimit mbase mund të jetë pasojë e pakënaqësisë së tij me hapësirën dhe pushtetin që e ka veçanërisht në qendër dhe atë në Komunën e Prishtinës ku PDK është në koalicion qeverisës. Prandaj, edhe ua ka përkujtuar se Drenica vjen para PDK dhe qytetarëve e jo ata që sillen rreth kafiterisë Bon Vivant, por të cilët për shkak të mundësive që i ofron pushteti në kryeqytet, pakrahasimisht kanë privilegje më të mëdha se ai që të ofron në Skenderaj.

Seria e reagimeve të tilla u pasua nga ajo e një veterani tjetër të partisë Xhavit Haliti. Ky duke dashur ta diskriditonte rezistencën dhe refuzimin që janë duke i bërë kryetari i partisë me shokë kësaj marrëveshje, pohoi se po të ishte Thaçi këtu "moti do ta kishte nënshkruar planin evropian për normalizim". Logjikisht kjo i bie që ata që sot janë duke e kundërshtuar këtë plan janë duke e mbrojtur më shumë Albin Kurtin e djeshëm se sa Hashim Thaçin e tillë. Mirëpo, me këtë qasje ai vetëm sa e dëmtojë këtë të fundit. Sepse, kushdo që do ta pranonte një marrëveshje të tillë pa asnjë hezitim, aq me keq për të. Por edhe Xhavit Haliti e ka një pakënaqësi të hershme me partinë, që nga koha kur e privuan ta gëzonte pozitën e nënkryetarit të Kuvendit. Sepse kështu morën fund ëndërrat e tij për një pleqëri politike të rehatshme që ta ofron një pozitë e tillë.

Pro këtij plani nuk kishte si të mos ishte Enver Hoxhaj. Frustrimi i tij me grupin Bon Vivant është i kuptueshëm. Ai i cili e mban vetën si profesor i partisë u largua turpshëm nga drejtimi i saj për shkak të këtij grupi. Madje pasi nuk e realizoi qëllimin e tij jetësor politik për të bërë lider, u detyrua të mbaj një fjalim gati mazohist, se si ai nuk e paska dashur kurrë një post të tillë, sepse çdo herë ka qenë urë e rinisë. Çfarë vetëmashtrimi bizar. E sot nuk i ka mbetur tjetër pos që në studio televizive ta shpall si interes nacional këtë dokument. Pra që partia e tij me këtë refuzim është duke i tradhetuar këto interesa.

Vështirësitë e kësaj partie për të ndërtuar një qëndrim për dialogun si dhe për këtë marrëveshje, mund të kenë edhe shkaqe më të thella. E vërteta është se kjo parti kurrë nuk është marrë kolektivisht me këtë temë. Me dialogun është marrë vetëm Hashim Thaçi. Kurse vendin e tij vakant nuk ka kush ta kompensojë. E mosmarrëveshjet për këtë temë që po marrin pamjen e konfliktit të gjeneratave mund të jenë të nxitura nga rivalitetet dhe apetitet për zbrastësinë e tij.

Kështu, brezi i vjetër mbase mund të kalkulojnë se ky refuzim do ta mbajë PDK-në edhe për një kohë të gjatë larg pushtetit. Dhe se ata mund ta mbyllin përgjithmonë karrierën politike nën hije. Kurse grupi Bon Vivant shpreson se duke qenë në moshë relativisht të re, kanë kohë të presin. Prandaj duke e mbajtur partinë larg pushtetit; një shpresojnë ta fitojnë një aureolë "heroike " duke kundërshtuar një marrëveshje të dëmshme për Kosovën, dhe dy gradualisht ta margjinalizojnë kastën e vjetër përgjithmonë nga partia, që të fitojnë pushtet absolut brenda saj. Një përfytrim trishtues ky për veteranet e partisë për ta mbyllur karrierën politike tash e tutje përjetësisht si opozitar. E duke imagjinuar se si ata që dikur ishin asistentet e tyre mund të bëhen sundimtarë në atë entitet qe e këta e themeluan dhe krijuan.

Lajme të ngjashme