Kurti në shërbim të Prokurorisë: Pasojat e deklaratave të paramenduara
Shkruan: Sali Rexhaj
Deklarata e fundit e Albin Kurti, sipas së cilës z. Hashim Thaçi dhe të tjerët japin udhëzime nga Haga, përbën një mbështetje të drejtpërdrejtë për prokurorinë e Dhomave të Specializuara.
Prej kohësh ekziston një akuzë ndaj Thaçit dhe disa ish-bashkëpunëtorëve të tij, sipas së cilës ata janë përpjekur të ndikojnë mbi dëshmitarët përmes udhëzimeve që kanë marrë nga paraburgimi. Kjo akuzë e ka vështirësuar ndjeshëm pozitën e tyre ligjore. Përveç se paraqet një çështje të veçantë penale, ajo ndikon fuqishëm në perceptimin e gjyqtarëve, të cilët mund ta shohin si dëshmi shtesë të fajësisë – si përpjekje për të penguar zbardhjen e së vërtetës përmes frikësimit të dëshmitarëve.
Në të njëjtën kohë, disa zëra publikë që prej kohësh zhvillojnë fushata kundër Dhomave të Specializuara, disa për interesa personale, të tjerë për protagonizëm mediatik. pa vetëdije po kontribuojnë në forcimin e pozitës së prokurorisë. Kjo sepse gjykatat perëndimore nuk i nënshtrohen presionit mediatik apo militantëve partiakë, përkundrazi, këto përpjekje mund të interpretohen si pengesë për drejtësinë.
Deri me tani gjykata ka denuar njerez per krime të luftës, ka denuar njerez edhe për pengim të drejtësise. Prandaj vazhdimi i ketyre sulmeve është komplet në të mirë te prokurorisë dhë atyre të cilet e duan denimin e Thaqit e shokëve të tij.
Për më tepër, është e pabazë dhe e papërgjegjshme të thuhet se të arrestuarve po u shkelen të drejtat e njeriut. Thaçi dhe të tjerët kanë qasje në ushqim, kujdes shëndetësor, avokatë dhe kontakte të rregullta me familjarët. Kjo përbën një standard të pranueshëm në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ndërkohë, dihet mirë se ata që kaluan nëpër burgjet e UÇK-së nuk gëzonin asnjërën nga këto të drejta: as ushqim, as mbrojtje ligjore, as kontakte me familjen – përkundrazi, shumë prej tyre u trajtuan mizorisht, e disa u vranë pa gjykim.
Prandaj, duhet maturi në raport me Gjykatën Speciale. Akuzat e pabazuara, fyerjet publike dhe tentativat për ta delegjitimuar këtë institucion mund të rezultojnë në përkeqësim të kushteve për të akuzuarit dhe rritje të mundësisë për shpallje fajësie.
Është e qartë se Kurti vepron në sinkron me qëllimet e prokurorisë, për ta ruajtur pushtetin e vet politik. Por ajo që mbetet e pashpjegueshme është sjellja e disa “mbështetësve” të Thaçit dhe bashkëmendimtarëve të tij, të cilët, ndonëse pretendojnë se e kundërshtojnë këtë proces, në realitet po e ndihmojnë atë. Kjo s’mund të quhet ndryshe veçse naivitet i dëmshëm.