Kur Albin Kurti dhe LVV humbin arsyen dhe Kosova rrezikon të ardhmen
Shkruan: Shenoll Muharremi
Nuk ka tashmë dilemë e as hapësirë për diskutime që Gjykata Kushtetuese ka thënë qartë se për zhbllokimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve, partia e parë duhet të krijojë shumicën. Pra, nuk mjafton me i fitu zgjedhjet, por duhet me pas shumicë në parlament.
As kryetarin e Kuvendit, as formën e votimit, as asgjë, absolutisht asgjë, në këto kushte nuk mundesh me bë pa shumicë parlamentare.
Kjo e vendos LVV-në dhe Albin Kurtin si përgjegjësit kryesorë për bllokadën dhe krizën, sepse ata e kanë në dorë edhe zhbllokimin e saj. Ky fakt nuk ka me ndryshu asnjëherë, edhe me qindra konferenca për media, propagandë politike apo PR.
Prandaj, kjo që po ndodh, sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është totalisht tragjike për vendin. Me vetëdije të plotë po mbahet vendi i paralizuar dhe i bllokuar për interesa të ngushta bizare.
Kjo tregon gjithashtu që Albin Kurti dhe LVV e kanë humbur kontaktin me realitetin, por edhe arsyen dhe logjikën. Ata tash jo vetëm që po i bëjnë dëme të mëdha Kosovës, por edhe vetes së tyre. Ndëshkimi nga kjo që po ndodh mund të jetë jashtëzakonisht i lartë në zgjedhjet e ardhshme lokale dhe nacionale që janë të pashmangshme. Legjitimiteti i partisë dhe besimi në LVV po humbë me shpejtësi të dritës kohën e fundit.
Kosova, e cila është në kriza të shumta sikurse në energji, ekonomi, importe dhe deficit, njohje të reja, inflacion astronomik, rrugën drejt BE-së, lëkundje të përkrahjes dhe aleancave ndërkombëtare po stagnon edhe më shumë me këtë paralizë të fundit, e cila nuk dihet si do të përfundojë. Po rrezikohet e tashmja dhe e ardhmja dhe po futemi në faza të pasigurive të larta kushtetuese dhe institucionale kur bota është e trazuar dhe në tranzicion.
Kosova për këtë do të mbajë përgjegjës një njeri dhe një parti, Albin Kurtin dhe LVV-në. Pavarësisht kësaj, një pjesë e dëmit që po i shkaktohet shtetit, ekonomisë, familjeve dhe qytetarëve do të jetë i pariparueshëm në të ardhmen. Diçka ndoshta edhe mund të sanohet, por jo e tëra.
Kështu, Kosova nuk ka më nevojë për një regjim armiqësor në Beograd apo ndonjë të jashtëm, kur ajo po e pengon vetveten të ketë zhvillim dhe jetë normale institucionale e socio-ekonomike. Në këto moment, e keqja më e madhe e Kosovës është politika e saj absurde e pa arsyeshme vetëshkatërruese.
Efekti afatgjatë do të jetë humbja e shpresës dhe migrimi. Kosova do të vazhdojë të zbrazet, kryesisht nga depresioni politik dhe vendimet e qëndrimet absurde, jo të arsyeshme, ndërkohë që ekonomia e saj do të bëhet edhe më e varur nga importet, pasi këto nuk janë më kushte të favorshme ekonomike. Kjo është një fatkeqësi me elemente të tragjedisë për shkak se investimet që janë bërë për të arritur deri këtu janë kolosale nga e gjithë bota.