Kritikë ftesave selektive
Një thënie e famshme pa autor të identifikuar thotë paksa me ironi: “Çdokush që nuk është një socialist në të njëzetat është i pashpirt. Sikundër, çdokush që vazhdon të jetë i tillë në të katërdhjetat nuk ka kokë.” Ja që, sado e vërtetë edhe kjo thënie takohet me teste të qëndrueshmërisë dhe shkon e rrëzohet bash në Kosovën tonë. Më saktësisht në krahun rinor të Lëvizjes Vetëvendosje, gjirin e pambarim të socialistëve të rinj pa zemër për të përbashktën e idealit të tyre e plot tru për kalkulime politike në fletoret e udhëheqësisë së partisë, se fatkeqësisht as në të tyret jo.
Shkruan: Kreshnik Beqiri
Këta të rinj, me datë 25 qershor, skuqën ambientin e gjelbër të Hotel Emerald për të pritur të rinj dhe të reja nga Evropa e rajoni që të diskutonin socialdemokracinë dhe të ardhmen e saj. E kuqja me të gjelbertën s’qe kontrasti më i madh i këtij eventi, por fakti që mes partive simotra të ftuara rreth tryezës së panelit mund të shihnim Partinë Socialiste të Serbisë—por jo edhe atë të Shqipërisë. Ky artikull shpalos opinionin tim mbi këtë çështje që shpërfaq imazhin e vërtetë të organizatave rinore pranë partive politike e i cili është një dritare e vogël ku partitë shfaqin atë çka nuk mund ta shfaqin në ekranin e madh duke i bindur të rinjtë të veprojnë me direktiva të tyre e jo me aktivizmin politik që qëllim te vetëm ka shtyerjen para të rinisë pa parë majtas e djathtas për instruksione elitash partiake.
S’mund të them me gojën plot se organizatorët e kësaj Konference nuk kanë ftuar zyrtarisht forumin rinor të Partisë Socialiste të Shqipërisë, se pastaj mund të tingëlloj tendencioz. Por, të jeni të bindur se kur i pyeta një nga një personalisht—asnjë nga organizatorët e kësaj Konference nuk qe i gatshëm të më përgjigjet dhe ponjëlloj nuk qenë të gatshëm as struktura partiake nëpërmjet email-it tim. Bërja publike e paneleve të diskutimit veçse e konfirmon mosprezencën e FRESSH-it, ndërkaq heshtja mungesën e ftesës drejt tyre. Pastër si loti, kryeministri Edi Rama e ai Albin Kurti kanë pasur qëndrime thellësisht të kundërta si homologë të dy vendeve veçanërisht për dialogun e Kosovës me Serbinë. E pastaj kjo tragjedia e dy partive që na ndakan ideale të njejta e s’mund të përputhen as në krahun rinor vie vetëm e vetëm pse rinia organizatore udhëzohet të bishtëroj ‘hakmarrje’ ndaj çdokujt që i del ‘kundër’ të parit të tyre. Ta dinë qartë e drejtë se një çasje e tillë nuk i bën nder as atyre, as të parit të tyre, sikundër s’i bën nder as idealeve të tyre që kaq pa zemër po u shkojnë pas. Ua kujtoj se kjo çasje shpërfaq lirshëm dhe qartë identitetin e tyre prej të indoktrinuarëve të tradhtuar siç preferoj t’i quaj; të nxehurit plot vrull me Bashkim Kombëtar dikur e të kthyerit verbërisht vegël e indoktrinuesit veç lufta mangu për konsume të brendshme politike pikërisht me ata që deshën plot zemër tu bashkoheshin—duke i sharë, pshtyrë e ofenduar pa pikë reflektimi e përgjegjësie me plot inat e ambicie të kota politike. E mos Zot më keq, duke e larguar krejtësisht nga mendjet e mjegullta nga politika ditore—idealin e moçëm të këtij bashkimi.
Pastaj shkuan dhe bënë një hap para duke ftuar në panel zonjën Klara Sanduloviç, socialdemokraten e Partisë Socialdemokrate Serbe. Këtë e bënë me një hipokrizi të llahtashme, duke proklamuar se një gjë e tillë shërben për të ngritur nivelin e mirëkuptimit me komshinjtë matanë në veri. Sinqerisht thënë, bënë mire e patën të drejtë—se ne pa rrugë tjetër duhet të mbarojmë punë në dialog më mirë para se vonë. Në çdo lloj forme pa u drejtuar ndërkombtarëve pyetjet kur dhe pse, por vetëm si. Megjithatë, jo duke hapur perëzemërisht derën që me a pa dëshirë duhej hapur, teksa përplas për hundëve derën e atyre që ta treguan atë derë në radhë të parë; Kryeministrit Rama dhe qeverisë shqiptare. Se pastaj i bie, siç thotë ajo fjala e moçme: ta shash kalin! Pra, mu desh të mësoja nga guximi yt për të lëvizur para me një mendim jopopullor në vendin tim e pastaj vazhdova me mish e me shpirt të të persekutoj si tradhtar kombi e vëlla Vuçiçi. Dhe do të vazhdoj të bëj kështu se s’ma lejon sedra të të trajtoj ndryshe, po prapë se prapë do të vazhdoj që çdo hap të radhës në politikën e jashtme ta bëj në bazë të mësimeve tua prej ‘tradhtari shekullor’.
Ka kohë që kam dashur të flas fjalën time lidhur me të rinj të tillë që zgjedhin të hyjnë në politikë nëpërmjet dyerve të ngushta e të shkurta, ku duhet të përkulesh që të hysh se s’mundesh tjetër. S’mund të ik pa thën se hiç më mirë s’qëndrojnë edhe forumet e tjera rinore ama kjo drama e fundit e ‘pushtetarëve’ qe pika e fundit e pusit të stërmbushur me zhgënjimin e një rinie parazite në veprim e ushtarake në respektim të urdhërave. Nesër, dijeni se do të më shajnë njëlloj siç bëjnë me të gjithë që u dalin ‘kundër’. Mbani mend poashtu, se ky artikull për ta do të shihet veçse një tentativë e imja për të fituar popularitet. Kjo nuk bën problem se asnjëherë s’ka qenë as s’do të jetë qëllim i imi të bëhem politikan duke u antarsuar në forume rinore, aq më pak pastaj duke i sharë ato. Veçse u porosis të kuptoni se kjo është thirrje për reflektim tuaj që në vend se të rrudheni për të hyrë në derën e ngushtë e të shkurtër drejt politikës, të fokusoheni që këtë derën e organizatës rinore ta zgjeroni e ta rrisni me vullnetin dhe origjinalitetin rinor e jo me bindje ndaj elitës. Vetëm kështu do të mund të hyni më lehtë e më shumë!