Gruda: Kuvendi nuk është konstituuar pa nënkryetarin e PDK-së, do t’i drejtohemi Kushtetueses - NACIONALE

Gruda: Kuvendi nuk është konstituuar pa nënkryetarin e PDK-së, do t’i drejtohemi Kushtetueses

10 minuta më parë

nga NACIONALE

Deputeti i Partisë Demokratike, Përparim Gruda, ka thënë se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e PDK-së, duke paralajmëruar se partia e tij do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

Në reagimin e tij, Gruda ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po përpiqet të përfitojë nga, siç pretendon ai, shkelja e afateve kushtetuese.

“Askush nuk mund të përfitojë nga shkelja e vet: VV nuk mund t’i shkelë afatet dhe pastaj PDK-së t’ia marrë një të drejtën kushtetuese”, ka shkruar ai.

Sipas Grudës, Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese në rastet KO124/25, KO193/25, KO196/25 dhe KO265/25 përcaktojnë se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët.

Sipas tij, PDK-ja nuk ka hequr dorë nga kjo e drejtë. Gruda ka thënë se në letrën zyrtare të partisë është sqaruar se PDK-ja vetëm po përmbahet përkohësisht nga propozimi, derisa Gjykata Kushtetuese të sqarojë situatën e krijuar.

Ai ka shkruar se ekziston dallim ndërmjet heqjes dorë nga një e drejtë kushtetuese dhe mosushtrimit të përkohshëm të saj për shkak të një kontesti kushtetues.

Gruda ka ngritur edhe çështjen e afateve për konstituimin e Kuvendit. Sipas tij, afati kushtetues kishte përfunduar më 7 gusht, ndërsa Vetëvendosje më pas kishte përcaktuar 6 shtatorin si afat politik, por asnjëri prej tyre nuk ishte respektuar.

Ai ka thënë se PDK-ja kishte marrë pjesë edhe në dy seanca të thirrura pas këtyre afateve, duke shtuar se procesi nuk kishte përfunduar për shkak të “manovrave procedurale” të Vetëvendosjes.

Deputeti i PDK-së ka paralajmëruar se interpretimi sipas të cilit partia do ta humbte të drejtën për të propozuar nënkryetarin do të krijonte një precedent të rrezikshëm kushtetues.

Sipas tij, në një situatë të tillë, pala që ka shkelur afatet do të përfitonte juridikisht nga vetë shkelja, ndërsa një subjekti tjetër parlamentar do t’i mohohej një e drejtë e garantuar me Kushtetutë.

Në fund, Gruda ka thënë se vetëm Gjykata Kushtetuese mund ta sqarojë situatën.

“Prandaj, ne do t’i drejtohemi asaj dhe do ta respektojmë vendimin e saj”, ka shkruar Gruda.

Lajme të ngjashme