Kostoja oportune e qeverisjes Kurti dhe ujëmbledhësit që mund të kishin ndryshuar Kosovën
Shkruan: Adri Nurellari
Zakonisht, kur kritikohet qeverisja Kurti, fokusi vendoset te dëmet aktuale të prekshme, pra vonesat, gabimet, çmimet e rritura, mungesa e rezultateve konkrete. Por rrallëherë përmendet kostoja oportune e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë së tij, d.m.th. çfarë do të ishte realizuar po të kishte pasur vullnet, përgjegjësi, aftësi dhe vizion. Thënë ndryshe, jo vetëm korrupsioni e gabimet e tjera, por edhe mosveprimi i qeverisë po e dëmton rëndë Kosovën."
Në pesëvjeçarin e qeverisjes Kurti llogaritet se janë të paktën 1.5 miliardë euro nga fondet e planifikuara për investime kapitale të cilat nuk janë shpenzuar, duke pasur një kosto të jashtëzakonshme oportune për ekonominë. Këto nuk janë para që “u kursyen”, janë para që janë marrë nga qytetarët, por që kurrë nuk u kthyen as në rrugë, as në shkolla, as në fabrika, as në mirëqenie. Ato para do të kishin mundësuar një sërë projektesh madhore, me ndikim afatgjatë në zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor të vendit, ose të paktën të mos ishin marrë fare prej taksapaguesve dhe të kishin vazhduar të qarkullonin në ekonomi.
Një ndër shembujt më kuptimplotë të kostos së jashtëzakonshme të keqqeverisjes Kurti është sektori i ujit. Dihet që Kosova është një ndër territoret më të varfra në ujë në Evropë, e prandaj që nga vitet ’60 janë planifikuar të ndërtohen 21 ujëmbledhës të rinj në zona të ndryshme të Kosovës, të cilët sipas Strategjisë Shtetërore të Ujërave në Kosovë 2017–2036 do të kushtonin rreth 676 milionë euro. Pra, do të mjaftonin dy vjet e pak, nga fondet suficit të qeverisë Kurti, për të paguar adresimin e njërës nga nevojat më të mëdha të vendit, por edhe sfidat më të mëdha që ka mbarë njerëzimi sot: furnizimi i bollshëm dhe i qëndrueshëm me ujë.
Qeveria Kurti jo vetëm që nuk i ka ndërtuar ujëmbledhësit, por një pjesë nga fondet që tepronin nga moszbatimi i investimeve kapitale i kanë shpërndarë si lëmoshë apo sadaka, për të blerë pëlqimin e votuesve me taksat që ata vetë kanë paguar. Nëse do të ishin kanalizuar ato para që tepruan në këto projekte ujëmbledhësash, Kosova sot do të kishte dyfishuar sasinë e ujit të akumuluar (prej rreth 559.4 milion m³ nga 5 akumulacionet ekzistuese, kapaciteti total kombëtar i akumulimit të ujit do të arrinte në afërsisht 1.19 miliardë m³), duke mbuluar në mënyrë të qëndrueshme nevojat për ujë të pijshëm dhe industrial në gjithë vendin.
Po ashtu, do të trefishohej sipërfaqja e tokave të ujitura, duke i dhënë bujqësisë kosovare një impuls që s’e ka njohur prej dekadash. Do të sigurohej ujë i bollshëm për industrinë, duke përforcuar zinxhirin e prodhimit dhe rritur ekonominë e vendit. Do të mundësohej prodhim energjie të pastër elektrike dhe poashtu, do të krijohej një mburojë e qëndrueshme kundër përmbytjeve të përvitshme që dëmtojnë njerëz, ekonomi e natyrë. Ky investim do të ndihmonte në zbutjen e fenomeneve klimatike ekstreme dhe do të hapte horizonte të reja për turizmin natyror dhe peshkimin.