Kosovës i kushton kryenëçësia e Kurtit - LDK-ja duhet të dëshmojë se u është kthyer vlerave themelore të saj
Shkruan: Isa Zymberi
Në zgjedhjet e parafundit të SHBA-së, Kurti kishte varur të gjitha shpresat te fitorja e demokratëve, sepse me republikanët tashmë i kishte thyer arrat. Rreshtimi me demokratët iu shpagua dhe Kurti mori hovin përcaktues, por nuk vonoi shumë, pas disa veprimve të ngutshme dhe reagimeve të pamatura dhe pa finesën e duhur dhe pa takt, i turbulloi ujërat edhe me demokratët.
Ardhja e Kurtit në pushtet, opinionit kosovar në përgjithësi, duke u nisur nga degjenerimi i LDK-së, PDK-së dhe disa partive të tjera më të vogla, nuk i prishte shumë punë.
Duke qenë se vetë Kurti ishte relativisht i ri me moshë, ashtu si dhe shumica e njerëzve që e rrethonin, dukej sikur fatin e Kosovës e kishte marrë në dorë një qeveri të papjekurish. Kosovarët shpresuan se Kurti me shokë ndoshta, në rrugë e sipër, do të maturoheshin, se do t'i mësonte puna vetë.
Sa i përket maturimit të qeverisë, nuk po vërehet ndonjë progres, përveç nëse pranohet si maturim zëri i Kurtit artificialisht i trashur në disa nga paraqitjet e tij kohët e fundit.
Pa i hyrë analizës së punës së Kurtit dhe qeverisë së tij, pasi me analiza, mbarë e mbrapsht, opinioni kosovar bombardohet çdo ditë në të gjitha mediat, do theksuar vetëm një aspekt i qendrimit të tij që mund t'i kushtojë Kosovës në mënyrë të paparashikueshme. Bëhet fjalë për kryeneçësinë e tij, që tashmë Kosovës i ka sjellë sanksione pikërisht nga ata që ia sollën lirinë dhe ende vazhdojnë të kujdesen për sigurinë e saj. Ky zemërim i aleatëve të Kosovës është i përmasave tepër të mëdha, dhe, për çdo qeveri të Kosovës, duhet të ishte i paimagjinueshëm. Deri më tash sanksionet e kanë dëmtuar Kosovën me qindra milionë euro.
Është e kotë të insistohet se saknsionet janë të padrejta - shqiptarët e Kosovës kanë vuajtur padrejtësi të tmerrshme më se një shekull nga regjime të njëpasnjëshme serbe para se të arrinin te pavarësia.
Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Kosovës vazhdojnë të përpëliten në përpjekje për tu liruar nga sanksionet. Mësimi i kësaj është: shpesh sanksionet më me vështirësi hiqen sesa që vendosen.
Fitorja e Trumpit me republikatët në SHBA ka shkaktuar termete intensitetesh të ndryshme në shumë pjesë të globit, ku përfshihen edhe disa vende të Ballkanit, si Shqipëria, Kosova dhe Serbia. Liderët e këtyre tri shteteve, që të tre me orientime të majta apo të kombinuara, përkrye kësaj dhe sorosistë, kërkojnë mënyra për t'iu përshtatur pushtetit të Trumpit. Në pozitë më të keqe, në këtë pikëpamje, është Kurti sepse Kosova nuk ka peshë të mjaftueshme gjeostrategjike, pra, nuk mund ta shfrytëzojë gjeostrategjinë fluide në këtë kohë, dhe nuk i ka as mundësitë dhe aftësitë korruptuese dhe të manipulimeve diplomatike siç i kanë dy liderët e tjerë.
Derisa në Serbi Vuçiqi po përballet me protesta, shumëkush po shpreson në rrëzimin e tij nga pushteti (jodomodosmërisht rrëzimi i tij ia lehtëson pozitën Kosovës në raport me Serbinë). Për rrëzimin e autokratëve nevojiten aksione përtej protestave të zakonshme. Protestat e zakonshme, pa shtrirje të duhur, nuk u lënë shenjë.
Kosova dhe Shqipëria, në pesëmujorin e parë të këtij viti, i kanë zgjedhjet e përgjithshme. Ethet e zgjedhjeve tashmë kanë filluar. Kurti po projekton vjeljen e 500 000 votave, kurse Rama rreth 7-800 000 syresh. Kjo mund t'iu dalë, si njërit ashtu dhe tjetrit, një "wishful thinking", edhe pse ekziston mundësia t'u realizohet kjo dëshirë për faktin se shqiptarët në të dyja anët e kufirit nuk janë imun ndaj sindromit të marrëzive kolektive politike.
Është e qartë se, me rritjen e problemeve të tjera përreth, përmasa e problemit të Kosovës bashkë edhe me durimin e atyre që merren me të janë tëkurrur.
Nëse ia del Kurti ta ruajë pozitën e kryeministrit, ai dhe kushdo tjetër duhet ta kenë të qartë se nuk e duron kush më kokëfortësinë e tij dhe se do të përballet me veprime më të vendosura të përendimit të tipit 'take it or leave it' (merre ose lëre), e për pasojë, do të detyrohet të lëshojë pe në çështje që do ta dëmtojnë Kosovën. Frenimi i hapjes se Urës së Ibrit mund të jetë një shenjë se Kurti e ka tashmë të qartë se e ka shpenzuar municionin e kokëfortësisë.
Sado i zoti të jetë, një politikan që ecën gjatë kohë për fije të litarit, mund ta humb drejtpeshimin në një moment dhe të përmbysë çdo gjë. Edukata politike e Kurtit duket se i përket këtij lloji.
Është gjë normale që Kosova të bëjë çdo përpjekje për të funksionuar si shtet sovran, por sovranitetin që gëzon Kosova e ka realizuar bashkë me aleatë, prandaj dakordimi me aleatët mbetet i pashmangshëm. Mangësitë e aleatëve duhet të tejkalohen me durim e maturi, pa i vënë asnjëherë në pyetje raportet miqësore dhe ndjenjën e mirënjohjes për të gjithë ata që e mundësuan krijimin e shtetit të Kosovës.
Ka qenë, dhe vazhdon të jetë, gabim që dialogu Kosovë - Serbi t'i lihet në dorë vetëm qeverisë.
Dialogu përfshin çështje që janë më të mëdha se cilado parti politike apo koalicion qeverisës. Prandaj është e nevojshme që urgjentisht të formohet një ekip gjithëpërfshirës, i cili do ta ketë mundësinë e dialogimit të mirëfilltë për arritjen e ndonjë marrëveshjeje eventuale me Serbinë. Në Rambuje dhe në bisedimet e Vjenës kosovarët janë paraqitur me ekipe dhe të dyja herat kanë arritur maksimumin e mundshëm në kuadër të rrethanave ekzistuese.
Nëse asgjë nuk arrihet me dialogun e tanishëm, gjë që është skenari më i mundshëm, së paku ky ekip do ta kishte mundësinë t'i bindte ndërkombëtarët se me Serbinë, në këto rrethana, nuk arrihet marrëveshje. Jo që bota demokratike nuk e ka të qartë pamundësinë e marrëveshjes, por po vazhdohen përpjekjet që Serbinë ta mbajnë në një ekuidistancë midis ndikimit rus, të cilit nuk i shkëputet Serbia, dhe perëndimit demokratik, ku i intereson thithja e fondeve, gjë që po e bën me sukses. Kjo i bie, kokën në Rusi, dorën në xhepin e Perëndimit. Një qendrim i tillë është i rrezikshëm sepse gradualisht po krijohet një pykë ruse që nis me Sllovakinë, vazhdon me Hungarinë, të dyja anëtare të BE-së, dhe më vonë mund të përfshijë dhe vende të tjera të rajonit për të vendosur një vijë të re gjeostrategjike.
Kosova vetë nuk e ka mundësinë ta ndryshojë qendrimin Perëndimit, prandaj i mbetet të jetë e kujdesshme që të mos u nënshtrohet masave të tjera ndëshkuese.
Në pikë të fundit, u arrit ose jo marrëveshje me Serbinë, gjithsesi është më mirë që përgjegjësia për mungesë suksesi, apo meritat për sukses, t'i delegohen një ekipi më të gjërë. Rezultatet, pastaj, mund të kalojnë në Parlament apo dhe në Gjykatën Kushtetuese.
Sot mund të konstatohet se LVV-ja, në vend të pjekurisë, po tregon shenja të stërkeqjes dhe si e tillë, nëse vazhdon të mbetet në pushtet, do të paraqesë rrezik për Kosovën, madje dhe për vetë pavarësinë e saj.
Votuesit kosovarë tani duhet të mendohen dy herë para se të vendosin kujt t'ia japin votën.
Në pasqyrën e partive politike kryesore, që garojnë për ardhjen në pushtet, kemi dy grupe, partitë më të mëdha dhe më të vjetra, si LDK-ja, PDK-ja, AAK-ja dhe LVV-ja, dhe shumë parti më të vogla, disa prej të cilave e kanë shumë të zhvilluar nuhajtjen e hienave, që shpresojnë të kapin pozita të ndryshme.
Në këtë katrahurë partish, LDK-ja duhet tashmë të dëshmojë se u është rikthyer vlerave të saj themelore. Ajo lirisht mund ta shpallë vetën si më të pastërtën dhe më të përgjegjshmen në krahasim me të gjitha partitë e tjera kosovare. LDK-ja tashmë shtrihet në dy shekuj. Aktiviteti i saj i viteve 1990 do të mbetet unik në historinë e Kosovës. Kjo periudhë do të jetë burim frymëzimi.
LDK-ja tani duhet të dëshmojë se i ka tejkaluar problemet e brendshme që i dolën pas vdekjes së Rugovës dhe që vazhduan deri në sjelljen e saj te 12%-shi i votave. Rrugën e saj të re, të proklamuar nga lideri i tanishëm, duhet ta shtrijë krahas rrugës më të lavdishme. Është e domosdoshme të gjendet mënyra e kthimit të vlerave fillestare të LDK-së dhe të mobilizimit të shoqërisë kosovare në rrethana të reja duke ia përtërirë ndjenjën e besimit dhe shkëlqimit që ka pasur sidomos gjatë rreth 20 viteve të para të ekzistencës së saj.
Si parti e djathtë, LDK-ja duhet të përqendrohet në vlerat konzervatore dhe të ecën krahas konzervatorëve Europian apo republikanëve amerikanë që partisë së tyre shpesh i referohen me GOP (Good Old Party - E mira parti e moçme).
Ardhja e LDK-së në pushtet me të gjitha vlerat e saj themelore është jashtëzakonisht e rëndësishme tani për të shmangur rrezikimin e gjithë asaj që është arritur me aq shumë mund, punë e sakrifica.