Kosova sot është Shqipëria e vitit 1995
Shkruan: Fitim Salihu
Një pushtet i ri i votuar më shumë nga pakënaqësia e qytetarëve më atë të kaluarin sesa nga qartësia programore për të riun.
Një pushtet në masë të madhe i përberë nga figura të pushtetit të vjetër që, si minjtë, e kanë braktisur anijen pak para përmbytjes.
Një pushtet me përkrahje të gjerë – por duke qenë aq heterogjen, është njëkohshëm edhe i çorientuar e konfuz se ke dhe çfarë përfaqëson.
Një pushtet që në fillet e tij opozitare u themelua nga intelektualet, por me pas qeveris me matrapazet, batakçinjte e injorantet.
Një parti në pushtet por pa parti, që e ka vetëm liderin, nuk ka dysh, nuk ka tresh; nuk ka nevojë për ta sepse Lider Maximo e kompenson mungesën e partisë.
Një pushtet që nuk arrin suksese përmbajtjesorë, prandaj krejt periudhën në pushtet e kalon duke e mallkuar të kaluarën.
Një pushtet i ardhur me gojën plot antikorrupsion që përfundon duke i shndërruar në milionerë disa servile të oborrit.
Një pushtet me prirje te theksuara autoritare që linçon opozitën, sulmon institucionet e drejtësisë, kap televizionin publik, kap institucionet e pavarura dhe sulmon mediat kritike.
Një pushtet që mbron hajninë dhe dhunën e vet me shantazhin e kthimit te se vjetrës.
Një pushtet që vjen në pushtet me jetë të kumbueshem te superioritetit moral, por fundërron në pushtet të korrupsionit, klientelizmit dhe nepotizmit.
Një pushtet që, ndonëse përdite i plasin skandale dhjeteramilioneshe korrupsioni, zë të besojë së populli prapë e voton si dele dhe se nuk do të has në reagim qytetar për ato skandale.
Prandaj, zullumqareve të pushtetit u hyn në mendje se, sado që vjedhin, ky popull do t'i tolerojë. Por, harrojnë që zullumi këputet prej se trashi. Dhe kështu vjen viti 1997...
Por, pa ardhur te viti 1997, duhet thënë se 1997-n nuk e sjellë opozita.
Sepse Shqipëria e vitit 1995 thuajse nuk ka opozite fare.
Opozita është parti e pushtetit të kaluar që trashëgon nga ai damkën e tij.
Është një opozite që, më shumë së damkën, bart mbi supe fshikujt e vetëfshikullimit, vetëfajesimit, vetëturperimit, vetëgjykimit.
Një opozitë e flashket, krejtësisht e dorëzuar para hegjemonisë diskursive te partisë në pushtet.
Një opozitë që e ka instaluar në mendjen e saj gjykimin e kundërshtarit për te. Opozita është ajo çfarë pushteti i thotë së është.
Rrjedhimisht është një opozite që operon brenda orbitës së partisë në pushtet dhe prandaj nuk del dot nga orbita e saj, paçka se ne dukje është larg saj. Edhe Toka është larg Diellit, por sillet në orbite rreth tij, është satelit i tij.
Një opozite që kritikon me gjysmë zëri, sikur do t'i thotë pushtetit "e sheh, nuk e tejkalova limitin e korrekteses politike", ndërkaq votuesit të vet i thotë "e sheh, kam guxim te flas".
Një opozitë që ka pranuar rregullat e lojës të përcaktuara nga partia në pushtet dhe nuk fiton dot deri sa mos ta bëjë "atevrasjen" frojdiane, t'i thyeje ato rregulla të imponuara dhe ta përmbys tavolinën e status-quo's.
Hapësirën boshë që e la opozita, në Shqipërinë e gjysmës se parë të viteve '90, e zuri zëri kritik i intelektualëve, gazetarëve dhe opinionistëve të pavarur si Ardian Klosi, Spartak Ngjela, Arben Puto, Aleksander Frangaj, Kurt Kola, Diana Çuli, Filip Çakulli, Fatos Lubonja, Frrok Çupi, Martin Leka, Ilirian Zhupa, Neshat Tozaj, Gavrosh Levonja, Luan Rama, Armand Shkullaku, Blendi Fevziu, Edi Rama, Teodor Keko, Blendi Gonxhe, Ben Blushi, Shinasi Rama, Gramoz Pashko dhe i shumë të tjerëve.
Këta opinionistë dukeshin si e vetmja opozitë reale, e cila nuk kishte pranuar nënshtrimin ndaj partisë në pushtet dhe që kishte çare velin diskursiv më të cilën kishte mbështjellë vendin partia në pushtet. Asokohe Shqipëria ende s'kishte televizione private, por këta opinionistë shfaqnin mendimet e tyre kritike kryesisht në gazetat e pavarura, ku mbi të gjithat shquhej "Koha Jonë" e Nikolle Lesit.
Ka edhe dallime në këtëe krahasim.
Pushteti në Shqipërinë e 1995-s e kishte në radhët e veta se paku një Azem Hajdar që guxonte publikisht ta kritikonte partinë e tij. Pushteti në Kosovën e 2025-s nuk ka aso figura idealistesh. Kryesisht janë pakurrizore që tumirin në heshtje çkado që u serviret.
Në anën tjetër, opozita në Shqipërinë e 1995-s e kishte grupin e FRESSh-isteve si "planin B" ose "asin nen menge" për të ardhmen. Opozita në Kosovë nuk ka një grup të rinjsh – ose s'e ka ekspozuar në publik – që ti thua se në të ardhmen këta mund t'ia shpëtojnë fytyrën partisë.
Natyrisht, çdo krahasim çalon në vetvete. As pushteti i vjetër në Kosovë nuk ishte si diktatura komuniste – si nga mirëqenia, ashtu edhe nga liritë – as partia në pushtet në Kosovë nuk arreston liderët opozitare si Berisha dikur dhe as opinionistët në Kosovë nuk kanë aq pak hapesirë për t'u shprehur sa kishin ata në Shqipërinë e mesit te viteve '90.
Por, krahasimet historike janë të rëndësishme sepse shpesh janë refleksione që na bëjnë ta kuptojmë me mirë situatën ku gjendemi. Duke qenë të kapërthyer nga përditshmeria, na mungon distanca e duhur për ta lexuar realitetin drejt. Si puna e atij filmit që, diku nga fundi, ke nevojë t'i kthehesh disa skenave të fillimit për ta kuptimesuar me saktë ngjarjen.