Kosova: Mrekullia sa vetë jeta dhe universi - NACIONALE

Kosova: Mrekullia sa vetë jeta dhe universi

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Shenoll Muharremi

Nëse sot po jeton, je jashtëzakonisht i veçantë. Po jeton në një kohë kur, për herë të parë në historinë që e njohim, Kosova është e pavarur dhe qeveriset nga shumica, nga njerëzit e saj, kosovarët. Ti je i veçantë gjithashtu, sepse dhjetëra gjenerata të baballarëve tanë kanë vdekur me këtë ëndërr në zemër, atë që ne sot e jetojmë.

Kosova, në gjithë historinë e saj: në demokraci, monarki, aristokraci, komunizëm.. nuk ka qenë kurrë e pavarur dhe e qeverisur nga vetë qytetarët e saj shumicë. Ndoshta për herë të parë, kjo po bëhet realitet. Duhet të jemi krenar, të përmbushur dhe mirënjohës për këtë fakt. Për këtë magji që nuk ju ndodhi gjeneratave tjera.

Është një mrekulli, ashtu si vetë jeta dhe universi. Për të krijuar jetën në këtë planet, u deshën miliarda vite dhe kombinim i të gjitha mundësive. Tepër kohë u nevojit, mbi të gjitha. Për të krijuar njeriun dhe për ta zhvilluar në këtë shkallë të inteligjencës, kaluan qindra mijëra vite. Dhe për një Kosovë të pavarur, që të krijohet, ashtu si ne e gëzojmë sot, u deshën dhjetëra e qindra vite sakrifica, derisa arritëm në ditën që sot e festojmë.

A nuk është ironike? Njerëzit, të zënë me jetën dhe angazhimet e tyre, i marrin shumë gjëra si të mirëqena. E në fakt, për të arritur këtu është dashur një përpjekje kolosale, sakrifica të jashtëzakonshme dhe, po, edhe pak magji dhe fat.

Kemi arritur shumë, por Kosova mbetet ende një punë në progres. Fëmijët tanë ende rriten në një ambient me ajër të ndotur. Arsimi ynë ende nuk e garanton një ekonomi konkurruese. Potenciali i shoqërisë sonë ende nuk është shfrytëzuar apo jetësuar plotësisht.

Ekonomia e Kosovës mbetet më e ulëta në rajon dhe të ardhurat nuk janë të mjaftueshme për një jetë pa stres. Megjithatë, në krahasim me dekadat dhe shekujt e kaluar, kemi një rritje të dukshme. Dikur nuk kishim fare arsim në gjuhën shqipe, tani kemi universitete. Njerëzit shkollohen në universitetet më cilësore të botës.

Kosova është ende në ndërtim e sipër. Ka bërë hapa të mëdhenj përparimi krahasuar me kohën më parë, por ende ka shumë për t'u bërë. Duhet të zhvillohet edhe më tej për të arritur potencialin e saj të plotë, për t’u bërë një vlerë e shtuar për rajonin dhe botën. Një forcë e butë, por e rëndësishme. Për të faleminderuar ata që e ndihmuan krijimin dhe jetësimin, zhvillimin, e saj.

Edhe politika jonë duhet të kalojë në një nivel tjetër. Sot partitë politike janë më të zhvilluara se dekada më parë, kur nuk kishim fare parti, por vetëm grupe dhe fise. Politika duhet të fokusohet te e ardhmja. Gara duhet të jetë për idenë më të mirë, jo për luftë mes grupeve, partive dhe individëve. Për të arritur më të mirën, duhen të gjitha idetë, jo vetëm të një. Potenciali i Kosovës nuk zhbllokohet nga një ide e vetme, por nga përplasja dhe përmirësimi i ideve të ndryshme.

Kosova ka përparuar në mënyrë dramatike. Shqiptarët e Kosovës, për herë të parë në histori, po qeverisin veten me liri dhe pavarësi. Asnjëherë më parë shumica nuk ka pasur këtë hapësirë për të menaxhuar të tashmen dhe për të formësuar të ardhmen e saj. Por kjo nënkupton se edhe përgjegjësitë janë më të mëdha. Sidomos për ata më të ndyshmit, apo edhe ata që nuk janë shumicë, sikur në komunitete ashtu edhe në ide e besime.

Ky është një moment historik i jashtëzakonshëm. Kosova, edhe pse nuk shifet në jetën e përdishme, historikisht po bëhet gjithnjë e më mirë. Baza nga e cila nisi ishte nisur projekti, ishte ndryshe nga shtetet e tjera. Ka pasur një asimeteri me vendet tjera. Prandaj duhet durim dhe përkushtim. Besim.

Por mos harrojmë! Këtu nuk erdhëm vetëm. Lirinë nuk e fituam vetëm, por e nxitëm dhe përshpejtuam. U desh që e gjithë bota të angazhohej që liria e Kosovës të bëhej realitet. E njëjta vlen edhe për pavarësinë që sot festojmë. Ajo u krijua nga një bashkëpunim me botën e avancuar, me ajkën e qytetërimit modern.

Liria dhe pavarësia e Kosovës janë si një magji! Një "produkt" i njerëzimit, që dëgjoi sakrificat e dekadave dhe shekujve të një shoqërie modeste, që luftoi për të arritur një moment ku jo vetëm bota, por edhe yjet e universit duket se konspiruan që ajo të jetë e lirë dhe e pavarur.

Pavarësia që sot e gëzojmë nuk ishte kurrë një mundësi për gjenerata të tëra. Ne duhet ta festojmë edhe për ta. Por mbi të gjitha, duhet ta përdorim me mençuri për të ndërtuar të ardhmen. Me fokus te idetë më të mira, te zhbllokimi i potencialit të Kosovës, te krijimi i një shteti të fortë, kulturor, ekonomikisht vibrant dhe të lidhur me botën, me ata që ndihmuan në lindjen e tij.

Gëzuar 17 Vjetori i Pavarësisë!

Një mrekulli sa vetë jeta dhe universi. Liria dhe Pavarësia e Kosovës!

Lajme të ngjashme