Kontratat njëburimore rruga drejt “kapitalizmit partiak” - NACIONALE

Kontratat njëburimore rruga drejt “kapitalizmit partiak”

2 javë më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Afrim Kasolli

Kohën e fundit është aktualizuar në opinionin publik tema e kontratave njëburimore. Ky diskutim ka marrë shkas nga denoncimi që opozita i ka bërë nënshkrimit të disa të tillave nga pushteti aktual. Sipas zyrtarëve opozitarë bëhet fjalë 781 tenderë të tillë sekret që e kapin vlerën deri në 209 milionë eurove. Madje kjo e fundit ka kërkuar edhe themellimin e një komisioni hetimor parlamentar për adresimin e kësaj afere, por sikur se ne disa raste tjera, përfaqësuesit e shumicës parlamentare e kanë bllokuar një nismë të tillë. Ndërkohë, këta të fundit ua kanë përkujtuar të parëve se edhe në kohën deri sa ata kishin qeverisur ishte ndjekur një praktikë e tillë.

Mirëpo, pikërisht këto të vërteta të pjesshme mbase formojnë të vërtetën e plotë të këtij fenomeni.

Nuk mund të mohohet fakti se kontratat një burimore janë përdorur si në të kaluarën, por ato po përdoren edhe sot. Pra thuajse të gjitha partitë politike që kanë qeverisur vendin deri më tani e kanë ndjekur këtë procedurë të lidhjes së kontratave. Po ashtu, ato nuk është së fenomen vetëm i institucionet qendrore, por si praktikë janë aplikuar edhe nga pushtetet komunale. Bie fjala, Komuna e Prishtinës, që drejtohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, vitet e fundit ka qenë kampione e zbatimit të kësaj procedure.

Sipas hulumtimit “Qeverisje e mirë: prokurim publik dhe politik-bërje e avancuar” të financuar nga BE, dhe të implementuar nga Demokraci Plus (D+), në “vitin 2019, dy institucionet që lidhën më së shumti kontrata një burimore ishin Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Ferizajt. Kurse në vitin 2020, institucionet që lidhën më së shumti kontrata një burimore ishin po ashtu ishin Komuna e Prishtinës dhe Komuna e Gjakovës. Ndërkohë në 2021, kontrata të tilla më së shumti shpenzuan KEK, Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), dhe Komuna e Gjilanit. E në vitin 2022 Institucionet që kanë lidhur më së shumti kontrata një burimore mbesin Komuna e Prishtinës dhe KEK-u, Ministria e Punëve të Brendshme si dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit”.

Të dhëna të tilla dëshmojnë pra secila prej partive politike, në një formë apo tjetër, ka “rënë pre” e kësaj metode të shpenzimit të parasë publike. Siç dihet, “me këtë procedurë, autoritetet kontraktuese ftojnë një apo disa operatorë që të dorëzojnë oferta ndërkohë tenderimi nuk është i hapur për kompanitë të cilat nuk janë të ftuara.” Legalizimi i kësaj forme të kontraktimit është menduar që të jetë si një “exit strategji” vetëm në situata ekstreme, pra atëherë kur nuk ekzistojnë kushte objektive shoqërore dhe ekonomike për aktivitet normal konkurrues.

Mirëpo, aplikimi i kësaj procedure në mënyrë të vazhdueshme flet për diçka tjetër. Se nën emrin e rrethanave ekstreme, partitë politike në Kosovë kanë filluar ta shfrytëzojnë këtë mundësi ligjore si maskë për forcimin e kompanive që mund të jenë të lidhura me to. Pra është ky një lloj “kapitalizmi partiak”, ku shpenzohet paraja publike për forcimin ekonomik të partive. Me këtë rast, superstrukturat shtetërore shërbejnë si trampolinë për fuqizimin e infrastrukturës ekonomike, fuqizim ky që më pastaj ua mundëson ta akomodojnë klientelën elektorale. Model ky, i kundërt me atë që dikur e kishte përshkruar Marksi, si esenca e kapitalizmit, sipas të cilit, infrastruktura ekonomike i paraprin pushtetit në superstrukturat shtetërore.

Lajme të ngjashme