Konservatizmi është ekuilibër - NACIONALE

Konservatizmi është ekuilibër

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Konservatizmi nuk është një përmbledhje bindjesh e parimesh. Rrënjët e tij janë të ngulitura në mendimet dhe praktikat e dijetarëve, politikanëve dhe liderëve konservatorë që nga fillimet e njerëzimit.

Shkruan: Lulëzim Blaka

Konservatorët nuk ndjekin dogmat. Ata mbështeten në një ndjenjë apo këndvështrim, i cili i jep përparësi të përhershmes, para kaotikes dhe të pasigurtës. Vazhdimësia e përvojës historike është udhëzues më i besueshëm për politikën dhe shoqërinë, sesa teoritë abstrakte të filozofëve.

Për këto arsye është e pamundur të përpilohet një listë përfundimtare e bindjeve konservatore dhe vet diversiteti i pikëpamjeve, është një dëshmi e faktit se konservatizmi nuk është një ideologji e murosur. Ai ka aftësi që të përshtatet dhe ndryshohet me kohën, por duke ruajtur me vendosmëri vlerat themelore.

Morali dhe Tradita

Ekziston një kod moral hyjnor apo universal, i cili i udhëzon individët dhe kombet drejt një rruge të virtytshme. Rendi moral ka udhëhequr njerëzimin që nga fillesa e tij. Kjo busollë morale i mundësoi njerëzimit t’u qëndrojë shekujve dhe të përparojë, qoftë dhe në mes të kaosit dhe shkatërrimit të shekullit të 20-të.

Por çka saktësisht është rendi moral? Është ekuilibri midis karakterit të brendshëm të një individi dhe stabilitetit të komunitetit.

Që nga mësimet e Platonit e deri në ditët e sotme, morali ka qenë temë qendrore e diskutimit intelektual. Një shoqëri që udhëhiqet nga një ndjenjë e përbashkët e së drejtës dhe së gabuarës, me parime të forta morale, do të jetë gjithmonë e begatë. Një shoqëri e falimentuar moralisht, ku individët kërkojnë vetëm mënyra se si të përmbushin dëshirat e tyre, është rrugës së sigurt të dështimit.

Konservatorët janë besnik ndaj tradicionales, të njohurës dhe të përhershmes. Traditat, zakonet dhe vazhdimësia janë shtyllat e bashkëjetesës paqësore dhe t'i çrrënjosh ato, fitojmë kaos dhe konfuzion. Duke e kuptuar se shoqëria njerëzore është një organizëm delikat apo një bashkësi shpirtërash, atëherë ndryshimet brenda saj duhet të trajtohen me kujdes. Andaj, përderisa konservatorët përqafojnë ndryshimet e nevojshme, me shumë kujdes ruajmë vazhdimësinë e strukturës shoqërore.

Rendi, drejtësia dhe liria janë rezultat i përpjekjeve dhe sakrificës së të parëve. Vaj halli për shoqërinë që shpërfill vlerat e krijuara nga ta. Në një botë që ndryshon me shpejtësi, konservatorët ecin përpara, duke qëndruar mbi supet e gjigantëve. Andaj, ata kapërcejnë me lehtësi sfidat e botës moderne, sepse kanë një perspektivë të mundësuar nga urtësia dhe traditat e paraardhësve. Një recetë urtësie, që tejkalon dijen personale të secilit.

Maturia është zëri i arsyes mbi kaosin. Ajo thërret për kujdes dhe konsideratë. Liberalët dhe socialistët mund të injorojnë potencialin e pasojave të padëshiruara gjatë rrugës së tyre për ndryshime radikale, por konservatorët nuk joshen nga popullariteti dhe përfitimet afatshkurtra. Përparimi i vërtetë, gjykohet vetëm nga efektet afatgjata.

Nevojat e brezave të ardhshëm dhe sakrifica e të parëve, kërkojnë një rrugë përparimi, bazuar në fuqinë e traditave, zakoneve dhe vazhdimësisë.

Të drejtat individuale dhe shpirti i komunitetit

Liria individuale dhe e drejta e pronës janë të pandashme. Shoqëria e ndërtuar mbi themelet e pronësisë private çoi në ngritjen e qytetërimeve të mëdha. Sa më e gjerë të jetë shpërndarja e pronësisë, aq më e qëndrueshme dhe produktive bëhet shoqëria.

Çfarë është saktësisht prona private dhe pse është kaq e rëndësishme? Është e drejta për të gëzuar frytin e punës tënde dhe për t'ua përcjellë brezave. Është mjet për të shpëtuar nga varfëria dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme.

Barazia ekonomike mund të shihet si përparim nga dikush, por në fakt ajo paraqet kërcënim për stabilitetin shoqëror. Paratë dhe pasuritë materiale nuk janë qëllimi përfundimtar i jetës, por një bazë solide ekonomike për individët, familjet dhe shoqërinë. Prona private duhet mbrojtur me çdo kusht. Pa të, ekuilibri delikat i shoqërisë tronditet, duke e ndaluar përparimin e saj.

Konservatorët besojnë në fuqinë e komunitetit të angazhuar vullnetarisht dhe hedhim poshtë kolektivizmin e detyruar. Duke avokuar për të drejtat dhe privatësinë personale, ata e kuptojnë shumë mirë rëndësinë e shpirtit të komunitetit.

Nuk mund të ketë komunitet të mirëfilltë, pa vendimmarrje lokale dhe pjesëmarrje vullnetare. Nëse nuk ekziston vendimmarrja lokale, qytetarët nuk do të kenë as drejtësi, as përparim e as paqe. Historia ka vërtetuar se një qasje nga lart-poshtë çon në dështim e shkatërrim. Janë veprimet tona në komunitet ato që na përsosin aftësitë për maturi, efikasitet dhe dhembshuri. Në organe politike apo shoqata private, për sa kohë vendos komuniteti, mund të ruhet ekuilibri harmonik.

Pushteti i përqendruar në një qendër të vendosjes, larg kërkesave dhe nevojave të komunitetit, është i rrezikshëm. Demokracia e vërtetë kultivohet me angazhim të përbashkët, e jo nga një administratë qendrore. Në të tilla raste, liria dhe dinjiteti njerëzor janë të kërcënuara, ndërsa shteti i cili rrëshqet drejt totalitarizmit dobësohet dhe shkatërrohet.

Ekuilibri shoqëror

Njeriu për nga natyra është qenie e papërsosur dhe me të meta. Pushteti i pakontrolluar është i rreezikshëm dhe ai duhet të kufizohet e balancohet përmes Kushtetutës dhe zbatimit të fortë të ligjeve. Njëjtë, janë të domosdoshme edhe kufizimet në kërkesat njerëzore, që ato të mos jenë në dëm të tjetrit.

Me këto principe, konservatizmi është ekuilibër midis kërkesave të pushtetit dhe kërkesave të lirisë, duke vendosur ligje, gjykata dhe qeveri si ndërmjetëse. Ashtu siç nuk lejohet shfrenimi i dëshirave njerëzore, ashtu duhet të ndalohet edhe shfrenimi me forcën e pushtetit.

Qëndrueshmëria dhe Përparimi janë dy forca që duhet të bashkëjetojnë me njëra tjetrën në një shoqëri dinamike dhe të zhvilluar. Konservatizmi është ekuilibër mes tyre. Konservatorët nuk besojnë në premtimet utopike, por në përparimin e matur dhe të arsyeshëm.

Ndryshimi është një aspekt i domosdoshëm i individit dhe shoqërisë. Megjithatë, ndryshimet e shpejta bëhen si kanceri që vret nikoqirin. Konservatizmi është ekuilibri harmonik midis të vjetrës dhe të resë, duke ruajtur shtetin dhe identitetin tonë.

***

Në një botë ku opinionet janë shpesh bardh e zi, është thelbësore të kuptojmë Ekuilibrin Konservator.

Mes peizazhit gjithnjë në ndryshim të mendimit politik modern, çdo ditë po theksohet një vijë shumë e qartë. Në njërën anë janë rreshtuar ata që besojnë se bota e përkohshme është realiteti i vetëm, ndërsa në tjetrën ata që pranojnë ekzistencën e një rendi moral, një natyre universale njerëzore dhe përgjegjësinë për të ndjekur urdhrat hyjnore dhe tokësore.

Kjo nuk është vetëm një betejë mes të majtës dhe të djathtës, liberalëve dhe totalitarëve, por një luftë për ruajtjen e vlerave të njerëzimit.

*Autori është Drejtor i Informimit në AAK. Qëndrimet në artikull janë personale.

Lajme të ngjashme