Koha për kompromis - NACIONALE

Koha për kompromis

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Para rreth një muaji, u bë e ditur se Franca dhe Gjermania kanë ndërmarrë një nismë për normalizimin e shpejtë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Thelbi i saj është ky:

Shkruan: Islam Lauka

Serbisë i kërkohet që të " pranojë ekzistencën e Kosovës si realitet i veçantë politik e legal", por pa e detyruar qe ta njohë atë formalisht. Në këtë kontekst, Beogradi nuk duhet të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Ne qoftë se Serbia pajtohet me ketë propozim, ajo do të ketë ndihma masive, ekonomike dhe financiare nga Brukseli dhe do ta ketë të hapur rrugën për anëtarësim në BE.

Kosovës i kërkohet që të heqë dorë nga njohja formale e Serbisë dhe si shpërblim do të marrë njohjen e menjëhershme nga 5 vendet e BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, si dhe do ta ketë të lirë rrugën për anëtarësim në strukturat euro-atlantike dhe organizata të tjera ndërkombëtare (por, në fazat e para, jo në OKB).

Në gjykimin tim, ka ardhur momenti që Kosova ta marrë shumë seriozisht ketë nisme, ta studiojë me përgjegjësi shtetërore dhe kombëtare dhe t'i thotë po kompromisit të propozuar.

Më poshtë, argumentet e qëndrimit tim:

1.Asnje shtet, aq më pak Kosova me subjektivitet të cunguar ndërkombëtar, nuk e ka luksin të arrijë një kompromis plotësisht në favor të tij dhe në dëm të kundërshtarit, përndryshe ai nuk do të quhej i tille, por fitore e njërës palë mbi tjetrën. Por ka kompromise e kompromise. Të mos harrojmë se para pak kohësh na është propozuar një kompromis i rëndë - dhënia e territorit tonë Serbisë, pranimi i të cilit do të ishte fatal për shtetësinë e Kosovës. Ai duhej refuzuar dhe Kosova me durimin e saj strategjik dhe ndihmën e miqve arriti ta shmangë atë rrezik. Është shume pozitiv fakti që nisma franko-gjerman e përjashton atë.

2.Natryrisht, do ishte mirë njohja formale e Serbisë, e cila do të përshpejtonte shumë procese, përfshirë anëtarësimin në OKB ( megjithëse jo i sigurtë, për shkak te interesave ruse dhe vetos se saj). Por as njohja e Beogradit, as anëtarësimi i Kosovës në OKB nuk janë te natyrës ekzistenciale për të . Ndërkohë që, sipas mendimit tim, njohja nga 5 vendet e BE-së dhe hapja e rrugës së anëtarësimit në strukturat euro-atlantike, janë me rendësi jetike për Kosovën dhe të ardhmen e saj si shtet i pavarur dhe sovran.. Me anëtarësimin në NATO dhe BE, njohja formale e Serbisë do te shfaktorizohej shumë.

3.Agresioni rus në Ukraine dhe, për pasojë, rritja e shqetësimit perëndimor për fatet e paqes dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, në Europë e më gjerë, i ka bërë bashkë, si kurrë më parë, të paktën që pas "luftës se ftohtë, Brukselin dhe Uashingtonin. Ndaj, nisma franko-gjermano gëzon mbështetjen e plotë zyrtare të SHBA, ndryshe, p.sh., nga qëndrimet dimëruese të paradokohshme për reciprocitetin apo tezen e shkëmbimeve territoriale.

4.Pranimi i nismës së Berlinit dhe Parisit i heq Moskës një ndër levat kryesore, me te cilën ajo mban pas vetes Serbinë - Kosovën.

Nuk ka asnjë garanci që pranimi i kompromisit nga Prishtina , do të bëjë që edhe Beogradi të veprojë në të njëjtën mënyrë. Por, të paktën, Kosova e nxjerr veten të larë dhe përgjegjësia e bllokimit të procesit të normalizimit i mbetet Serbisë dhe pasojat e ndëshkimit të parashikuar në nismën franko-gjermane, do të bien mbi të.

Mendoj se në ketë moment historik, pozita dhe opozita në Kosovë duhet të jenë të bashkuar. Në këtë kuadër, mbështes konstruktivitetin e AAK-së dhe z. Haradinaj dhe iu bëj thirrje z. Abdixhiku dhe z. Krasniqi t'i përgjigjen pozitivisht thirrjes së Kurtit për të biseduar rreth kësaj nisme. Serioziteti dhe kompleksiteti i saj kërkojnë bisedime konfidenciale midis te gjithë faktorëve politikë, ashtu si edhe diskutime të hapura në Kuvendin e Kosovës, pse jo edhe në publik.

Lajme të ngjashme