Kemi greva, protesta e skandale – Ukraina është më shumë se zonë lufte - NACIONALE

Kemi greva, protesta e skandale – Ukraina është më shumë se zonë lufte

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kujdesi shëndetësor, korrupsioni, të drejtat e punëtorëve dhe dhuna gjinore janë vetëm disa nga problemet e shumta që bota nuk i sheh.

Kateryna Semchuk

Pas një viti luftë, audienca përreth botës është mësuar që të shohë lajme nga Ukraina pothuajse përditë. Ata i kanë parë tmerret e konfliktit, qëndrueshmërinë e befasishme dhe suksesin e rezistencës ukrainase. Megjithatë, nganjëherë, pamja e njerëzve dhe shoqërisë së vërtetë nën konfliktin ushtarak humb. Ukraina është më shumë se thjesht një vend ku po ndodh një luftë. Shteti lëviz përpara dhe ballafaqohet me korrupsion, migrim dhe probleme ekonomike, me çështje të rrogave e të drejtave gjinore, si gjithkund tjetër.

Unë i mbuloj të gjitha këto gjëra si reportere e vendosur në Kiev. Një ndryshim që kam vërejtur gjatë vitit të kaluar, është që dëshira e njerëzve për drejtësi në atdhe nuk është pakësuar. Nëse asgjë tjetër, është bërë më e fuqishme dhe me të drejtë, pasi shumica e qytetarëve po e rrezikojnë jetën e vet për ta luftuar kërcënimin gjenocidal që paraqitet nga Rusia. Njerëzit kanë diçka aq personale në pyetje në të ardhmen e Ukrainës, saqë janë më të ndjeshëm se kurrë më parë për atë se çfarë vendi po bëhemi dhe për atë se si duhet të jenë gjërat pas luftës.

Dy ngjarje që kanë ndodhur rishtazi, e ilustrojnë këtë ndryshim. Ngjarja e parë ishte reagimi ndaj pamjeve të ndejave në kohë lufte në Kiev, të bëra nga disa përdorues me ndikim në “Instagram”, ku pretendohet se shfaqeshin gra duke u dhunuar seksualisht, përderisa po deheshin. Kur prezantuesja televizive ukrainase, Yaroslava Kravchenko, e tërhoqi vëmendjen tek ato video në llogarinë e saj në “Instagram” dhe pati zemërim të menjëhershëm – jo vetëm ndaj vetë incidentit, por për faktin që njerëzit mund të silleshin ashtu në kohë lufte.

Autoritetet ukrainase nuk e kanë marrë gjithmonë dhunën me bazë gjinore aq seriozisht sa është dashur, por zemërimi i nxiti ato që të bënin arrestime të shpejta. Presidenti Zelensky e falënderoi policinë në njërin prej fjalimeve të tij të mbrëmjes. “Kur shoqëria kujdeset dhe është e bashkuar, mund të bëjmë shumë bashkë”- shkroi Kravchenko në “Instagram”.

Incidenti i dytë, i cili njihet më shumë në skenën ndërkombëtare, ishte shpërfaqja e korrupsionit në Ministrinë e Mbrojtjes nga një gazetar hulumtues. Përmes këtij hulumtimi u zbulua se kjo ministri kishte blerë ushqim për ushtrinë me çmim pothuajse trefish më të lartë se çmimet e tregut. Skandalet me korrupsion nuk janë asgjë e re në Ukrainë, por njësoj si me videot në “Instagram”, ky skandal nxiti zemërim të gjerë dhe kërkesa për ndërmarrje të masave.

Në të njëjtën kohë, ndaj drejtësisë ka pengesa më shumë se kurrë më parë – jo vetëm për shkak të kërcënimit të jashtëm nga Rusia, por për shkak se lufta ka shkaktuar pengesa e tensione të brendshme mes autoriteteve ukrainase dhe popullit që ato supozohet ta përfaqësojnë.

Përderisa ukrainasit ia japin shkallën më të lartë të besimit në ushtri, qeveria ukrainase nuk duartrokitet gjithmonë për veprimet e saj. Qeveria e ka përdorur gjendjen e jashtëzakonshme për t’i shtyrë reformat që më parë kanë qenë subjekt i vëzhgimit të hollësishëm e kundërshtimit publik. Këtu përfshihet largimi i përkohshëm i marrëveshjeve kolektive për çështjet si paga dhe pushimet për punëtorët e kompanive të vogla dhe të mesme, si dhe një ligj për planifikimin urban që u jep të drejta pothuajse të pakufizuara zhvilluesve të pronës, me pak mbikëqyrje publike.

Më 2019, kur e njëjta qeveri u mundua që të miratonte një ligj që do t’u hiqte punëtorëve shumë prej të drejtave themelore, sindikatat e punëtorëve e kundërshtuan atë me protesta masive. Edhe ky projektligj është kthyer, gjithashtu, por sindikatat e punëtorëve do të kenë kohë më të vështirë për të luftuar kësaj radhe, sepse tash protestat janë të ndaluara me ligjin e luftës.

Për ta lexuar opinionin e plotë në gjuhën angleze në gazetën "The Guardian", mund të klikoni këtu.

Lajme të ngjashme