Kam një shok të dënuar me vdekje, është njeriu më i jashtëzakonshëm që njoh
Kam një mik telefonatat e të cilit i hap gjithmonë, pavarësisht se ku jam ose çfarë jam duke bërë. Jarvis Masters më thërret nga burgu ku e pret dënimin me vdekje, kur mund ta marrë telefonin – kurrë nuk kam parë se si funksionon kjo, por rojat e burgut çojnë një lloj aparati në një kafaz të vogël në të cilin ai është mbyllur në 30 e diçka vitet e kaluara dhe ai e realizon telefonatën. Unë mbaj një fond të mbushur për këto telefonata.
Rebecca Solnit (Artikulli është shkruar fillimisht për The Guardian)
Telefonatat, për të cilat një zë na paralajmëron se mund të vëzhgohemi, ndërpriten automatikisht pas 15 minutave. Nëse ata nuk e marrin telefonin që ta përdorë dikush tjetër, ai mund të thërrasë.
Qeshim dhe tallemi shumë dhe flasim për gjithçka, por jo shumë për jetën e përditshme gjatë pritjes së dënimit me vdekje në burgun shtetëror “San Quentin”. Kjo nuk është zakonisht ajo për të cilën dëshiron të flasë, edhe pse, gjatë një vizite të bërë rishtazi, ai tregoi për një rrëfim shumë qesharak për Charles Manson-in nga koha kur Manson-i e kishte qelinë pranë tij. Të jetosh 41 vjet në një kafaz të vogël, në një strukturë betoni, është të jesh i privuar thellësisht në aspektin ndijor dhe kjo e ka bërë atë të etur për dëshmi të dorës së dytë nga bota e jashtme.
Nganjëherë më duket se jam shoqe e Helen Keller-it – në një vizitë të bërë rishtazi, me kërkesën e tij, unë po përshkruaja një vend në të cilin kisha shkuar për ngjitje në bjeshkë dhe ai kërkoi nga unë që t’i kujtoja se çfarë është myshku. Ai është person që ka lexuar dhe vëzhgues, por dyshoj që nuk ka ecur në bar gjatë tërë atyre viteve. Një herë, kur po flisnim për atë se si mund të jetë jeta, kur ai të dilte, ai ishte i befasuar, kur kuptoi se do të mund t’i shihte miqtë e tij përnjëherë, ndoshta për shkak se na kishte parë nga një ose nga dy gjatë tërë këtyre viteve.
Jarvin më ka telefonuar, kur isha duke i ngjitur në bjeshkë dhe jam munduar që ta marrë me vete, duke ia përshkruar terrenin sa më qartë që mundem, duke marrë frymë me zor duke u ngjitur përpjetë. Më ka telefonuar kur isha në protestën e aeroportit kundër ndalimit të udhëtimit për myslimanët nga administrata e Trumpit, prandaj e kam vendosur në lidhje me zë të lartë që ai t’i dëgjonte brohoritjet dhe betohem që ai ishte më i pranishëm se unë. Më ka telefonuar kur isha duke e drejtuar veturën për në shtëpi, pasi e kisha bërë punën e votimeve në Nevada, prandaj shoqja ime, Anna, dhe unë i treguam se çfarë bëmë dhe si funksionon ajo.
Kur telefonoi javën e kaluar, isha duke pjekur një tortë, prandaj biseduam pak për të, pastaj rumi i errët që e vendosa në të, më shtyri që ta pyesja për pijen e tij të parë (duke i zbrazur shishet që nëna e tij dhe shoqet e saj i kishin lënë pak pa i përfunduar) dhe për burrat që rrinë tërë ditën jashtë duke pirë nga shishet e mbështjella me qese ngjyrë kafeje në lagjen e varfër ku ai është rritur, në jugperëndim të Los-Angelesit. Ato kujtime të vjetra janë ndoshta më të qarta, për shkak se jeta e tij ka qenë aq e kufizuar që nga ajo kohë. Më tregoi për një grumbull veteranësh të luftës së Vietnamit që pinin alkool nga ato qese letre dhe si u afrohej si fëmijë. “Ata nuk ishin vërtet të mirë, por ishin vërtet të shkathët për këtë”- tha ai. U tallëm me brendet e vjetra të verës së lirë – “Ripple”, “Night Train” – dhe i premtova se do të shikoja nëse ato prodhohen ende.
Flasim për jetën e përditshme, për shëndetin e tij, për familjen time, ushqimin dhe gatimin, politikën, punën letrare – ai është autor i dy librave, përfshirë një libër kujtimesh që ishte në përzgjedhjen e “Oprah’s Book Club”, që e kishte hedhur në listën e librave më të shitur në listën e “New York Times”-it. Dhe natyrisht që flasim për rastin e tij dhe rishtazi folëm seriozisht për atë nëse ai do të dalë dhe kur do të dalë, pasi rasti i tij përfundimisht është në shqyrtim në sistemin e gjykatës federale, 32 vjet pas dënimit. E di se do të ketë gëzim e festë, por edhe shumë traumë e çorientim – ai do të jetë si – i kam thënë – si ushtar që kthehet në shtëpi nga lufta.
Jarvis shkoi në burgun “San Quentin” në moshën 19-vjeçare për plaçkitje të armatosura që i ka kryer, pastaj iu vu faji disa vjet më vonë për një krim që unë dhe shumë të tjerë besojmë se nuk e ka kryer: mprehja e armës me të cilën ishte vrarë një rojë burgu. Përmes një gjykimi të dobët në mënyrë tmerruese, ai është dënuar përmes dëshmisë së një spiuni famëkeq të burgut dhe të burgosurve të tjerë që i kanë tërhequr rrëfimet e tyre, përderisa dëshmia shfajësuese është fshehur. Edhe njëri nga fëmijët e rojës së burgut e ka shfaqur publikisht besimin e tij për pafajësinë e Jarvisit dhe e përkrah lirinë e tij, njësoj si Oprah.
Pasi një hetues i mbrojtjes në rastin e vrasjes e solli në budizëm në vitet tetëdhjetë, Jarvisi bëri tri gjëra domethënëse përmes praktikumit të budizmit. Ai ndërtoi një faltore në mendjen e tij për të gjetur një lloj paqe brenda brutalitetit të zhurmshëm të burgut. Ai u bë prani qetësuese dhe paqebërës për shumë njerëz aty, duke i parandaluar dhunën dhe vetëvrasjen. Dhe ai disi ndërtoi një jetë të madhe për veten përtej mureve, me lidhje me komunitetin e budistëve tibetianë, ata libra e shumë miqësi.
Jarvisi është person i shquar, por halli i tij, fatkeqësisht, është i rëndomtë. Në mbarë shtetin me më së shumti të burgosur në planet, të burgosurit po i përdorin telefonat si linja jete për të qëndruar në kontakt me botën më të gjerë, për të parë përtej botës së pangjyrë të çelikut e betonit, për të sjellë ndër mend se sa më e pasur mund të jetë jeta. Nuk ka asgjë fisnike në fundin tim për miqësinë me të. Unë përfitoj shumë, jo më pak nga ajo se kjo i vë hallet e mia në kontekst dhe rishtazi nga mirësjellja e tij drejt një raporti të ri se kush po vuan. Por kryesisht në telefon vetëm bëjmë shaka dhe qeshim.