Ibrahim Rugova i përjetshëm - NACIONALE

Ibrahim Rugova i përjetshëm

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shkruan: Muhamet Hamiti

Ibrahim Rugova ndërroi jetë herët, 61 vjeç, më 21 janar 2006. Po t’ishte gjallë, do t’i mbushte 80 vjet sot, më 2 dhjetor 2024. Për të gjallë të vet u bë njeriu ynë i shekullit falë veprës së vet të madhe, për trashëgiminë që e krijoi dhe ia la popullit dhe vendit të vet, Kosovës sonë të dashur. Është mbiquajtur Presidenti historik i Kosovës. Po ashtu, Ati Themeltar i shtetit tonë. Ky është Ibrahim Rugova i përjetshëm. Karizma e tij është rritur me kalimin e kohës, sepse trashëgimia e tij është në themelet e Republikës demokratike, të pavarur dhe sovrane të Kosovës që synon të bëhet pjesë e pandashme e sistemit ndërkombëtar, duke u integruar në BE dhe në NATO, në strukturat perëndimore politike dhe të sigurisë, pastaj tutje në OKB, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dijetar shembullor, kritik e teoricien i letërsisë, Ibrahim Rugova bashkë me qarkun e intelektualëve të Prishtinës i rivendosi lidhjet me traditën shqipe, e cila ishte nëpërkëmbur nga sistemi komunist në Kosovë dhe në Shqipëri; njohu dijet klasike e moderne, qe në kontakt me rrjedhat bashkëkohëse të studimeve letrare në Evropë dhe SHBA që nga vitet 70-të të shekullit XX. Vepra e tij kritike-studimore nisi me “Prekje lirike” (1971) dhe u kurorëzua me librin “Refuzimi estetik” (1987) që shënoi kalimin e Rugovës prej dijetari te veprimtari, krejt natyrshëm, si të ishte profeci që do të përmbushej vetvetiu. U bë artikuluesi autentik i fatit të shqiptarëve të Kosovës, kultura dhe jeta e të cilëve ishin vënë në shënjestër nga Serbia në vitet 80-të.

Ibrahim Rugova u bë zëdhënësi dhe prijësi i popullit të Kosovës në vitin 1989, kur iu shkel pozita kushtetuese, iu nëpërkëmb kultura, i kërcënohej rreziku kolektiv. Ibrahim Rugova e themeloi dhe i priu Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë antikomuniste shqiptare në këto hapësira, kur kjo mori mbi vete fatin e popullit dhe vendit të vet. Presidenti Ibrahim Rugova e udhëhoqi lëvizjen për liri, pavarësi dhe demokraci të Kosovës, strumbullar i së cilës ishte LDK-ja, që e bëri shtetin, Republikën e Kosovës të viteve 90-të, që në rrethana të papërsëritshme e ruajti substancën njerëzore shqiptare - rezistoi dhe luftoi populli ynë edhe me armë (UÇK) për shtetin e pavarur të Kosovës.

Kosova doli e lirë më 12 qershor 1999, mbas sakrificash të mëdha, fitimtare sepse Kosova kishte bërë luftë çlirimtare dhe ishte ankoruar me Perëndimin. Aleanca më e madhe politike-ushtarake në historinë e njerëzimit, NATO-ja, luftoi për të shpëtuar popullin tonë nga lufta gjenocidale e Serbisë së Millosheviqit. Miqtë që kishte krijuar Ibrahim Rugova gjatë një dekade me politikën e urtë, me lëvizjen tonë nacionale, me njerëzit e përkushtuar të këtij vendi, dolën krah nesh në momentet vendimtare për fatin tonë. Ibrahim Rugova e vazhdoi luftën e vet politike për pavarësi të Kosovës mbas çlirimit dhe madje udhëhoqi delegacionin e Kosovës në procesin ndërkombëtar për përcaktim të statusit politik të vendit tonë, që ai e dinte dhe e thoshte me ngulm se do të ishte Kosova e pavarur dhe sovrane.

I zgjedhur katër herë President i Kosovës, dy herë para lufte, dy herë mbas lufte, Rugova shkoi nga kjo botë pa e parë të përmbyllur këtë proces, që ishte i paevitueshëm tashmë falë punës së tij, të organizimit shembullor nacional të cilit i priu ai. Prandaj, Ibrahim Rugova është Presidenti ynë historik dhe Ati Themeltar i shtetit të Kosovës. Njeriu me të cilin na njohu bota demokratike dhe na identifikon edhe sot, sepse Rugova dhe Kosova janë binom i pandashëm në sytë e shqiptarëve dhe në sytë e botës.

Sot, në 80-vjetorin e lindjes së Ibrahim Rugovës, e kujtojmë burrështetasin e parë të shtetit të Kosovës. E festojmë trashëgiminë e tij, rugovizmin. Rugovizëm është filozofia politike e tij – e mbrujtur në humanizëm, në mirësi, në tolerancë, në demokraci, në vlera shqiptare, në rrënjët identitare të Kosovës, në krahun vleror perëndimor – por edhe tërësia e veprës së tij intelektuale dhe e veprimit të tij politik. Në Kosovë jetoi dhe për Kosovën punoi Presidenti Ibrahim Rugova deri në frymën e tij të mbramë.

Unë që e kam njohur herët dhe kam punuar me Ibrahim Rugovën deri në fund të jetës së tij, e kujtoj me mall si sot, përditë, mikun tim, njeriun dhe prijësin e dashur, Presidentin historik, Atin Themeltar të shtetit të pavarur të Kosovës.

Lajme të ngjashme