Evropa s'ka kohë për ne
Shkruan: Vlera Gjakova
Në fillim, të përjashtojnë me procedurë. Pastaj, nuk të përmendin më as me emër. Dhe në fund, nuk mungon — sepse askush nuk e vëren mungesën tënde. Ky është realiteti diplomatik i Kosovës në vitin 2025. Jo i refuzuar, por i pakuptuar. Jo i sulmuar, por i anashkaluar. Jo i pranishëm, por i harruar.
Pika e nxehtë e pranverës 2025, takimi i Komitetit të Ministrave në Luksemburg, u bë metaforë e mungesës së Kosovës në tryezat ku merr formë pjesëmarrja evropiane. Nuk është fjala për një dështim teknik, por për një anomali konceptuale në vetë mënyrën se si Republika e Kosovës e përfytyron shtetin në raport me strukturat ku dëshiron të bëhet pjesë. Mospërfshirja në agjendën e sesionit të 134-të të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nuk është vendim politik – është pasqyrë e vetëshkëputjes nga rregullat e bashkësisë evropiane.
Çështja nuk është pse nuk hymë. Pyetja është: çfarë kemi ndërtuar në ndërkohë për ta merituar atë hyrje? Diplomacia jonë është akt performativ për konsum të brendshëm, ku premtimet përmbushen vetëm në komunikata, jo në dokumente të verifikueshme. Draft-statuti i propozuar nga BE-ja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe është cilësuar nga Qeveria e Kosovës si një dokument joformal non-paper, ndërsa BE-ja e konsideron atë si një propozim të dakorduar në parim dhe kërkon veprime konkrete për zbatimin e tij. Në këtë klimë vetëreferenciale, Kosova ka kaluar nga subjekt politik me orientim integrues në siluetë të paqartë diplomatike.
Kryeministri fton ambasadorët për të rikonfirmuar rrugën evropiane, ndërsa ambasadorët artikulojnë publikisht shqetësime për krizën institucionale. Kjo asimetri nuk është më keqkuptim protokollar – është shenjë se shteti nuk e përkthen më interesin kombëtar në një gjuhë të kuptueshme për aleatët. Pavarësisht deklarimeve për plotësim kriteresh, anëtarësimi i Kosovës nuk ishte pjesë e agjendës së sesionit të Këshillit të Evropës. Kjo nuk është refuzim por është mungesë imponimi. Në diplomaci nuk ka ftesa për ata që nuk dinë të bëhen të domosdoshëm.
Më shqetësuese është mungesa e vetëkritikës. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës flet për kritere të padrejta, ndërsa Zyra e Kryeministrit flet për dinjitet. Por diplomacia moderne nuk njeh retorikë, njeh kapacitet. Kosova perceptohet gjithnjë e më shumë si anomali diplomatike: me aspiratë evropiane, por instrumente simbolike. Një shtet që flet shumë, por përgatitet pak. Një projekt që e sheh veten si të përhershëm, por jo si partner të besueshëm.
Ky boshllëk strategjik nuk është rastësor – është trashëgimi nga mënyra si është imagjinuar politika e jashtme që nga 2020-a. Në Evropë nuk hyhet përmes përkrahjes emocionale, por përmes dokumenteve dhe harmonizimit të brendshëm. Nuk ka vend për shtete që politikën e jashtme e përdorin si zgjatim të krizës së brendshme. Në 2020-ën, dialogu Kosovë–Serbi kishte potencial. SHBA me fokus në rajon, BE me momentum të ri, dhe dy qeveri të fuqishme. Por ajo dritare u mbyll shpejt. Në 2025, mungon koha, mungon vullneti, mungon besimi.
Peter Sorensen, përfaqësues i ri i BE-së, trashëgoi një proces të shterur. Mandati i tij është ruajtje kujtese institucionale, jo diplomaci reale. Dialogu nuk është më një proces që prodhon marrëveshje, por një ritual diplomatik që mbahet në jetë për të shmangur pranim të dështimit. Sorensen nuk vepron si negociator, por si kujdestar simbolik i një procesi që pak kush e beson. Nëse dështon, nuk do të jetë fajtor. Nëse ndodh ndonjë sukses, ai do të jetë përjashtim, jo rezultat. Kosova nuk humbi vetëm një vend në agjendë. Po humb rolin si shtet me rrugë të strukturuar integrimi. Që nga 2016, kur hyri në fuqi MSA, nuk është ndërmarrë asnjë hap i ri formal.
Integrimi ka hyrë në autopilot – i kushtëzuar nga dialogu që ka shndërruar politikën e jashtme në retorikë. Sipas Barometrit të Reformave Evropiane, Kosova mori vetëm 53 nga 100 pikë të mundshme – për të dytin vit me radhë. Nuk ka hapur asnjë kapitull formal me BE. Ndërkohë, Serbia ka hapur 22, Mali i Zi 33, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në skrining. Kosova nuk ka hyrë ende as në atë fazë. Pengesat janë të njohura: administratë e dobët, polarizim politik, buxhet që mbulon paga e mëditje – por jo reforma. Në vend të progresit kemi status të ngrirë me vetëkënaqësi retorike. Integrimi përkufizohet si aspiratë pa mekanizëm.
Në 2020-ën, dialogu dukej si porta hyrëse në Evropë. Në 2025-ën, është kthyer në koreografi boshe. BE, duke toleruar këtë performancë, relativizon seriozitetin e vet institucional. Sot pyetja nuk është kur hyjmë?, por a jemi më të përkthyeshëm në gjuhën që Evropa e kupton? Sepse integrimi nuk është çështje datash – është çështje ekzistence: ose je pjesë e logjikës së sistemit, ose je përjashtimi që harrohet. Diplomacia nuk njeh fjalë të mëdha pa përkushtim të vogël, qeveri që shpallin prioritetin e integrimit dhe lënë gjithçka pezull, shoqëri që kërkon respekt por s’artikulohet me disiplinë. Kosova nuk mund të jetë as martire e integrimit, as mit nostalgjik. Nëse nuk bëhet aktor real, do mbetet simbol në një hartë që po e rishkruajnë të tjerët.