Edvin, aman mos e importo modelin e Kosovës, thuaj ‘Po’ Zvërnecit
Shqipnís tonë sot i trokasin në derë mundësi që vijnë njëherë në njëqind vjet. Familja Trump është vetëm një nga investitorët që përnjëherësh po i tërheq toka shqiptare si vend i sigurt. Kosova albinkurtiste s’ka investitorë dhe i ngjan një stacioni të braktisur treni në një qytet fantazmë sovjetik. Kosova sot është në hallin ku njerëzia shkojnë në aeroport me tupanë e me defa për t’i pritur kurbetçitë që do të investojnë në syneti, zijafete e dasma gjatë verës.
Col Mehmeti
2 qershor 2026 – Në vjeshtën e 2013-s, Edi Rama i sapoardhur në krye të guvernës u gjend papritmas në një si ecje në litarin e pehlivanit.
Në atë kohë flitej poshtë e përpjetë për kërkesën amerikane që në Shqipní të bëhej zbërthimi i armëve kimike nga Siria.
Si rrallëherë, shoqërinë andej Drinit e përfshiu rrebja e krenarisë sovraniste që nuk donte se nuk donte që toka shqiptare t’i bënte vend asgjësimit të lëndëve vdekjeprurëse të regjimit asadist.
Një dilemë hamletiane për kryeministrin e ri: të dëgjonte zërin sigurues të ambasadës amerikane apo fantazitë e popullit të piacës?
Nga nevoja për pak flirt me populizmin, Rama atëherë u bë njësh me njerëzit e turmave dhe ia përplasi ‘Jo’-në e parë amerikanëve.
Ambasadori, Alexander A. Arvizu, burrë zotni e pozitiv, u zhgënjye pakëz, por nuk e prishi terezinë për një marri shqiptarësh.
Populli heroik, pa ia huqur dakikut, mësyu palestinezçe rrugëve me dajre e lodra, kurse demiurgët e diskurseve lleftiste e shënuan në defter një ‘fitore’ tjetër të popullit.
Fitore e popullit? Eh, mu këtu bërtet një kundërthënie, një oksimoron i madh gjer te rétë.
Fitoret e popullit janë formulime eufemistike për të fshehur vrazhdësinë e imazhit kur një lideruc populist kompensohet për gjytyrmllëkun e vet duke e bërë të fortin para Perëndimit.
Fitoret e popullit rrallëherë i bëjnë nder kompasit gjeopolitik dhe interesave të njëmendta strategjike të kombit, nëse zgjedhim të flasim me idiomën e ftohtë të gjeopolitikishtes.
Po ta banalizonim shtjellën e muhabetit për hir të argumentit, historia e regjimit shqiptarovrasës të Enverit ishte një konsekuencë e gjatë ‘fitoresh’ të popullit përballë atij që në librin enverhoxhaist u quajt “rrezik angloamerikan”.
Më e mirë se perla e Buzzatit
Nga ‘Jo’-ja e Ramës më 2013 e deri më sot ka rrjedhur shumë ujë nën urë.
Gjysmës sonë andej Drinit po i troket në derë një mundësi e rrallë investimi.
Ai që dikur gëzonte nam të zi si skëterrë syrgjyni për armiqtë e komunizmit, Zvërneci mund të bëhet një nga bashçet më të bukura të Mesdheut.
Nuk është aspak çështja te vlera e tij e hatashme financiare (4 miliardë euro, ej!) si ofertë zor e refuzueshme, sa është prospekti që riviera e jugut të bëhet e bereqetshme ekonomikisht si ngjallja më e madhe e jugut.
Deri më sot, Shqipníja nuk dilte tej fatit të saj si e burgosura nën xhybenë e reputacionit si vendkeq i Evropës.
Si fëmijë kampi, ajo shihte me sytë e zgjyrtë nga pashpresa sesi investitorët e huaj i kthenin në vise paradisi vijat bregdetare në Kroaci, Mal të Zi e Greqi.
Por, Shqipníja sot e ka në dorë që të marrë perlen nga goja e balenës si te tregimi i Dino Buzzatit e bashkë me të edhe nderin që të bëhet vendi më i besuar aleat i Shteteve të Bashkuara.
Luaj flamenco mashtrimi për zogjtë flamingo
Guverna në Tiranë nuk duhet të eptohet para mashtruesve toksikë që bëhen sikur po e vajtojnë mjedisin dhe kolonitë e shpendve flamingo.
E vërteta cullake është se populli ynë andej Drinit, njësoj si kjo gjysma këndej, është ai që kurrë nuk e lindi pjesëtarin legjendar që e do pastërtinë publike, që nuk pështyen e pëshurr qençe aty e këtu.
Në Shqipnín e shekullit të ri edhe afreskave të pafajshme ortodokse iu nxirren sytë; edhe pikturave e artit shkëmbor iu bëhet gjëma; edhe ata pak arinj e rrëqebuj vriten në gjah për qejf.
Kaq sa i përket çiltërsisë së atyre që e mbrojnë Zvërnecin lagunor.
Tani ideologjia e poshtër antiperëndimore, herë me pëshpërima lleftiste, herë me aso islamiste, iu thotë “Tani e keni rastin t’i bini Amerikës!”
Kjo është arsyeja pse protestuesve iu shtihohen para syve edhe gjëra që s’ekzistojnë.
Dikush gënjeu se në Zvërnec valon flamuri izraelit, dhe voilà u organizuan edhe vullnetarë islamikë nga Kosova.
Mos e ‘kosovarizo’ Shqipnín!
Sot më shumë se kurrë Shqipníja ka nevojë ta gardhojë veten prej një rreziku paradoksal që i vjen nga një copë e saj, nga Kosova e çmendur albinkurtiste.
Shumë njerëz andej Drinit që thonë se protestojnë që familja Trump të mos i fusë duart lakmiqare në Zvërnecin magjik, pakuptueshëm e qesharakisht po e gjejnë veten duke e parë Albin Kurtin si model dhe Kosovën verdhacuke si alternativë më të mirë sesa Shqipníja ediramiste.
Ç’mjerim!
Por çka ofron Kosova nëse populli opozitar i andej Drinit gjen yrrnek frymëzimi te Albin Kurti?
Në të vërtetë, Kosova nuk është as frymëzim për të mbarët e as shembull për vizionarët.
Regjimi i saj populist ka rekord që i lë pas edhe bjellarusët e izoluar me aftësinë e vet për të trembur e larguar krejt investitorët e huaj.
Kosova e Albin Kurtit i tha ‘Jo’ kretene projektit më serioz amerikan që do të siguronte për jetë e mot mëvetësi energjetike.
Po kështu, Kosova e Albin Kurtit s’u mjaftua me kaq në egërsinë e saj tribaliste, por i tha ‘Jo’ edhe projektit tjetër gazsjellës me të cilin do të diversifikohej prodhimi i energjisë siç bën e gjithë Evropa që nuk e do Rusinë.
Për të gjitha këto pisllëqe Kurti gjeti mbështetës kudo.
Pati mediume si ai i Jeta Xharrës, pati ‘ekspertë’ energjetikë që flisnin kundër termocentralit amerikan, pati madje edhe ‘aktivistë’ mjedisorë që nuk donin që Amerika ta zezonte ajrin e pastër kosovar.
Model albinkurtist për Shqipnín? Jo, faleminderit!
Sot, Kosova me Albin Kurtin është si ai dordoleci kokëkashtë i arave që bëhej për t’i trembur shpendët, por më fort ishte i frikshëm për të rriturit sesa për fëmijët.
Shqipnís andej Drinit sot i ofrohen miq investitorë nga mbarë bota, Kosova albinkurtiste pret në aeroport kurbetçinj.
Dhe ç’skena!
Në njërën anë rrinë familjarët që porosisin tupanxhinj e defatore, kurse nga andej vijnë mes brohorimash kurbetçitë që do të investojnë në syneti, zijafete e dasmat e caktuara për verë.

Kjo është e vërteta e modelit albinkurtist që disa idiotë të vyeshëm në ‘protestat’ në Tiranë po e imitojnë majmunërisht me duar e me gjeste.
Nëse ende nuk kuptohet se çfarë rreziku bart importimi i Kosovës albinkurtiste, le të flasin shqiptarët fatprerë të Maqedonisë.
Edhe atje Kurti gëzonte nam të madh, por modeli kosovar i degradoi dhe i bëri të papeshë.
Kur VMRO-DPMNE-istët e Mickoskit e bënë për vete kosovarin e ndershëm e patriot, gospodin Kurtin, atëherë ata nisën t’i bëjnë naze edhe projektit të vetëm investiv që prekte Maqedoninë perëndimore, siç është “Korridori 8”.
Dhe, në fund fare, le ta kontrastojmë këtë model kosovar me një shembull nga fqinjëria.
Siç shkroi tash së fundmi edhe Guardian, edhe Dodiku i Republika Srpska-s duket se po heq dorë nga ngulmimi i tij antiperëndimor, madje gjithnjë e më shumë po i thotë ‘Po’ projektit të gazit amerikan, madje duke i tradhtuar edhe rusët.
Tupani bie për ata që kanë vesh…