Edi Rama, ky kryeministër që po “torturon” veten duke fituar - NACIONALE

Edi Rama, ky kryeministër që po “torturon” veten duke fituar

2 vjet më parë

nga Mero Baze

Për të disatën herë Sali Berisha ka zbuluar se Edi Rama po nxin dhe steros kur fiton Kombëtarja. Madje ka një ekstazë kur e përshkruan këtë fillimin e drithmave dhe nervozizmin e Edi Ramës, sa duket që është një ëndërr e gjatë e tij, ta bëjë një herë nervoz, d.m.th ta çmendë duke e mundur qoftë dhe një herë.

Nuk ja ka dalë dot kësaj, por me sa duket ja kanë dal lojtarët e Kombëtares. Ata e çmendkan Edi Ramën duke fituar.

Për herë të parë e çmendën fare më 2016, kur shkuan në Evropian. Pastaj me fitoret e tyre në vazhdim dhe dy fitoret e shkëlqyera me Poloninë dhe Çekinë.

Në të dy rastet Berisha ka konstatuar se sapo topi hyn në rrjet, Rama nis e dridhet, pastaj nxihet, pastaj shan nëpër dhëmbë shqiptarët, pastaj Shqipërinë, pastaj kosovarët që luajnë në Kombëtare pastaj, ata të Maqedonisë dhe në fund e përfundon duke thënë “Fuck Albin Kurti.”

Mënyra si Berisha e shpjegon këtë i ngjan një ëndërrimtari të madh, një njeriu që ka pritur gjithë jetën e tij t'ia shkaktojë ai këtë dramë. Por ja që Edi Rama po ja shkakton vetes.

Vetë u investua tek sporti qysh kur erdhi në pushtet, vetë u kruajt e bëri stadiume të reja, vetë u mor personalisht me ekipin kombëtar, madje vetë ka shkuar ka rekomanduar për trajner dhe këtë brazilianin e ndyrë që vetëm di të fitojë dhe i prish gjakun.

Nuk ja ka fajin njeri. Edhe është antishqiptar dhe e urren Kombëtaren, dhe shkon e zhvillon sportin, bën stadium, ndihmon ekipin dhe ata fitojnë duke i prishur gjakun.

Ishte mirë Berisha kur ishte në pushtet. Asnjë stadium, asnjë fitore, asnjë fushë sportive, madje dhe një klub të famshëm që kishte Tirana, Klubin Partizani, e mori ja dha vajzës dhe tani ka rreth 200 apartamente në pronësi.

Është dhe i qetë, dhe shijon fitoret e Kombëtares, që tërbojnë Edi Ramën si antishqiptar. Kurse Edi Rama dhe e di veten që është “antishqiptar”, dhe shkon e ndihmon Kombëtaren të triumfojë.

Ky është përfytyrimi i një foltoristi kur dëgjon Sali Berishën të thotë që “Edi Rama nxin e steron se fiton Kombëtarja”. Madje për këtë arsye vjen dhe Albini nga Kosova, që të ketë të paktën një kryeminsitër dhe një ish- kryeministër që gëzon.

Dhe ju thoni pastaj jo nuk fitojnë se janë të përçarë, jo nuk fitojnë se ishte McGonigali, jo nuk fitojnë se i përçau Luli me Monikën, jo nuk fitojnë se i kanë vjedh Gaz Bardhit vulën etj.

Po si mund të fitojë dikush që është në këtë derexhe nga mëndtë e kokës! Pa mendoni një moment sikur të fitonin dhe këta të marrë të ishin në pushtet?

Do na dukej fitorja e Kombëtares si fillimi i luftës në Gaza./GazetaTema/

Lajme të ngjashme