E vetmja gjë që nuk do Berisha është “bashkimi” i opozitës - NACIONALE

E vetmja gjë që nuk do Berisha është “bashkimi” i opozitës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Debati për “bashkimin” e dy PD-ve para zgjedhjeve nën udhëheqjen e Berishës ka filluar të përballet me reaksionin e disa prej figurave të Berishës në “Foltore”, të cilët në të vërtet zbulojnë objektivin e vërtetë të Berishës, i cili nuk ka në mendje “bashkimin”, por gjunjëzimin e PD zyrtare që e ka refuzuar deri tani me një shumicë parlamentare.

Shkruan: Mero Baze

Sulmet ndaj Alibeaj apo Gazmend Bardhit, duke pasur gjithmonë në sfond Lulzim Bashën, nga disa personazhe groteskë të “Foltores”, në fakt duan të nxitojnë për të frenuar lidershipin e PD të përfshihet në këtë proces, pasi realisht Berisha kërkon gjunjëzimin e tyre dhe jo ndonjë proces bashkimi.

Berisha është i qartë se procesi i bashkimit real të PD, kërkon largimin e tij dhe ai është e vetmja gjë që nuk do. Ai do të flasë për “bashkimin” me qëllim që të tërheqë një numër të madh deputetësh në anën e vet, para se Gjykata e Tiranës të marrë vendim për legjitimitetin e PD.

Incidentet e provokuara prej tij, synojnë vetëm ndryshimin e balancës dhe krijimin e një shumice pro Berishës në grup parlamentar. Është një nga përpjekjet e tij të shumta njëvvjeçare të pasuksesshme deri më sot, përfshi dhe sulmin e dhunshëm të 8 janarit në selinë e PD.

Bashkimi i demokratëve nuk është një proces që mund ta udhëheqë Berisha, për të cilin janë ndarë. Bashkimi i opozitës bëhet duke u përjashtuar ai nga drejtimi dhe duke krijuar një institucion që i bashkon demokratet dhe i çon drejt zgjedhjeve të reja brenda PD.

Kjo që po tenton të bëjë Berisha është një proces “diferencimi” për të tërhequr në anën e vet, njerëz “pa shumë krime” në mbrojtje të Lulzim Bashës. Nuk është se i duhen për të ardhmen, por i duhen sa për të kaluar këtë krizën e pakicës që po e mund prej një viti.

Ndaj dhe po bëhet kaq shumë kujdes që të mos vihen kushte për bashkimin, pasi krye kushti i bashkimit është largimi i përçarësit Sali Berisha. Pra nëse ka ndonjë gjë që është e gjitha kundër Berishës, është bashkimi real i opozitës. Ndaj duhet bërë kujdes kur përdoret kjo fjalë. Nuk ka lidhje me këtë proces.

Ky është proces gjunjëzimi i kundërshtarëve të Berishës dhe diferencimi brenda tyre. Pra është një thellim i përçarjes dhe i luftës së nisur më 9 shtator të vitit të shkuar për të gjunjëzuar PD para Berishës dhe jo një proces bashkimi, që natyrisht do kërkonte largimin e Berishës. Dhe gjunjëzimi i PD i duhet para vendimit të Gjykatës, jo para zgjedhjeve, se zgjedhjet janë ende muaj larg.

Lajme të ngjashme