E Djathta politike që i mungon Kosovës
Nga: Prof. Dr. Robert Muharremi
Skena politike në Kosovë sot dominohet nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), të cilën zgjedhjet e fundit e kanë dëshmuar si politikisht më të përgatitur dhe tërheqëse për qytetarin dhe e cila e ka konsoliduar spektrin politik të majtë. Ajo erdhi në pushtet me premtime për drejtësi sociale dhe luftimin e korrupsionit dhe të elitave oligarke. Fatkeqësisht ajo po shfaq gjithnjë e më shumë tipare të një majtizmi nacionalist-popullist dhe një qasje autoritare që ngulfat ndërmarrësinë e lirë duke etiketuar bizneset si oligarkë të paskrupullt. Bashkësia ndërkombëtare e kritikon se po cenon ndarjen e pushteteve duke ndërhyrë në punët e institucioneve të pavarura (gjykatat, prokuroria publike, mediat). E ka izoluar Kosovën në rrafshin ndërkombëtar më shumë se asnjë herë në historinë e saj si shtet i pavarur në një kohë kur paterneriteti me botën perëndimore është çelësi për mbijetesën politike të Kosovës si shtet. Vendosja e sovranitetit në veri të Kosovës bëhet vetëm falë mburojës që qeverisë ia ofron prezenca e NATO-së sipas rezolutës 1244, dhe e cila nuk dihet sa do të qëndrojë marrë parasysh ndryshimet gjeopolitike që po përjetojmë.
Përballë saj kemi “treshën” tradicionale të përbërë nga LDK, PDK dhe AAK, të mbytura nga mungesa e reformave të brendshme dhe të përçara jo vetëm mes vete por edhe brenda vetes. Këto parti po e humbin çdo ditë e më shumë lidhjen me realitetin e qytetarit duke mbetur peng i nostalgjive të vjetra politike, siç janë “Rugovizmi” dhe “Vlerat e UÇK”, të cilat dikur kanë ngjallur entuziazëm, por të cilat sot votuesi i ri nuk e ka idenë se çfarë kuptimi kanë për të zgjedhur problemet e të sotmës. LDK-ja ka mbetur pa lidership dhe peng i një nostalgjie “rugoviane” që nuk prodhon më zgjidhje. PDK-ja dhe AAK-ja po paguajnë faturën e gjatë të perceptimit si “uzurpatorë” dhe “zhvatës” të shtetit. Këto parti dështuan të ndërtojnë një ideologji të mirëfilltë të djathtë, duke ndjekur politikë klienteliste dhe duke menduar se mjafton që të qëndrojnë në anën e ShBA-së që të mbeten në pushtet. Kjo qasje i hapi derën LVV-së, e cila premtoi ndëshkimin e elitave, por solli një model ekonomik që rrit varësinë nga lëmosha e shtetit dhe ngulfat ndërmarrësinë e lirë, e cila është një prej vlerave themelore të shoqërisë shqiptare të Kosovës.
Skena politike e Kosovës po ashtu i ngjan një fushëbetejë ku fituesi nuk po zgjidhet për shkak të fuqisë së ideve, por duke djallëzuar dhe rraskapitur kundërshtarët dhe ku vlera dhe përmbajtja nuk kanë rëndësi por vetëm sa “like” prodhon në media sociale. Për LVV, “treshja” tradicionale e përçarë dhe e pa ide të reja është “argati” më i mirë për të mbetur në pushtet. Zgjedhjet e fundit kanë dëshmuar, se LDK, PDK dhe AAK nuk do të ringjallën më, dhe se për një kohë gjatë LVV do të dominojë pa asnjë forcë politike përballë saj që do të mund ta sfidojë dhe barazpeshojë.
Në këtë gjendje, Kosova nuk ka nevojë për riciklim të figurave dhe partive të vjetra, por për një forcë politike të re të djathtë të bashkuar, e cila i kundërvihet të majtës dhe e cila kombinon vlerat tradicionale-nacionale dhe konservatore me parimet e tregut të lirë dhe të lirive të njeriut. Një forcë politike e re e djathtë në Kosovë duhet të mbështetet në një konservatorizëm modern që mbron vlerat e familjes, të shtetit të së drejtës, dhe të traditës kombëtare shqiptare dhe e cila njëkohësisht mbron lirinë dhe të drejtat e secilit dhe nuk e sheh biznesin si armik, por si shtyllë të shoqërisë dhe të shtetit, i cili krijon mundësi punësimi, zhvillim teknologjik dhe ekonomik mbi të cilat ndërtohet mirëqenia e Kosovës.
Partitë ekzistuese opozitare (PDK, LDK dhe AAK) natyrshëm i përkasin këtij spektri. LDK, si partia më e vjetër, përfaqëson vlerat e institucionalizmit shtetformues, dhe është bartësja e konservatorizmit modern dhe mbrojtësja e lidhjes strategjike me perëndimin. Nën udhëheqjen e re, PDK ka tentuar të pozicionohet si një forcë liberal-konservatore. Përqëndrimi i saj në forcimin e sektorit privat dhe shtet-ndërtimin e bën atë një shtyllë për reformat ekonomike që i duhen vendit. AAK ka një profil të qartë konservator në mbrojtje të vlerave të familjes, traditës dhe sigurisë kombëtare, dhe përfaqëson atë pjesë të votuesit që kërkon një shtet të fortë në sovranitet, por të vogël në burokraci. Të gjitha këto parti vlerësojnë saktë se partneriteti me perëndimin nuk është vetëm strategjia e duhur për konsolidimin e shtetit të Kosovës, por pjesë e identitetit shqiptar si komb evropian dhe perëndimor.
Pra, problemi nuk është te “mungesa e partive” për të formuar një forcë të djathtë të re, por te mungesa e vizionit dhe vullnetit të tyre. Këto parti janë mbytur nga përçarjet e brendshme dhe luftës mes vete dhe për këtë arsye janë të paafta për të ofruar një platformë të unifikuar që sfidon hegjemoninë e majtë të LVV-së. Udhëheqësit e LDK, PDK dhe AAK duhet të tejkalojnë “ego” të tyre dhe të mendojnë më larg se sa vetëm te zgjdhjet e ardhshme, të cilat në këtë format prapë do t’i humbin.
Kosova nuk mund të mbetet peng e zgjedhjes mes “të korruptuarve të vjetër” dhe “majtistëve-popullistëve të rinj”. Kosovës i duhet një forcë politike që beson se mirëqenia vjen nga puna dhe liria ekonomike, jo nga lëmosha sociale apo retorika nacionaliste e shprazët dhe izoluese. Është koha për një forcë që guxon të thotë se shteti duhet të jetë në shërbim të qytetarit dhe të zhvillimit ekonomik, i fortë në sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e sovranitetit, dhe partner i besueshëm i atyre që me interventimet e tyre e bënë të mundshëm Kosovën shtet të pavarur. Vetëm kështu mund ta kthejmë Kosovën në një vend ku rinia nuk kërkon ikjen, por e sheh të ardhmen e saj në Kosovë.
(Pikpamjet e shprehura në këtë shkrim janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë institucionin ku ai punon)