Dinosauri Albin Kurti po do mbretëri
Shkruan Lirim Mehmetaj:
Situata është e thjeshtë – Vetëvendosja e ka marrë peng Kuvendin e Kosovës.
Sipas ligjeve të Kosovës, një person s’mund të ketë edhe pozitë ekzekutive apo të ngjashme e të jetë edhe deputet.
Për këtë arsye, siç mund ta shihni nga lajmi më poshtë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pati informuar se Bedri Hamza, Gazmend Muhaxheri edhe Imri Ahmeti kanë njoftuar se po heqin dorë nga pozita e deputetit e po i mbajnë postet që i kanë, kështu që ata u zëvendësuan.
Në anën tjetër, Albin Kurti me ministrat e tij, nuk e njoftoi KQZ-në asnjëherë se po jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit.
Rrjedhimisht, sot Albin Kurti deshi që edhe të betohet si deputet edhe të vazhdojë të jetë kryeministër.
Paramendojeni absurdin që para dite të betohesh si deputet i Kosovës e pasdite të shkosh në zyrë të kryeministrit.
Këtu s’ka nevojë për njohje ligji, këtë e vjellë edhe logjika e shëndoshë.
Si çka paguhesh për shembull? A merr pagë si deputet, apo si kryeministër pastaj?
Normalisht se Kurti e Vetëvendosja e dinë se kjo s’ka kuptim, por ata aktualisht s’i kanë numrat dhe praktikisht po na thonë: ose ne në qeveri, ose askush tjetër.
Çka ka ndodhë sot është sulm ndaj shtetit, është pezullim i demokracisë.
Veç paramendojeni çfarë deklaroi Faton Peci pas seancës. Unë tha po kthehem tash në zyre të ministrit. Prej ulëses së deputetit në zyre të ministrit, qysh?
Situata është jashtëzakonisht e rrezikshme. Kuvendi, e bashkë me të shteti, u përdhosë sot në një mënyrë që veç një armik që të pushton do ta bënte.
Albin Kurti praktikisht shprehi ambicien për mbretëri. Ai po do të jetë edhe deputet, po edhe kryeministër derisa të formohet qeveria e re. Ai po thotë se unë e lëshoj njërën nga pozitat veç nëse sigurohem paraprakisht që rizgjidhem kryeministër.
Partitë normale politike në Kosovë duhet të jenë më të bashkuara e më të koordinuara se kurrë kundrejt këtij dinozauri barbarë që njeh veç ambiciet e çmendura të tij.
Kjo më s’është lojë me rregulla.