Dhitë e bardha, dhitë e zeza, dhitë e larme (kurthi për opozitëbërjen) - NACIONALE

Dhitë e bardha, dhitë e zeza, dhitë e larme (kurthi për opozitëbërjen)

8 muaj më parë

nga Col Mehmeti

Col MEHMETI

I lehtë si të hash petulla është konstatimi për përmasat skandaloze të zgjedhjeve të fundit.

A duket diçka tjetër nga maja e malit, diçka që nuk u tha?

Sa më shumë vargisen ditët, secili arsyetim i dhënë deri më tani bëhet i pamjaftueshëm për gjëmën e ndodhur.

U tha me plot të drejtë se regjimi fitoi paq se për pesë vjet radhazi nuk ndeshi asnjë rezistencë opozitare, hiq këtu nja tre-katër mediume disidente.

Por, hajt le të hamendësojmë për hir të argumentit, opozita nuk paska qenë sa duhet e zhurmshme, e mençur në lëvizje, dhe imponuese.

Pyetja që nuk frenohet është me sa vijon: a do të prodhohej diçka ndryshe nëse kauza apo kauzat opozitare do të ishin zëruar duke pasur pas vete shkopin e imponimit, gazlotsjellësat e tymueset në Kuvend dhe protestat në sheshe?

Hmmm, valla jo!

Në këtë jonormalitet të çmendur që mirëmbahet nga regjimi, edhe një kauzë e mirëndërtuar është e pazonja të çarmatosë bindjet mushkërishte të njerëzisë.

E vërteta e pacenzuruar është se njerëzit duken më të preokupuar në mbrojtjen me çdo kusht të iluzionit kolektiv, mu ashtu siç e krijoi regjimi albinkurtist.

Ata, hëpërhë, nuk ndjehen të bezdisur nga besimi i tyre qesharak.

Madje, një shumicë sikletoset deri në tërbim e jargavitje vetëm nga ai titull lajmi a shkrim gazetaresk që, në farfurima sekondash, sjell copëza nga jashtë, copëza përtej botës së iluzionit.

Në gjendjen e tashpërtashme, zgjedhja mes regjimit dhe antiregjimit duket e kotë.

Është njësoj si një pacienti klinik t’i kërkohet nëse dëshiron ta zgjedhë një anestetik me të cilën e harron dhembjen apo një rëntgen që ia fotografon brendësinë e dhembjes.

Me siguri ai do ta zgjedhë anestetikun ashtu sikurse që do t’i besojë për të vërteta fjalët e Burdushëve të mëhallës apo rukjet e falltorëve islamikë.

Animi i një ‘shumice’ është haptas për atë palë e cila në lojën politike ka më shumë aftësi e dhunti për ta mbithjeshtëzuar botën nga ndërliqshmëria e saj.

Kësodore, njerëzia e bën kabull edhe një regjim moskokëçarës ndaj demokracisë, rendit dhe ligjshmërisë nëse ai i bën një nder të vockël. E cili na qenka ai?

Është një copë formule që mijëra faje, shkaqe e përgjegjësi për gjendjen e skëterrshme i cungon idealisht vetëm në disa fytyra publike që duhen urryer.

Për një regjim me efiçiencë për dreqnihane të paimagjinueshme, siç është Albini e pasuesit e tij, një kërkesë kaq e vogël është shumë lehtë e realizueshme.

Atij i mjafton të investojë lirë në disa tabela qitje ku vendosën do surrate nga ‘ata të 20 vjetëshit’, dhe pastaj njerëzia do të mbajë radhë për të zbrazur mbi ta gjithë vrerin e barkut.

Meqë janë lleftista (vetes i thonë socialdemokratë se për socialistë e komunistë sikur nuk është trendi dhe nuk e ha pazari), ata përkujdesen që lojërat e tilla të ëmbëlsohen me ndonjë llokum nga buxheti publik.

Vetëm në shoqëritë kulturalisht islamike a lleftiste, sadaka sociale e dhënë nga shteti vlerësohet më shumë se investimi, arsimi dhe e ardhmja.

Sapo i kryen këto, regjimi nuk mban ndonjë kasavet.

Atij nuk do t’i kërkohet llogari dhe askush, madje as në shenjë proteste a neverie, nuk do ta bëjë zemrën gur sa të mos e pranojë lëmoshën njëqindeuroshe.

Fundja, a i thuhet jo një pudingu?

Kaq mjafton për ta kuptuar se disidenca ndaj regjimit albinkurtist nuk ka më nevojë për mendje zhbiruese, për zbulim aferash e shkërmoqje narrativash.

Duhet ta kuptohet që përtej një Kosove të krimbur në mjerim, depresion e humbashpresë, ka edhe Kosova të tjera, jolëndore, që nuk shihen, por që ndikojnë sa për t’i luajtur penjtë e pasioneve, sa njerëzit normalë ta nxjerrin harpallakun, të bëjnë sjellje e veprime cipëplasura.

Kjo më së miri do të përshkruhej me ndonjë shkëputje nga filmat e Bergmanit – bie llafi, The Seventh Seal – ku realiteti i jashtëm nuk është njësoj për të gjithë.

Për shembull, një gaztori një ditë në mëngjes, sapo hap sytë, i dëftohet Virgjëresha Mari me fëmiun e saj.

Por, gruaja e tij nuk e sheh atë, por vetëm një lëndinë pa njeri të gjallë.

Të dy kanë të drejtë në mënyrën e vet, edhe gaztori Jof që sheh imazhin iluziv, edhe gruaja e tij, Mia, që nuk sheh gjë fare.

Nuk më beson? Por ishte i vërtetë, po të them, jo asofarë realiteti që e sheh çdo ditë, por tjetërfare”, thotë Jofi si për t’ia prerë shkurt gruas që nuk po e besonte.

Në epoka ekstremesh e populizmi, realitetet e njerëzisë janë turlifare.

Dikush që do revanshizëm për fqiun, te sundimi i Vetëvendosjes sheh një regjim drejtësie.

Filani që pëlqen t’i shohë njerëzit keq si veten, te sundimi i Vetëvendosjes sheh një regjim barazie.

Fisteku që pëlqen të shohë një botë të thjeshtë ku armiqtë gjenden kollaj, te sundimi i Vetëvendosjes sheh një regjim mirëkuptues që ia validon marrëzitë e injorancën, e kështu me radhë.

Në këto realitete paralele zor që kuptohen, ose nëse kuptohen zor që shkaktojnë përshtypje, maskarallaku i albinkurtistëve për ta izoluar vendin, shkatërrimi i ekonomisë dhe ndërmarrësisë, kapja e shtetit, fëlligështitë e Martinave, Liburnave, Fatonave, etj.

Dikur filozofi austriak, Alexius Meinong kërkonte që përsiatja filozofike të hiqte dorë nga dualiteti i ftohtë i gjërave që ekzistojnë dhe atyre që nuk ekzistojnë.

Gjithçka ekziston në njëfarë mënyre, shestonte ai, dhe prandaj i rendiste tre nivele ekzistencash: (1) absistenca, (2) subsistenca, dhe (3) ekzistenca.

E para nga këto është ndoshta më interesantja: te absistenca, robi beson që edhe njëbrirëshi ekziston dhe kjo fantazi përbën njëfarë ekzistence përderisa ushqen ndjesi, simbole, dhe e popullon botën tonë të miteve.

E dyta, subsistenca, i referohet ekzistencave më tepër mendore sesa fizike, por që kanë relevancë në jetën tonë, si puna e numrave që nuk shihen, por janë praktikë dhe të kudondodhur në përditshmërinë tonë.

E treta, ekzistenca, është ajo e sendëzueshmja që preket e shihet vërtet.

Por, populli albindashës banon te niveli i parë, te absistenca.

Janë gjëra që në shumicën e rasteve nuk ekzistojnë, ose jo të paktën në varietetin e tyre popullor, por ja që kanë partizanë fanatikë që kërkojnë t’u respektohet ekzistenca besimeve të tyre për njëbrirësha.

Kështu, gazetari vihet përballë një ndërdyshje interesante: a të vazhdojë udhën e deritashme të zhbiruesit zhurnalist apo të heqë dorë nga kjo dhe të kthehet në nivelin e atyre besojcave e thashethemeve që e frymëtojnë një pjesë dërrmuese të popullit që e mbështet regjimin?

Udha e parë do të vazhdojë të jetë edhe më dekurajuese mes sharjeve e fyerjeve nga një publik që e di se gazetaria ‘rren’, porse në të vërtetë agjenti i parë dhe i fundit i rrenës është pikërisht ai.

Udha tjetër është e lehtë dhe e pasakrificë.

Mjafton ta heqësh dorë nga gazetaria zhbiruese dhe interpretimi, e në vend të tyre vetëm t’i zërosh pallavrat e profkat e njerëzve pro-regjim. Bëhu VedatXhymshit, JetonSopë, GëzimMekul apo ElvisHoxhë!

Kjo është një udhë e shtruar si me petale trëndafilash, madje ka mundësi që të dalë një shumicë njerëzish që më në fund ta japin ‘hallallin’: “Eh, tash më pëlqen…”

Gazetaria disidente vetëm teknikisht e humbi betejën me regjimin albinkurtist.

Pikësëpari, ajo nuk ishte në bejlegun e mundjes me regjimin sepse as nuk ishte parti politike e as nuk gjakonte të vinte në pushtet.

Disidenca në ishujt gazetareskë nuk e rriti, si bumerang, përkrahjen për regjimin, siç baglon një pjesë toksike e njerëzve.

Disidenca gazetareske nuk është fajtore për neuroza njerëzish e as për psikoza kolektivësh, e madje as për strategji manipulative njerëzish të cilët gjithmonë do të jenë me fitimtarin duke iu thënë parimeve, qëndrimeve e dinjitetit “Thyejeni qafën se nuk na duheni”.

Gazetaria opozitëbërëse mund të mbijetojë edhe pa ua bërë qejfin goatfucker-ave me dhi të zeza, të bardha a të larme, ose me aso legjendare që fluturojnë.

Lajme të ngjashme