Degjenerimi, shthurja dhe e Djathta e Re - NACIONALE

Degjenerimi, shthurja dhe e Djathta e Re

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Përderisa propaganduesit e Kremlinit dhe e djathta alternative pro-ruse e Perëndimit e paraqesin veten si mishërim të vlerave të krishtera tradicionale, fjalët dhe veprimet e tyre e përkrahin gjenocidin dhe e lartësojnë dhunën seksuale. Duke e përqafuar të pamoralshmen, ata ofrojnë një pako tërheqëse për shovinistët e të gjitha gradave.

Shkruan: Slavoj Žižek

Lubjanë – Një krizë që ndodhi rishtazi në Kosovën veriore, erdhi dhe shkoi shpejt, sepse askush nuk dëshiroi eskalim, por ajo do të kthehet, sepse Rusia është duke manovruar në hijet e Ballkanit për t’i ndezur tensionet që e rritën këtë krizë. Prejardhja e rëndomtë e krizës tregon se sa lehtë një shkëndijë mund të bëhet zjarr i madh.

Qeveria e Kosovës kishte njoftuar një masë që u kërkonte serbëve që jetojnë në Kosovën veriore që të aplikojnë për targa vendëse të veturave, duke i zëvendësuar targat e tyre serbe. Megjithatë, serbët organizuan protesta (me raportime për të shtëna) dhe bllokada në rrugë në dy pikëkalime kufitare, duke i shtyrë autoritetet e Kosovës që ta shtyjnë masën për një muaj përderisa t’i diskutonin hapat e ardhshëm.

Serbia për një kohë të gjatë ka pasur një rregull të ngjashme për mbajtësit e targave kosovare në territorin e saj dhe Kosova thjesht po mundohej që ta zbatonte standardin e njëjtë. Problemi, natyrisht, është që Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, edhe pse Shtetet e Bashkuara dhe rreth 100 shtete të tjera e njohin.

Kjo do të ishte ngjarje tërësisht lokale, nëse nuk do të ishte e ngatërruar në dinamikën gjeopolitike të nxitur nga lufta ruse e agresionit në Ukrainë. Por siç u shpreh rishtazi Vladimir Gjukanoviqi, deputet i Partisë Progresiste Serbe në pushtet, “Serbia mund të detyrohet që të angazhohet në “denazifikimin” e Ballkanit”. Edhe shprehja “e detyruar për t’u angazhuar” i ngjan linjës absurde të Kremlinit për të qenët i provokuar nga agresioni i NATO-s që ta pushtojë Ukrainën.

Për më tepër, referenca e Gjukanoviqit ndaj “Ballkanit” e ndjek të njëjtën logjikë si linja ruse, që nënkupton se tërë Evropa, e zënë në vorbullën e degjenerimit vetëshkatërrues (LGBTQ+, martesa e personave me gjini të njëjtë, dallimet jo të qarta gjinore e kështu me radhë), do të duhet që përfundimisht të “denazifikohet”. Siç shpjegon Aleksandr Dugin, filozof i presidentit rus, Vladimir Putin, “ne po e luftojmë të keqen absolute, e mishëruar në civilizimin perëndimor, hegjemoninë liberale-totalitare, në nazizmin Ukrainas...”

Sipas këtij konservatorizmi të ri, nazizmi, komunizmi dhe hedonizmi i vetëdijshëm, të gjithë e përbëjnë gjënë e njëjtë. Por ky rrethim i të kundërtave vërtet është i tepërt edhe për një hegelian të ashpër. Kjo e zbulon jokonsistencën verbuese jo vetëm të propagandistëve të Kremlinit, por edhe të së djathtës alternative pro-ruse në Evropë e ShBA, e cila pretendon t’i mishërojë vlerat e krishtera tradicionale përderisa fjalët dhe veprat e tyre e përkrahin gjenocidin dhe e lartësojnë dhunën seksuale.

Si lojtar udhëheqës në këtë luftë të kulturës, Kremlini ka ndërhyrë përmes përfaqësuesve të vet jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnjë, të cilën e ka paralajmëruar kundër anëtarësimit në NATO. Fatkeqësisht, majtistët dhe pacifistët perëndimorë kanë zgjedhur që thjesht ta shpërfillin dimensionin gjeopolitik të projektit të Putinit për “denazifikim”. Siç u ankua rishtazi ish-udhëheqësi i Partisë Laburiste të Britanisë, Jeremy Corbyn, “derdhja e armëve (në Ukrainë) nuk do të sjellë zgjidhje, vetëm do ta zgjatë dhe do ta zmadhojë këtë luftë. Mund të jemi me vite e vite në një luftë në Ukrainë.”

Ajo që nënkuptohet në këtë pozicion është që qeveritë perëndimore duhet thjesht ta lejojnë Rusinë që ta pushtojë Ukrainën. Prapëseprapë ky është një “pacifizëm” i çuditshëm që u bën presion viktimës (që nuk duhet ta mbrojë veten në mënyrë shumë të fuqishme) dhe përkrahësve të saj (që nuk duhet ta ndihmojnë cakun e agresorit shumë) e jo sulmuesit.

“Pacifistët” perëndimorë këmbëngulin që ne ta “de-demonizojmë” Putinin. Do të duhet të jetë një lloj i bisedimeve herët a vonë, prandaj duhet ta trajtojmë atë si partner të ardhshëm. Në të vërtetë, ne duhet ta bëjmë saktësisht të kundërtën: sulmi ndaj Ukrainës na detyron që ta ri-demonizojmë Putinin, jo personalisht, por si eksponent të një projekti të rrezikshëm gjeopolitik e ideologjik.

Ka dëshmi në rritje se Rusia është duke ndryshuar në diçka që është radikalisht e huaj për banorët e demokracive të sotme perëndimore, por krejt e njohur për studentët e historisë evropiane. Merreni parasysh propozimin e bërë rishtazi të Partisë Liberale Demokratike Ruse për ta zëvendësuar termin “president” me termin “pravitel” (“sundimtar”). Termi i parë, sipas kësaj partie, “gjithmonë na ka turpëruar”, sepse është përdorur për herë të parë në ShBA, duke u përhapur në pjesën tjetër të botës vetëm “shumë më vonë”.

Përderisa caku kryesor ideologjik i së djathtës së re është “degjenerimi” perëndimor, magjepsja e saj me sundimin e burrit të fuqishëm është e lyer me paturpësi. Në një paraqitje në fushatë rishtazi, Kari Lake, kandidatja republikane për guvernatore në Arizona, tha në mënyrë të papërmbajtur tha se bashkëpartiakët e saj republikanë, Donald Trump, dhe guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, kanë “energji të ka**t të madh”.

Kjo është një veçori e nevojshme, më tepër sesa e varur, e mbrojtjes së Krishterimit nga e djathta e re. Për të tërhequr ndjekës të mjaftueshëm, udhëheqësit e saj duhet të ofrojnë kënaqësi tepricë (“tepricë e pastër e kënaqësisë para përmbushjes së standardeve”) të së paturpshmes. Një ideologji që u lejon pasuesve të saj që të veprojnë sipas impulseve të saj më të këqija, mund të mobilizojë miliona.

Për të marrë një shembull tjetër, a nuk është “ndërhyrja ushtarake paqebërëse” e Rusisë në Ukrainë si “dhunimi legjitim” që anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së, Todd Akin, atëherë i nominuar republikan për Senat për Missourin, e përcaktoi më 2012? Sipas tij, aborti duhet të ndalohet plotësisht, sepse nëse një grua pëson “dhunim legjitim”, trupi i saj do të dijë disi që të mos mbetet shtatzënë.

I ballafaquar me reagime për këtë koment, Akin pretendoi se kishte “folur gabimisht”. Ajo që ai deshi të thoshte ishte se ka “raste legjitime të dhunimit” të cilave u referohet policia, “kur ata bëjnë një hetim ose çfarëdo”. Por porosia e tij themelore mbeti: nëse një grua mbetet shtatzënë nga dhunimi, ajo e ka dashur atë në mënyrë të fshehtë, sepse ndryshe reagimi i “stresit” i trupit të saj do ta kishte parandaluar këtë.

Kjo na thotë se Putini i është referuar Ukrainës në mënyrën e njëjtë. Në një konferencë për gazetarë më 7 shkurt, ai u tall me ankesat e qeverisë ukrainase për marrëveshjet e Minskut, duke shtuar: “Të pëlqen ose jo, është detyra jote, bukuroshja ime.” Kuptimet seksuale të këtyre fjalëve janë të njohura mirë nga rusët dhe ukrainasit nga kënga “Bukuroshja e Fjetur në Arkivol” e grupit të rokut në periudhën sovjetike, “Red Mold”: “Bukuroshja e fjetur në arkivol, u afrova ngadalë dhe e q**a. Të pëlqen ose nuk të pëlqen, fli, bukuroshja ime.”

Nënkuptimi është që dhunimi i një shteti nganjëherë justifikohet. Viktima po e kërkonte atë. Njësoj si me dhunimin, ajo që e motivon të Djathtën e Re nuk është dashuria, por mbizotërimi.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme