Çmimi Nobel për ekonomiks sivjet ndahet për “avancimin e të kuptuarit të rezultateve në tregun e punës të grave”
Shkruan: Avdullah Hoti
Çmimi Nobel për “Ekonomiks” këtë vit iu nda Prof. Claudia Goldin nga Universiteti i Harvardit për kontributin e saj në “avancimin e të kuptuarit tonë të rezultateve në tregun e punës të grave”.
Ky çmim prestigjioz zakonisht jepet për arritje teorike në fushën e ekonomiksit që kanë ndikim të gjerë në jetën ekonomike dhe shoqërore. Por, si rrallëherë më parë, sivjet ky çmim është ndarë jo për një arritje teorike, por për studime për një kauzë tepër të rëndësishme – roli dhe kontributi i grave në tregun e punës.
Për koincidencë, para disa muajve, një grup i kolegëve të mi të Fakultetit Ekonomik, të Universitetit të Prishtinës, e përkthyen në shqip librin “Hyrje e avancuar në EKONOMIKSIN FEMINISIT”, i autores së mirënjohur Joyce P. Jacobsen, një libër i jashtëzakonshëm dhe shumëdimensional i vitit 2020. Unë kam pasur kënaqësinë të shkruaj fjalën hyrëse për këtë libër.
Në mbështetje të kauzës për të cilën sivjet u nda Çmimi Nobel në Ekonomiks, si dhe për informim të komunitetit akademik, studiuesve dhe studentëve të ekonomisë, po e publikoj fjalën hyrëse të këtij libri.
Fjala hyrëse për botimin në shqip të librit “Hyrje e avancuar në ekonomiksin feminist”
- Pabarazia gjinore si fenomen global
Në nivel botëror, krahasuar me burrat, gratë janë në pozitë më të pafavorshme gati në gjitha aspektet. Ato marrin pjesë më pak në tregun e punës; përballen me papunësi më të lartë; paguhen më pak; janë të mbi-përfaqësuara në punësimin joformal dhe të paqëndrueshëm; bartin barrë më të madhe në familje për përkujdesje ndaj fëmijëve e të moshuarve dhe në punët e tjera shtëpiake; janë më pak të mbrojtura nga politikat e mbrojtjes shoqërore, si pensionet, përfitimet për papunësi e të ngjashme; kanë më pak qasje në institucione financiare për financim të nevojave të tyre dhe të familjes, përfshirë financimin e biznesit të tyre; në botën e sotme digjitale, ato kanë më pak qasje në internet; kanë shumë më pak të ngjarë të jenë ndërmarrëse; janë shumë më pak të përfaqësuara në pozita të larta në shoqëri dhe ekonomi; si dhe janë shumë të tepër të ekspozuara ndaj dhunës në familje dhe ngacmimit në shoqëri.
- Rëndësia e pjesëmarrjes më të madhe të grave në shoqëri dhe ekonomi
Studime të shumta argumentojnë se fuqizimi ekonomik i grave është rruga kryesore për të siguruar barazi gjinore në treg dhe shoqëri, rritje të qëndrueshme ekonomike dhe barazi në të ardhura. Për më tepër, pjesëmarrja aktive e grave në shoqëri është e drejtë elementare njerëzore. Shoqëritë me pjesëmarrje më të madhe të grave janë më të avancuara dhe kanë aktivizëm më të madh qytetarë, duke ndikuar kështu në një demokraci më aktive.
Në aspektin e zhvillimit ekonomik, ekonomitë me barazi më të madhe gjinore prosperojnë më shumë. Në ekonomitë e tilla, të ardhurat e familjeve janë më stabile përgjatë cikleve të biznesit. Stabiliteti i të ardhurave familjare siguron financim të qëndrueshëm të arsimit të fëmijëve, investime të vazhdueshme të familjes në shëndetësi dhe në fusha të tjera, të cilat investime përcaktojnë zhvillimin afatgjatë të individëve.
- Ku qëndron Kosova sa i përket dallimeve gjinore në arsim dhe punësim?
Kosova është ekonomi në zhvillim, e dalë nga lufta dhe tranzicioni ekonomik i gjatë dhe kompleks. Si rezultat, sfidat janë të shumta dhe të natyrave të ndryshme. Menjëherë pas luftës së vitit 1998-99, Agjencia e Statistikave e Kosovës vlerësonte se 12.5% e grave dhe 3.4% të burrave të moshën 15 e sipër ishin analfabetë. Gratë e kësaj grupmoshe kishin mesatarisht 8.7 vite arsim, ndërkaq burrat 10.6. Përveç dallimeve gjinore, kishte dallime të konsiderueshme mes zonave rurale dhe urbane, si tek gratë, ashtu edhe tek burrat. Burrat e zonave urbane ishin më të shkolluarit, ndërsa gratë e zonave rurale ishin më së paku të shkolluara. Këto dallime sigurisht se janë reflektuar në punësim dhe të ardhura. Në vitet e para pas luftës, vetëm rreth 10% e grave të moshës së punës ishin të punësuar, krahasuar me 30% të burrave.
Këto raporte janë përmirësuar dukshëm me kalimin e viteve, në veçanti në arsim. Në vitin akademik 2021/2022, nga 18,462 studentë të regjistruar në vitin e parë në universitetet publike dhe private në Kosovë, 57% ishin gra. Kjo tendencë ka qenë prezente për disa vite, që nënkupton se dallimet e mëparshme në arsim do të zhduken në të ardhmen. Kjo pritet të ketë ndikimet pozitiv në të ardhura, në punësim dhe në statusin shoqëror të grave. Megjithatë, duke qenë se arritjet në arsim marrin kohë për tu reflektuar në tregun e punës, dallimet gjinore në tregun e punës do të qëndrojnë edhe për një kohë. Kështu, në vitin 2021, ende vetëm 17% të grave të moshës së punës ishin të punësuara, krahasuar me 46% të burrave.
- Si e kalojnë kohën gratë krahasuar me burrat në Kosovës?
Është e pranuar gjerësisht se vlera e re, e krijuar brenda vitit në kuadër të një ekonomie, nuk kufizohet vetëm brenda tregut. Ka plot mallra dhe shërbime që paraqesin vlerë të shtuar, por që arrijnë tek konsumatori i fundit jo përmes mekanizmit të tregut. Studimet tregojnë se nëse Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), i llogaritur sipas kontabilitetit të llogarive kombëtare, i shtohet edhe puna pa pagesë e kryer nga individët në kuadër të familjes, atëherë vlera e PBB-së do të rritej nga 10% deri në 39% varësisht nga vendi.
Dallimet në punësim në tregun e punës japin një pasqyrë jo të plotë të nivelit të angazhimit të grave në Kosovë. Kjo për faktin se gratë janë shumë më tepër të angazhuara në punët brenda familjes, siç është përkujdesi për fëmijët dhe të moshuarit, përgatitja e ushqimit dhe mirëmbajtja e shtëpisë, por edhe punët e tjera brenda familjes që krijojnë të mira materiale për konsum familjar. Sipas një studimi të vitit 2022, gratë në Kosovë shpenzojnë mesatarisht 6.2 orë në ditë në aktivitete në kuadër të shtëpisë, krahasuar 3.5 orë për burrat. Këto dallime gjinore në orët e punës së papaguar mbizotërojnë tek të gjitha grupmoshat pa përjashtim. Përtej kësaj, në të gjitha punët e shtëpisë (gatimi, larja e enëve, larja dhe hekurosja e rrobave, blerja e gjërave ushqimore e edhe punët në kopsht, me përjashtim të riparimit të shtëpisë), janë gratë ato që shpenzojnë kohë më shumë se burrat. Dallimet janë jashtëzakonisht të mëdha tek gatimi dhe larja e hekurosja e rrobave, të cilat punë kryhen gati ekskluzivisht nga gratë.
I njëjti studim thekson se vlera e përafërt e punës së papaguar në Kosovë në vitin 2022 ishte rreth 33% të PBB-së së llogaritur sipas formulës standarde. Marrë në përgjithësi, gratë kalojnë më pak punë të paguar dhe shumë më tepër punë të papaguar se burrat, kanë më pak kohë për tu kujdesur për veten dhe për të kryer aktivitete të tjera që sjellin satisfaksion personal, siç janë leximi i librave, shikimi i filmave apo aktiviteteve të tjera shoqërore.
Nëse njëri anëtar i familjes duhet të qëndrojë në shtëpi për tu kujdesuar për punët e shtëpisë, atëherë a duhet të punojë në shtëpi anëtari i familjes i cili në treg priret të fitojë më pak? Sipas modeleve standarde të ekonomiksit, përgjigja do të ishte po, sepse kjo do të mundësonte një shpërndarje optimale të ofertës së punës brenda kontekstit familjar dhe do të maksimizonte të ardhurat e përgjithshme familjare. Por e rëndësishme është të identifikohen shkaktarët se përse disa anëtarë të familjes, që zakonisht janë gratë, priren të fitojnë më pak nga puna e paguar në treg krahasuar me anëtarët e tjerë, që zakonisht janë burrat. Kjo pyetje na çon tek thelbi i problemit: dallimet në investime në arsim nga mosha e hershme shkaktojnë dallime në tregun e punës dhe në të ardhura nga puna e paguar.
- Eliminimi i diskriminim me bazë gjinore
Historia na ka treguar se normat shoqërore janë shumë të rëndësishme në përcaktimin e rezultateve ekonomike. Por këto norma nuk janë të pandryshueshme. Një politikë që përcakton kuota për pjesëmarrje të grave në vendimmarrje, apo një politikë afirmative për arsim dhe punësim të grave, i ndryshon normat dhe e vendos shoqërinë në një stad tjetër të funksionimit dhe zhvillimit. Është gjithashtu e pranuar se disa individë, kryesisht gratë, investojnë më pak në arsim sesa që është shoqërisht optimale. Mund të jenë normat shoqërore apo kufizimet financiare që e shtyjnë një familje të investojë më pak në arsimin e vajzave krahasuar me arsimin e djemve. Prandaj, politikat afirmative mund t’i heqin këto kufizime dhe të shtyjnë familjen, si dhe shoqërinë në përgjithësi, drejt optimumit shoqëror.
Kosova ka bërë progres në dy dekadat e fundit në zvogëlimin e dallimeve gjinore në arsim dhe në aspekte të tjera të jetës shoqërore. Sigurisht se duhet kohë që këto dallime, të cilat mund t’i atribuohen diskriminim gjinor, të zvogëlohen tek të gjitha grupmoshat dhe zonat.
- Vlera dhe përmbajta e librit
Libri ‘Hyrje e avancuar në ekonomiksin feminist’, i autores Joyse P. Jacobsen, përbën një kontribut të shkëlqyer në informimin e argumentuar dhe shkencor të debatit në shoqëri për rëndësinë e barazisë gjinore, si për individin dhe familjen, ashtu edhe për shoqërinë. Argumentet e ofruara në këtë libër bazohen në një numër të madh studimesh ekonomike dhe të fushave të tjera shoqërore që mbulojnë një periudhë kohore të konsiderueshme. Ky libër na ofron këtë analizë në një vend dhe të përmbledhur e të argumentuar gjerësisht.
Vlera e këtij libri qëndron edhe në analizën kritike që u bën teorive ekonomike, duke analizuar avancimin e tyre përgjatë historisë, sa i përket trajtimit të dallimeve gjinore. Marrja në konsideratë e koncepteve nga ekonomiksi i punës, ekonomiksi i popullsisë dhe nga disiplina të tjera, i kanë mundësuar autores të bëjë analizë komplekse dhe shumëdimensionale për racionalitetin e eliminimit të dallimeve gjinore.
Përkthimi i këtij libri në shqip nga kolegët e mi nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Prishtinës është një kontribut i madh në debatin shoqëror në Kosovë lidhur me nevojën për promovimin e barazisë gjinore. Njohja e fushës së ekonomiksit dhe fushave të ndërlidhura me të, si ekonomiksi i punës, ekonomiksi i popullsisë, menaxhimi i burimeve njerëzore, nga të gjithë kolegët e përfshirë në përkthimin e librit, ka mundësuar që libri të shqipërohet me një gjuhë të rrjedhshme dhe të kuptueshme gjerësisht.
Temat e trajtuara në këtë libër mbulojnë pothuajse të gjitha aspektet e ekonomiksit feminist. Fillimisht shqyrtohet kritika ndaj teorisë ekonomike standarde sa i përket trajtimit që i bën çështjeve feministe, si dhe sqarohet se si mund të pasurohet kjo teori kur merren në konsideratë aspektet feministe. Argumentohet qartë se integrimi i aspektit feminist në teorinë standarde ekonomike mundëson analizimin më të saktë të zhvillimeve që i vrojtojmë në ekonomi dhe shoqëri. Libri vazhdon tutje me tema të tjera, siç është matja e punës së papaguar dhe e mënyrës se si gratë e kalojnë kohën krahasuar me burrat. Kjo analizë mundëson kuantifikimin e punës së papaguar dhe përcaktimin e vlerës që kjo punë do të kishte në treg, e cila gjë mundëson të llogaritet më saktë vlera e mallrave dhe shërbimeve të ofruara në ekonomi, pra e PBB-së.
Libri tutje vazhdohet me tema të tjera, si: alokimi i punës dhe fuqia negocuese brenda familjes; struktura dhe planifikimi familjes, si dhe politikat e ndërlidhura me të; normat shoqërore dhe politikat për tejkalimin e tyre; dallimet në paga mes gjinive, segregacioni në punë dhe oferta e punës; puna për përkujdesje për fëmijë dhe të moshuar, si dhe politikat shoqërore të ndërlidhura me këto; rëndësia e përfshirjes së aspektit feminist në politikat e zhvillimit ekonomik; përcaktimi i konsumit dhe investimeve në ekonomi nga ndarjet gjinore që ekzistojnë në shoqëri; rritja ekonomike e vendit dhe politikat gjinore; pabarazia gjinore në shpërndarjen e të ardhurave dhe ndikimi në zhvillimin e fëmijëve; përfshirja e aspektit feminist në politikat e financave publike; aktivizmi feminist dhe ndikimi në ndryshimet shoqërore; si dhe ndryshimet që po ndodhin në profesionin e ekonomiksit si rezultat i përfshirjes së aspektit feminist.
Të gjitha këto tema trajtohen me një qasje kritike, bazuar në teorinë ekonomike, të argumentuar dhe të mbështetur në evidencë empirike. Kështu që, besoj shumë se ky libër në gjuhën shqipe do t’i kontribuojë debatit shoqëror dhe zhvillimit të politikave për promovim të barazisë gjinore në Kosovë nga institucionet përgjegjëse. Shoqëria kosovare ka nevojë që të ngritë në një stad më të lartë debatin për domosdonë e eliminimit të dallimeve gjinore në shoqëri dhe ekonomi.
Jam i bindur se ky libër do të nxisë hulumtime specifike nga studiues të ndryshëm për të testuar aspekte të ndryshme që shqyrtohen në këtë libër në kontekstin e shoqërisë kosovare, si një ekonomi në zhvillim që ka bërë progres të konsiderueshëm në zvogëlimin e dallimeve gjinore, por që ka ende nevojë për intervenime përmes politikave afirmative për të arritur barazinë gjinore. Besoj gjithashtu se libri do të ndihmojë në pasurimin e kurseve që ofrohen në programet e studimeve ekonomike, si dhe të shkencave të tjera shoqërore, në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, duke e integruar gjerësisht perspektivën gjinore.
- Falënderime
Dëshiroj të falënderoj për mundësinë që kolegët më kanë dhënë për të shkruar këtë fjalë hyrëse për botimin në shqip të këtij libri të jashtëzakonshëm. Gjej rastin të falënderoj Agjencinë për Barazi Gjinore dhe Institutin Demokratik Kombëtar nga ShBA për mbështetjen e botimin e këtij liri në shqip. Këto dy institucione, si dhe shumë organizata të tjera në Kosovë, vendore dhe ndërkombëtare, kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në dy dekadat e fundit në promovimin dhe avancimin e barazisë gjinore. Kuotat për gra për legjislaturën e nivelit qendror dhe ato të nivelit lokal në Kosovë, pastaj programet për mbështetje të grave në punësim dhe arsim, si dhe shumë iniciativa të tjera të orientuara në promovimin e barazisë gjinore, kanë qenë kontribut i avokimit të fuqishëm të këtyre dy institucioneve në bashkëpunim me shumë të tjera.
(Autori i shkrimit, Avdullah Hoti, ka qenë kryeministër i Kosovës dhe është profesor në Fakulteti Ekonomik, Universiteti i Prishtinës)
