Çekia, kjo presidencë brilante e BE-së - NACIONALE

Çekia, kjo presidencë brilante e BE-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Viti 2022 ishte shumë më i ngarkuar se vitet e tjera me ngjarje madhore dhe epokale në të gjitha fushat, duke goditur rëndë Evropën dhe rajonin tonë. Kjo kryesisht për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës, kur ende nuk e kishim marrë veten nga Kovidi-19.

Shkruan: Jorgji Kote

Ndaj, gjashtë muaj më parë, pakkush e kishte menduar se Republika Çeke do të kryesonte me sukses të bujshëm Bashkimin Evropian, në një prej periudhave më të vështira, me sfida herkuliane nga brenda dhe jashtë tij! Ca më tepër se ajo pasoi Presidencën franceze, e cila, e zhytur dhe në dy palë zgjedhje nuk arriti dot në majat e saj. Kësisoj, Parisi jo vetëm nuk ia lehtësoi dot barrën Pragës, por i la asaj goxha “borxhe” dhe detyra tejet problematike.

Veç kësaj, Kryeministri i saj pro-evropian, Petr Fiala kishte vetëm gjashtë muaj në qeverisje, mbasi kishte fituar mbi populistin Andrea Babis. Veç kësaj, Çekia u godit më rëndë se çdo vend tjetër ish-lindor nga Kovidi-19, me 35 mijë viktima në popullsinë e saj me 10,7 milionë banorë dhe nga kriza energjetike; shto këtu dhe opozitën tejet agresive dhe euroskeptike. Shumë ekspertë dhe analistë politikë pohojnë se Fiala si kryeministri i 13-të pas vitit 1990, gjeti situatën më të vështirë të vendit, me rreziqe dhe kërcënime nga çdo anë.

Pas këtij sfondi politik dhe historik, le të ndalemi konkretisht vetëm në disa prej sfidave dhe arritjeve tingëlluese të Presidencës Çeke që kanë më shumë lidhje me rajonin dhe vendin tonë.

Çekia e mori kryesimin e BE-së gati pesë muaj mbas 24 shkurtit 2022, kur Rusia filloi agresionin e saj ushtarak në shkalë të gjerë kundër Ukrainës. Është folur e shkruar shumë për dëmet dhe pasojat e pallogaritshme njerëzore, materiale dhe financiare; veç mijëra viktimave ushtarake e civile janë zhvendosur 15.7 milionë ukrainas (tetë milionë persona të zhvendosur brenda vendit dhe 7.7 milionë refugjatë). Sipas të dhënave paraprake, GDP-ja e vendit ka rënë në masën 45 për qind; dëmet materiale, në infrastrukturë dhe nevojat për rindërtimin e saj llogariten në rreth 750 miliardë euro.

Agresioni rus ishte një cunam i vërtetë për Ukrainën, por dhe shumë më gjerë; veç cenimit brutal të sovranitetit dhe integritetit territorial të një vendi të pavarur, anëtar i OKB-së, OSBE-së, KiE-së etj. Rusia ka vënë në rrezik paqen, rendin, sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë Evropën dhe më gjerë. Sepse tashmë agresori është një vend i madh, me potencial të konsiderueshëm ushtarak dhe ekonomik, anëtar i Këshillit të Përhershëm të Sigurimit të OKB-së, prodhues dhe eksportues nga më të mëdhenjtë në botë të naftës, gazit, drithërave etj.

Për pasojë edhe BE-ja me Presidencën Çeke u ballafaquan njëherazi me emergjenca të shumta politike, ekonomike, diplomatike, ushtarake, humanitare, etj.

E, megjithatë, ajo ia doli të zbatonte me konsekuencë agjendat për kohezionin politik dhe social të Aleancës perëndimore ndaj Rusisë.

Presidenca çeke u tregua në lartësinë e detyrës, duke bashkërenduar veprimtarinë e saj me Komisionin, Këshillin dhe Parlamentin Evropian në procesin e vendimmarrjeve madhore në fushat e lartpërmendura. Kështu, mbas gjashtë serive të mëparshme, në korrik, tetor dhe së fundi më 14 dhjetor u miratuan dhe tri pako të tjera të mëdha me sanksione të ashpra ekonomike ndaj Rusisë. Po ashtu, Çekia bashkërendoi përpjekjet, masat dhe reformat madhore për përballimin e pasojave të rënda nga kriza ekonomike dhe ushqimore, deri në zbutjen dhe shmangien shkallë-shkallë të vartësisë së madhe energjetike nga Rusia. Më e rëndësishmja për këtë dimër, ditët e fundit BE-ja miratoi mes shumë pengesave dhe problemeve çmimin tavan prej 180 euro për gazin, jetik për mbijetesën e shumë vendeve.

Ndërkohë, u zhvilluan shumë veprimtari, procese, dhe programe për t’i ardhur në ndihmë popullit dhe ushtrisë ukrainase në rezistencën dhe luftën heroike ndaj agresorit rus. Krahas ShBA-së dhe vendeve të tjera të mëdha, gjatë gjashtë muajve të fundit BE-ja i akordoi Ukrainës ndihma shtesë financiare në shumën 20 miliardë euro dhe ka planifikuar të tjera në të ardhmen.

Një ngjarje më jehonë të madhe ku spikati roli dhe kontributi i madh i Çekisë ishte Samiti inaugurues i Komunitetit Politik Evropian (KPE) në Pragë më 6 tetor, reagim i fuqishëm gjeopolitik pas agresionit rus në Ukrainë; me praninë e liderëve nga 44 vende anëtare, kandidate dhe jo anëtare të BE-së, përfshirë dhe ato të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky grupim i ri evropian është një platformë “për nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit politik në trajtimin e çështjeve me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe begatisë në kontinent”.

Tejet e rëndësishme të nënvizohet se krahas pranimit si “kandidat” të Ukrainës dhe Moldavisë, agresioni rus u bë nxitje dhe domosdoshmëri urgjente për BE-në dhe vendet anëtare që të bënin kthesën historike drejt Ballkanit Perëndimor; që ky i fundit të mos mbetet “ oborri i pasmë”, por të bëhet sa më shpejt pjesë përbërëse e BE-së, si alternativa më e mirë dhe më e sigurt për të shmangur pasojat e mundshme të rrezikut rus, kinez etj.

Presidenca çeke u kujdes që kjo kthesë të mos ishte historike vetëm me fjalë dhe premtime, as dhe me zhvillimin e një apo dy samiteve për rajonin që dikur ishte sensacion. Ca më tepër kur dihet se deri një vit më parë në samitet e BE-së debatohej deri në çastet e fundit nëse duhej lënë qoftë dhe si term fjala “zgjerim“ ose të zëvendësohej me “përkatësim, perspektivë dhe integrim“! Ndërsa tani ”zgjerimi“ është vendosur në krye të ”sofrës” dhe agjendës evropiane.

Më konkretisht, liderët e rajonit muajt e fundit janë bërë pjesë e samiteve më të rëndësishëm të BE-së, madje dhe me të drejtë fjale. Kjo u pa më 29 qershor në Bruksel; në vijim, më 6 tetor, ata ishin bashkë me 27 liderët e BE-së në Samitin inaugurues të Komunitetit Politik Evropian; ndërsa më 6 dhjetor, 26 liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor u mblodhën për herë të parë në Tiranë dhe në rajon.

Moment i dytë i spikatur i kësaj kthese janë vizitat e niveleve më të larta të BE-së në rajon; gjatë Presidencës çeke erdhi në rajon dhe në Tiranë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, më 27-29 tetor pasoi vizita zyrtare e presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Më vonë, rajonin e vizituan për herë të parë presidenti dhe kancelari gjerman, si dhe kryeministrat e Finlandës, Luksemburgut, Holandës, Spanjës, presidenti italian Mattarela dhe të tjerë.

Këto samite dhe turne janë shoqëruar dhe me procese të rëndësishme politike dhe diplomatike, të cilat kanë në qendër të vëmendjes Rajonin tonë.

Kështu, më 3 nëntor rifilloi funksionimi i Procesit të Berlinit në Samitin e Ballkanit Perëndimor, me praninë e gjashtë liderëve të rajonit, të dhjetë vendeve anëtare të BE-së, presidentëve Von der Leyen dhe Charles Michel. Aty u nënshkruan tri marrëveshje jetike në kuadrin e projektit madhor të BE-së të Tregut të Përbashkët Rajonal.

Gjithashtu, samitet, vizitat dhe proceset e lartpërmendura janë pasuar nga akte, vendime, veprime dhe përpjekje intensive në kërkim të zgjidhjeve përfundimtare të problemeve të mbetura pezull. Dhe, këtu ka patur disa hapa të spikatur pozitivë. Më 18 korrik u çelën negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa, më 14 dhjetor Këshilli i BE-së vendosi më në fund liberalizimin e vizave me Kosovën, jo më vonë se 1 janar 2024, ndërsa kjo e fundit më 15 dhjetor dorëzoi në Presidencën çeke në Pragë kërkesën zyrtare për anëtarësimin në BE, si mesazh i qartë i kursit të saj euroatlantik. Ditët e fundit, Këshilli Evropian vendosi t’i japë dhe statusin kandidat në BE Bosnje dhe Hercegovinës.

Gjithsesi, vështirë të kishte mbyllje më të bukur për Presidencën çeke dhe përkushtimin e saj ndaj rajonit se Samiti BE-Ballkani Perëndimor më 6 dhjetor, i pari në rajon dhe në Tiranë; ku “zbarkuan” 26 presidentë dhe kryeministra të BE-së, presidentët e Komisionit dhe Këshillit Evropian dhe gjashtë liderët e rajonit tonë.

Ky samit shënoi hapin e parë serioz të përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në tryeza të rëndësishme vendimmarrëse evropiane, ku diskutimi shkon përtej politikave tona të brendshme. Ai riktheu dhe një herë në vëmendjen evropiane dhe më gjerë rëndësinë e posaçme që ka mbajtja hapur e dyerve të perspektivës evropiane dhe përshpejtimi i procesit të zgjerimit me vendet e rajonit në agjendën e institucioneve më të larta të BE-së dhe shteteve të saj anëtare. Krahas përmbajtjes dhe deklaratës me 32 pika për të ardhmen, me siguri ai do të jetë pikë e rëndësishme referimi dhe gur kilometrik në rrugëtimin tonë të mëtejshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në përfundim, krahas Presidencës çeke të BE-së, është vendi për të përshëndetur dhe Ambasadën e saj në Tiranë, e cila ka ditur të përcjellë me cilësi dhe profesionalizëm jehonën e angazhimeve dhe të suksesit të kësaj Presidence. Përgëzimet e rastit meritojnë dhe stafet e përkushtuara të Misionit tonë diplomatik pranë BE-së në Bruksel dhe Ambasadës sonë në Pragë; të cilat janë treguar në lartësinë e detyrave dhe përgjegjësive të situatës dhe veprimtarive shumëplanëshe të Presidencës vërtet brilante çeke të BE-së.

Lajme të ngjashme