Big Brother VIP Albania- një megashfaqje për konzumerizmin (evident) dhe hedonizmin (e dëshiruar)!
Shkruan: Fadil Maloku
Analizë sociologjike;
1. Që në fillim më duhet të ceku, se magashfaqja Big Brother Vip Albania pak a shumë është edhe një lloj paradigme ilustruese e kohës në të cilën po jetojmë, e që nga shumica e sociologëve e politologëve identifikohet si globalizëm. Sociologu e filozofi i njohur Right Mils, e ka diku një thënie, që unë e pranoj pa ekuivoke, e ku deklarohet se; "Individualizmi i tepruar, si "produkt" i kapitalizmit neoliberal ka gjasa dhe prirje reale të prodhoj personalitete të deformuara..."! Shqiptarët, në mungesë të përvojës së ndërtimit të kupolës së kornizës kapitaliste, aq më pak asaj neoliberale, duket që janë duke shijuar tmerrësisht shpejt e pakompromis si "produktet" ashtu edhe pasojat që është duke dedikuar ky tipi i ri i turbokapitalizmit kulturor neoliberal. Pra, ata po shpërthejnë në një individualizëm ekstrem duke i rrezikuar kështu si raportet e ngushta interpersonale ashtu edhe ato familjare. Interpersonale, sepse ata tranzicioni i zuri të papërgatitur (shkaku i ish "infrastrukturës" së njëmendësisë komuniste) dhe të pa konsoliduar (shkaku i "arratisjes" së "trurit" intelektual nga vendi).Tani "kujdestaria sociale shtetërore", duket që ende po prodhon deformitete e sjellje të atilla deviante që po i vënë në pikëpyetje si riprodhimin e thjeshtë sociokulturor ashtu edhe atë socioekonomik! Në këtë kontekst edhe arkitektët e rinj të spektakleve televizive shqiptare, duke dashur të provojnë diçka interesante, diçka identike me frymën neoliberale, diçka të re, diçka emocionuese, pra, diçka që do i "prangoste" shikuesit (duke pretenduar t'i shndërrojnë ata edhe në turmë amorfe) para ekraneve televizive, arritën ta imponojnë dhe realizojnë tipin e spektaklit sikurse ky i Shtëpinë Big Brother- made in Albania! Ku përgjatē gjithē këtyre ditëve të izolimit, personazhet pak a shumë të (pa)njohura publike nga fushat dhe lëmit e ndryshme, e me gjini antipode e karaktere të larmishme, po provojnë të "bashkëjetojnë" (lexo: t'i përballojnë presionit të interkomunikimit personal) në këtë Shtëpi. Shtëpi spektakël kjo që është bërë shtëpia më "atraktive", më e përgjuar në botë ku edhe frymarrja dhe të rrahurat sado të vogëla të zemrës mund të përgjohen pa asnjë problem.
2. Meqë, TV-ni, si medium i dëshmuar i komunkimit, s'është vetëm burim i rëndësishëm informacioni për ngjarjet, thashethemet, ndodhitë, etj. Në mbarë botën, por me shkathtësinë e frymës dhe ndjenjës së pjesëmarrjes "aktive" në ngjarje (i)reale kudo në botë është shndërruar njëherit edhe në mediumin që na jap informacione të sakta, të shpejta dhe me shpresë të vërteta. Tani, për dallim nga TV-et, që pak a shumë e kanë si obligim kursin e dëshmimit të saktësisë, shpejtësisë dhe vërtetësisë së lajmit, sot mediet tjera sociale (sidomos portalet) më shumë janë të prirura që ta ndjekin vetëm "kursin"e të qenit i pari. Mirëpo, duket që rolin e argëtimit, edukimit dhe përgjithësisht arsimimit të masave të gjëra popullore, këto medie sociale edhe sot e kësaj dite, asesi s'po mund ta zëvendësojnë rolin e Tv-nit. Por TV-ni përveç dhënies së informacionit, kryen edhe një funksion shumē të rëndësishëm në jetën sociale të publikut. E ai rol është ai socializues. Sepse, përveç familjes, shkollës dhe grupeve të bashkëmoshatarëve, sot televizioni (u dëshmua një rikthim sidomos në kohen e pandemisë covid19) edhe më tej po e loz rolin e tij të sipërpërmendur të socializimit. Duket që këtë rol fuqizues, ai është duke provuar të na e ri-dëshmoj edhe përmes spektakleve të natyrës siç është ky i Big Brother-Vip. Një analizë sociologjike e këtij spektakli, doemos kërkon një (qasje hulumtuese adekuate) kohë pak më të gjatë në mënyrë që të mund të "testojmë", si; gjykimet, qëndrimet, mendimet ashtu edhe logjikën eventuale sociale nga jeta që banorët e Big Brother Vip, pretendojnë ta ushtrojnë, për aq sa kohë që do qëndrojnë brenda Shtëpisë së Big Brother Vip Albania. Analiza më e thellë sociologjike, padyshim që do mund tē zbuloj si stereotipet ashtu edhe paragjykime eventuale gjinore bashkë me kulturën emancipuese të pjesëmarrësve, edhe karakteristikat themelore të një reality show, siç është ky i Big Brother Vip Albania.
3. Tani, që nga dita e parë e fillimit të Big Brother-it hetohet se ka filluar një lloj "prangimi" fuqishëm i publikut (nuk kemi të dhëna rreth grup moshave dhe gjinive), sikurse edhe një margjinalizim evident si nga problemet e përditshme sociale (problemet e ngritjes së çmimeve të gazit, dhe naftës) ashtu edhe nga ato politike (pasi në Kosovë në ndërkohë tema e Asociacionit është një temë imponuese). Që nënkupton se edhe në shoqëritë shqiptare (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginë e diasporë) kanë filluar të promovohen shfaqjet televizive realiste, që shërbejnë nē një mënyrë apo tjetër edhe si "certifikata sociokulturore e sociopolitike" të shoqërive të pazhvilluara e të transicionit. Në terminologjinë e komunikimit masiv, këto shfaqje megalomane pothuajse në shumicën e rasteve identifikohen si produkte të "fazës së fundit, të shtrirë të kapitalit global" (Fadil Maloku, 2021), apo edhe si "agjens të shpejtuar socializues" (Fadil Maloku, 2021), ngase, ushtrojnë ndikimin e tyre edhe në mediat e tjera, në pjesëmarrësit, në audiencën (publikun e gjerë) dhe të ngjashme. Për intormacion, shfaqja e parë e Big Brother në botë u transmetua në 1999 në Holandë dhe menjëherë pas Holandes, filloi transmetimi në vendet e tjera evropiane dhe SHB-ane. Kurse, në vendet e tranzicionit kjo megashfaqje sociale, përveç ushtrimit të ndikimit "edukativ e arsimor" e ka shtrirë edhe në sferat tjera socializuese. Themi socializuese, edhe për shkak se institucionet përkatëse socializuese (familja, shkolla, rrethi social) ishin dhe mbesin ende në rimëkëmbje dhe ringritje e sipër. Që nënkupton një kolizion përkatës me trendët sociokulturore të kohës dhe me zhvillimet sociopolitike, të etnopsikologjisë dhe mentalitetit të shoqërisë shqiptare...