Autoritarët duan t’i përhapin metodat e tyre - demokracitë duhet të bëjnë rojë
Dokumenti i Departamentit të Shtetit të ShBA-së dërguar ambasadave më 12 shtator për financimin e fshehtë politik të Rusisë përreth botës i kishte ngjyrimet e një trilleri të Luftës së Ftohtë: çanta me para, përmbytje të turbullta e legjione me aleatë të besueshëm. Sidoqoftë, realiteti është që ky mesazh e largoi vetëm pak perden e një nisme shumë më të madhe të regjimeve autoritare për ta eksportuar diktaturën përtej kufijve të tyre – një sfidë serioze për demokracinë.
Editorial, The Washington Post
Administrata e Biden-it e bëri publik dokumentin pas kryerjes së rishikimit të inteligjencës për fushatën e Rusisë për ndikim politik. Aty thuhet se Moska ka kanalizuar të paktën 300 milionë dollarë për parti e kandidatë të huaj politikë në më shumë se 20 shtete që nga viti 2014 dhe se kishte planifikuar që të shpenzonte qindra miliona dollarë më shumë. Në dokument deklarohet: “Përderisa Rusia po zhvillon luftë kundër Ukrainës, është thelbësore që demokracitë ta identifikojnë dhe ta kundërshtojnë ndikimin e fshehtë politik rus në shoqëritë dhe sistemet tona të qeverisjes.” Një zyrtar i administratës u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara duan që t’i njoftojnë partitë e kandidatët e huaj “Që nëse pranojnë para ruse fshehurazi, ne mundemi dhe do ta shpërfaqim këtë.” Kjo është e dobishme, njësoj siç ishte e rëndësishme që të tregohej se si Rusia ishte përpjekur që të përzihej në fushatën e zgjedhjeve presidenciale në ShBA më 2016.
Sidoqoftë, kjo përhapje e ndikimit politik është pjesë e një rrëfimi shumë më të madh. Kina, Rusia dhe vendet e tjera në mënyrë rutinore po eksportojnë metoda për sundim autoritar. Christopher Walker, nënkryetar për studime dhe analiza në organizatën “National Endowment for Democracy”, duke shkruar në tetor në revistën “Journal of Democracy”, pohon se autokratët viteve të fundit kanë zhvilluar “mënyra më ndërvepruese, shumëdimensionale dhe shpesh me nuanca për ta projektuar ndikimin. Nuk është fuqi e fortë ushtarake, por “fuqi jashtëzakonisht e mprehtë dhe e fuqishme”, thotë ai. “Autoritetet kineze janë duke trajnuar zyrtarë nga shtete në zhvillim për censurim të internetit, kontrollim të shoqërisë civile dhe ndërtim të regjimit me një parti”, shkruan ai.
Në një studim të porsapublikuar për ekzaminimin e ndikimit të Kinës në 30 shtete nga janari i vitit 2019 deri në dhjetor të vitit 2021, organizata “Freedom House” zbuloi se Pekini ka shpenzuar miliarda për propagandë, por gjithashtu ka përdorur gjithnjë më shumë detyrim, censurë e taktika të fshehta për ta pastruar imazhin e Kinës. Konkluzioni i raportit është se Kina i ka vërshuar mediet në vendet e tjera me përmbajtje të favorshme për Pekinin, përderisa i synon “ngacmimin e frikësimin” ndaj medieve “që publikojnë lajme ose opinione që nuk janë në favorin e qeverisë kineze” dhe se Kina është duke përdorur “ngacmim kibernetik, llogari të rreme në rrjete sociale dhe fushata të shënjestruara dezinformomi” kundër atyre që nuk i pëlqejnë.
Një anë shqetësuese nën këtë është “shtypja kalimtare”, në të cilën regjimet që qeverisin ashpër, mendojnë se mund të arrijnë jashtë vendit me detyrimin, kërcënimet dhe dhunën e njëjtë. Vrasja e kolegut tonë në opinionet e “The Washington Post”-it, Jamal Khashoggi, nga një ekip vrasësish sauditë para katër vjetëve ishte një shembull, por zor që ishte i vetmi. Walker-i shkruan se revolucioni digjital “e ka bërë edhe më të lehtë që diktatorët t’i përndjekin dhe t’i frikësojnë aktivistët, gazetarët dhe kritikët, pavarësisht se ku ndodhen”. Organizata “Freedom House” ka regjistruar 735 incidente të shtypjes kalimtare të drejtpërdrejtë fizike, që kanë ndodhur nga janari i vitit 2014 deri në dhjetor të vitit 2021. 85 incidente të tilla janë regjistruar vetëm në vitin 2021.
Demokracitë dhe shoqëritë e hapura janë caqe të lehta. Ato nuk duhet të jenë të vetëkënaqura rreth këtyre kërcënimeve keqdashëse.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli