Albinkurtizmi, e keqja që refuzon të ikë
Në kushtet e një topitje të madhe mendore, edhe rezultatet e 7 qershorit ishin të tilla.
Nuk ishin boll të mençura sepse nuk i thanë ‘Po’ rrugëve opozitare; megjithatë ishin të mençura sa për të mos hyrë të gjithë në qorrsokakun e albinkurtizmit total.
Është një shoqëri e vrarë që as vishet më shumë me albinkurtizëm e as nuk zhvishet prej tij.
Kështu janë pasojat e një gjendje të ndërmjetme midis delirit disavjeçar që tani po zbehet dhe këndelljes së vështirë.
Për një vit e gjysmë, njerëzia në Kosovë doli pesë herë në zgjedhje.
Po të flitet me gjuhën e kurioziteteve i bie që mesatarisht për çdo tre muaj e gjysmë u nxorën daullet, surlet e flamujt partiakë.
Kjo topitje e madhe mendore ishte psehu i një çinteresimi kaq të dukshëm për zgjedhjet.
Ato po përjetohen si një traumë frymëzënëse, si konflikt i ngrirë që ka hequr nga defteri çfarëdo ideje për ujdi, për marrëveshje e për kulturë kompromisi.
Albini mund të jetojë përgjithmonë me konflikt, me bela e me negativitet se ai vetë nuk pëson gjë.
Por një ditë edhe militanti i tij me brirë do të gjendet me shpatulla për muri kur nuk do të gjejë as një copë vend në botën me të cilin u armiqësua kudo, në familje, mëhallë, fis e shoqëri.
Kaq, pra, sa i përket rëndësisë së zgjedhjeve të 7 qershorit, një gjendje e ndërmjetme pas anestezionit në kalim e sipër, këndelljes së vështirë dhe trupit të ligështuar.
Përndryshe, bereqeti i zgjedhjeve nuk duhet të matet me thënien qesharakisht fëmijërore se Kosova është e para e shoqeve në Ballkan për demokraci e organizim zgjedhjesh.
Secili vend, madje edhe ata që e kanë bishtin e zënë me konflikte të thella, mban zgjedhje të qeta e prej tyre vazhdon një minimum qarkullimi i jetës politike.
Bereqeti do të duhej të matej me atë sesa vendi pas zgjedhjeve hapëron drejt një qëllimi të brendshëm a të jashtëm.
VV-ja ose ereksioni artificial që funksionon
Zgjedhjet e 7 qershorit dalin me tahmin si ato të 9 shkurtit 2025 me një përqindje më shumë a më pak për njërin ose tjetrin taraf.
Nëse regjimi albinkurtist me 42.30 përqind e inxhinieroi një krizë të egër për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, ç’siguri ka që ai nuk do ta bëjë të njejtën edhe tani?
Minusi prej 134 mijë votash mangut nuk e bën Kurtin më esëll, më të civilizuar e më njerëzor.
Diferenca gati kilometrike e partisë së tij me vrapuesin e dytë, të tretë e të katërt në garë është rrënja e çdo problemi.
Pse minusoi me 134 mijë vota më pak, VV-ja do të vazhdojë të jetë si zhapini që e këput bishtin por e ruan trupin.
Aparati i partisë-shtet po e mban me sukses një erektim artificial për një organizim që forcën reale e ka pak mbi 30 përqind.
Edhe një Vetëvendosje e dëmtuar është njësoj e keqe si një villain filmash horror.
Një VV me 40 e kusur përqind të votave është si ai që në letërsi e kinematografi quhet ‘sequel hook’ (grepi i vazhdimit).
E keqja nuk është mposhtur dhe fundi i filmit paralajmëron një film tjetër me po të njejtat sprova.
PDK-ja dhe një filozofi absurde që po e merr në qafë
Më e dhimbshmja është që mëtonjësi më serioz, PDK-ja, doli aq anemik, aq i molepsur e aq pa entuziazëm.
Është humbje e rëndë t’i ketë 37 mijë vota mangut, ndonëse ishte opozitë tek e cila nuk shkarkohen rrufetë për dështimin e qeverisë.
Elektorati i PDK-së është sotpërsot i pamotivuar e me entuziazëm të shuar.
Kusuri tjetër, ata që janë në krye, mendon se fitoret do të vijnë në një ditë të bukur me diell kur superheronjtë të kthehen në qytet.
Kjo është filozofia absurde kur fitorja nis e llogaritet ose si e dhuruar nga dikush, ose si një përfitim rrethanor nga aksidenti i dikujt tjetër.
Bartja paqësore e skeptrit të kryetarllëkut nga Bedri Hamza te pasuesi nuk mjafton nëse partia vazhdon me kaq mungesë besimi në vete.
LDK-ja në dializë dhe bija që shkatërron edhe kur vjen, edhe kur shkon
Me këtë 17 përqindësh preliminar, LDK-ja ishte si ai pacienti që ngrihet në këmbë pas dializës para se të bie sërish në kllapinë buzë ekzistencës.
Bija e saj tragjiko-komike, V.O, ishte shkatërruese edhe kur doli tradhtisht nga partia, edhe kur u rikthye pafytyrësisht aty.
U kuptua për të njëqindtën herë se fuqia e saj ishte prodhim i një negocimi dhelpërak kur VV-ja e LDK-ja u prishën pas pak muajsh martesë.
Aleanca, mirë-mirë
Aleanca ishte vrapuesja më e bukur e zgjedhjeve.
Performimi i saj ua prishi hesapet të tjerëve që e mendonin si të vdekur e që do të merrte n’thua te pragu.
Me kryetarin e ri duket se ajo ka gjasa reale që të stabilizohet për ca.
PSD-ja, kronika e një problemi të kahershëm
Për PSD-në, rendi e do të bëhet një digresion më i gjatë.
Strategema e saj ekstremiste mund të kurorëzohej ose me një fitore të vogël, ose me një humbje të madhe.
Në të vërtetë, rezultati i saj thjesht inekzistent ishte triumfi i një realiteti të kahershëm që dozat e forta ideologjike nuk janë apel sharmant për njerëzit në piacë.
Fushata e saj me artileri të pamëshirshme vetëm kundër partive që nuk janë në pushtet u bë për një moment fort absurde.
U krijua ideja që PSD-ja e kishte të shkruar moralisht të bëhej udhëheqësja e cilësdo prej partive.
Gara në fushata zgjedhore bëhet duke prodhuar alternativa aty ku çalon pushteti e jo duke sugjeruar që kjo parti duhet të vishet me petka tradicionale e ajo tjetra me kostum modern.