A jemi para “divorcit të madh politik” ndërmjet Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit?
Shkruan: Afrim Kasolli
Sa me shumë që po afrohet data e zgjedhjes së Presidentit/es, së re të Kosovës aq më tepër po bëhet e qartë se Vjosa Osmani e ka gjithnjë e më pak të sigurt mandatin e dytë për këtë post.
Madje për shkak të kësaj pasigurie personale dje u kuptua se e para e shtetit e ka anuluar edhe pjesëmarrjen në Samitin e Sigurisë në Munih të Gjermanisë nga data 13 deri me 15 shkurt. Një event ky ku marrin pjesë shumë liderë botërore. Këtë vit është bërë e ditur se prezent do të jenë edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio bashkë me një delegacion të nivelit të lartë.
Sidoqoftë, sipas burimeve të mediumit tv Dukagjini, kryeministri Albin Kurti thuhet t’i ketë thënë presidentes Vjosa Osmani që kjo e fundit duhet të angazhohet t’i sigurojë 30 nënshkrime dhe vetëm pas plotësimit të këtij hapi fillestar procedural ai ia garanton votat e Lëvizjes Vetëvendosje. Pra sipas kryeministrit, Vjosa Osmani nuk mund të kalkuloje në mbështetjen e pa rezervë të partisë fituese të zgjedhjeve, sikur se në zgjedhjet e vitit 2021. Sepse me 28 dhjetor të vitit që e lam pas, ajo kontratë ka përfunduar. Ajo tash duhet ta dëshmojë veten se është e pranuar edhe nga subjektet tjera parlamentare në mënyrë që ta fitojë edhe mbështetjen e Albin Kurtit. Ndërkohë, ky i fundit e ka paralajmëruar mundësinë e diskutimit me partitë opozitare me qëllim shmangien e krizës së re politike.
Të gjitha këto dinamika flasin hapur për mungesën e vullnetit politik nga ana e shefit të Qeverisë për t’ia plotësuar ambicien politike për mandatin e dytë presidencial Vjosa Osamanit. Arysejet e këtij divorci politik mund të jenë të ndryshme, por nuk ka dyshim se ndër më kryesorit mbetet rivalizimi i Vjosa Osmani ndaj Albin Kurtit në teatrin e madh të diplomacisë botërore. Për arsye të njohura lideri i Vetevendosjes për një kohë të gjatë kishte mbetur nën hijen politike të Vjosa Osmanit.
Deri sa i pari gjendej nën një izolim të hekurt diplomatik ku i vetmi vend për vizita shtetëror i kishte mbetur Maqedonia e Veriut dhe takimet bilaterale me liderin populist nacionalist Hristijan Mickoski, apo militimi në ndonjë forum ndërkombëtar të së majtës socialiste, Vjosa Osmani takohej me liderë botërorë. Mirëpo, sipas vlerësimeve të Lëvizjes Vetevendosje, ky izolim si i drejtuesit të saj ashtu edhe shtetit të Kosovës ishte pasojë luftës së pakompromis të Qeverisë së Kosovës në pjesën veriore me qëllim shtrirjen e sovranitetit shtetëror në atë pjesë. Pra dështimi ndërkombëtar i të parit ishte rezultat i sukseseve të brendshme. Kurse Vjosa Osmani po përkujdesej vetëm për imazhin e saj të jashtëm.
Dallime të tilla duket që e kanë prodhuar në një çarje të pa riparueshme të raporteve ndërmjet Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Prandaj i pari sipas të gjitha gjasave nuk do të ia lejojë asgjë rastësisë edhe sa i përket përfaqësimit ndërkombëtar të shteti. Ku edhe në këtë dimension nuk deshiron konkurrencë, ashtu siç e ka dërmuar konkurrencën e brendshme, sidomos pas fitores gati plebishitare në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit. Madje nuk është e rastësishme që ministër të Punëve të Jashtme në këtë mandat e ka emëruar hijen e tij politike./TVArbëria/