25 vjet liri: Kosova ndërmjet historisë dhe sfidave të ardhshme
Shkruan: Shenoll Muharremi
Nga magjia e çlirimit deri tek sfidat e sovranitetit. Nga fitoret e shumta deri tek pengesat e një rrugëtimi historik. Një nga momentet më pozitive për shqiptarët e Kosovës ndoshta në 10 shekujt e fundit. Ashtu u organizuan yjet në qiell dhe u krijua një magji, ndoshta vetëm një herë në histori, saqë e tërë bota demokratike u bë bashkë për të çliruar rreth 2 milionë kosovarë nga një ndër regjimet më brutale të shekullit XX.
Kosovarët kishin mbetur jashtë nga tokat shqiptare për rreth 100 vite, pas luftërave Ballkanike, kur Perandoria Osmane po shpërbëhej. Regjimet serbe në Jugosllavi dhe Serbi organizuan dhe zbatuan për më shumë se 70 vite plane kolonizimi të Kosovës me serbë dhe malazezë dhe largim të organizuar të shqiptarëve, fillimisht drejt Turqisë, dhe më pas, nga kushtet e vështira dhe përndjekja, edhe drejt Europës dhe SHBA-së.
Më herët, para luftërave Ballkanike të shek. XX, për rreth 10 shekuj pandërprerë, Osmanët, Serbët, Bullgarët, Bizantinët, Gjermanët, Italianët.. kishin kaluar këndej dhe kishin 'përdorur' e okupuar dhe 'çliruar' këtë territor ku sot ndodhet Kosova. Edhe ushtritë hungareze dhe austriake e polake kanë luftuar në këto troje. U zhvilluan edhe dy beteja thelbësore historike, ajo e Kosovës së vitit 1389 dhe 1448 dhe interevnimi i NATO’s në vitin 1999.
Gjatë gjithë këtyre shekujve, shqiptarët e Kosovës duket se asnjëherë nuk menaxhuan dhe administruan me territorin e Kosovës sikur këto 25 vite pas çlirimit në vitin 1999 dhe shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Prandaj, çlirimi i Kosovës nga NATO, pas luftës së UÇK dhe mbi 10,000 viktimave e gati 1 milion deportimeve, 20 gra të dhunuara .. është një ndër momentet më të lavdishme për lirinë e popujve në Europë dhe lirinë e shqiptarëve të Kosovës.
Por, pasi ky çlirim i vitit 1999 që po festojmë këto ditë u arrit nga forcat e jashtme, NATO, edhe Kosova tash e 25 vite ka një pavarësi jo të plotë sepse sovraniteti dhe integriteti territorial i saj ruhet nga trupat e jashtme aleate. Ende, tash e 25 vite, Kosova ruhet nga trupat e NATO-s të quajtura KFOR dhe nuk dihet një datë e përafërt kur ky mision do të përfundojë dhe si. Nuk ka një "strategji daljeje" të përfundimit të misionit të NATO-s dhe ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial nga vetë Kosova.
Kjo situatë, marrë parasysh historinë dinamike të Kosovës, krijon pasiguri aktualisht. Serbia, e cila ka okupuar disa herë këtë territor dhe administruar me të, duket se po pret një momentum të ri që, sikur disa herë më herët në histori, të 'rikthejë' territorin e Kosovës, apo së paku një pjesë të saj nën administrimin e saj direkt.
Për atë arsye, Serbia nuk po dëshiron paqe dhe arritje të një marrëveshje finale me Kosovën, por i zvarrit negociatat me vite e dekada derisa të krijohen kushte të reja ndërkombëtare në aspektin e sigurisë. Dhe pas fillimit të invadimit të Rusisë në Ukrainë, sikur pllakat tektonike të sigurisë globale janë vënë në lëvizje përsëri pas disa dekadash paqe në Europë.
Sot kur po festohet data e çlirimit në Prishtinë, udhëheqësit shqiptarë dhe kosovarë nuk duken aspak të konsoliduar dhe bashkuar apo harmonizuar. As një datë si kjo nuk arriti t'i ulë egot e politikanëve shqiptarë. Dy kryeministrat, ai i Kosovës dhe Shqipërisë, nuk u takuan njëri-tjetrin. Por edhe liderët e Kosovës, të partive politike, nuk po duken të konsoliduar ende pas 25 viteve.
Politikanët kosovarë, as në këtë datë të rëndësishme, nuk gjetën mundësi të flasin mes vete dhe të takohen, së paku për shkak të respektit për sakrificat e gjeneratave të tëra për liri dhe pavarësi. Të gjithë, presidentja, kryeministri, parlamenti dhe partitë politike, pa dallim, patën agjenda të veçanta, të paharmonizuara.
Në një situatë të tillë 'dinamike' dhe me pasiguri globale, përfshirë mos-pajtime mes politikës vendore, nuk është e pamundur që të kemi turbulenca tjera në të ardhmen në këto territore. Në fakt, është regjimi në Serbi ai i cili asesi nuk po reformohet dhe e cila po aplikon politika dhe veprime ekstreme nacionaliste të cilat nuk po e lejojnë rajonin e trazuar të fokusohet tek ardhmëria dhe paqja.
Por, duke marrë parasysh historinë gjatë rreth 10 shekujve, ky rajon dhe këto territore ku po jetojmë, kanë pasur shumë ndryshime dhe transformime drastike. Serbia, politikat e saj, po i bazon në këtë fakt dhe po luan lojën e një ndryshimi të ardhshëm ku hipotetikisht po shpreson të marrë një pjesë të Kosovës.
Në anën tjetër, kosovarët shqiptarë janë vonuar që 25 vite në konsolidimin e shtetit, sidomos nuk kemi bërë sa duhet për të fuqizuar mbrojtjen dhe sigurinë që të kemi kapacitete të mjaftueshme për të mbrojtur vetë sovranitetin dhe integritetin territorial. Vitet e fundit, në aspektin ndërkombëtar, Kosova po pëson 'humbje' në disa fusha saqë as një sulm direkt si ai në Banjskë më 24/9 nuk arriti ta kthente në fitore ndërkombëtare.
Sot po festojmë të gjithë por ndoshta kemi dështuar të shohim kah ardhmëria dhe të ndërtojmë atë. Ne jemi ende të kapur nga e kaluara dhe nuk po arrijmë të dalim nga temat e luftës as 25 vite pas çlirimit. Ekonomia, edhe pse sovrane, është e dominuar nga importi dhe kemi një deficit apo humbje të tmerrshme kronike prej rreth 50% të BPV-së në vit. Arsimi publik dhe shëndetësia nuk janë konsoliduar sa duhet 25 vjet pas çlirimit.
Në gjithë këto vite janë arritur edhe shumë përparime. Themelimi dhe forcimi i institucioneve publike ka marrë shumicën e kohës për një vend pa shumë eksperiencë në shtet-bërje dhe organizim shoqëror. Shpallja e koordinuar e pavarësisë ndoshta është momenti më madhërishëm i Kosovës gjatë 25 viteve të fundit, por kjo pavarësi ende nuk po ruhet e mbrohet nga trupat e Kosovës, por nga NATO.
Muaji i mjaltit për kosovarët nga komuniteti ndërkombëtar dhe aleatët tashmë ka kaluar. Momente pozitive si ai i vitit 1999 vështirë se do të përsëriten në histori përsëri. Nëse diçka e ngjashme do të ndodhë përsëri, pak nga vendet janë në pozitë për t'i ndihmuar Kosovës. Periudhën e ardhshme, kosovarët duhet të jenë shumë më vetë-kritikë dhe të punojnë më tepër në konsolidim cilësor të shtetit, i cili nuk është më edhe aq i ri.
Kosova duhet të largojë mentalitetin e varshmërisë nga aleatët dhe të punojë më shumë për të marrë mbi vete fatin e saj. Duhet me siguri edhe pak fat në këtë punë. Fati i rajonit aktualisht dhe mbase dekadat e ardhshme do të mund të jetë në shpresat për ndonjë ndryshim pozitiv në politikën e Serbisë, por kjo nuk duket në horizont aktualisht. Kosova duhet për fillim të forcojë dhe ristrukturojë ekonominë e vet dhe të rregullojë arsimin dhe shëndetësinë publike për të siguruar paqe të qëndrueshme dhe prosperitet.