10 super-arritjet e qeverisë 2024 – Realiteti vs. Legjendat!
Shkruan: Shenoll Muharremi
Sot kryeministri ka listuar 10 arritjet më të mëdha të qeverisë për vitin 2024. Kjo është bërë për shkak është është takimi i fundit sot. Zakonisht, qeveria duhet me vlerësu punën e saj në bazë të Plan Veprimit të vitit 2024 e jo pa u orientuar në atë se çfarë ka pasur detyrë të zbatoj. E gjithashtu nuk duhet me i harru premtimet që janë dhënë më herët.
Sidoqofët, i kam lexuar këto 10 të arrituar dhe i kam komentuar të gjitha. Si duket, një ndër defektet më të theksuara të LVV dhe Qeverisë është se askush nuk i tregon Albin Kurtit kur e ka mirë e kur e ka keq. Kjo e dobëson qeverisjen por edhe LVV e bënë më të dobët. Kur nuk ka mendim dhe qasje kritike pozitive brenda qeverisë dhe partisë, aty ka gjasa të mëdha me dështu.
Këto janë komantet ndaj 10 të Arrituarve të Qeverisë për 2024:
1. Liberalizimin e vizave nga BE, Tajlanda… njohja e pasaportave.
Komente: (a) Kushtet për liberalizim të vizave janë plotësuar më herët. Disa vende të BE-së e kanë bllokuar Kosovën padrejtësisht me vite, edhe pse Komisioni Evropian ka rekomanduar të futet Kosova në listën e bardhë; (b) Ky rast është i ngjashëm sikurse me Aplikacionin e Kosovës për Anëtarësim në BE. Ende BE nuk është përgjigjur që 24 muaj dhe në konkluzionet e Këshillit të BE-së nuk e ka përmendur fare këtë fakt; (c) Kosova ka pasur me dhjtëra njohje më herët dhe shumë arritje më të larta. Politika e jashtme ka qenë, fatkeqësisht për Kosovën, një ndër dështimet më të thella dhe gjëra të Qeverisë.
2. Këtë vit filloi regjistrimi dhe inkasimi i energjisë në katër komunat në veri të vendit.
Komente: (a) Një e arritur e vërtetë dhe qeveria duhet t’i atribuohen kredite për këtë të arritur; (b) Por gjithashtu qeveria ka vazhduar më herët të paguajë vlerën me miliona të konsumuesve nga veriu edhe pse ka thënë që nuk do e bëjë një gjë të tillë.
3. Inaugurimi i bursës ALPEX është arritja jonë më e madhe.
Komente: (a) Ndoshta qëllimisht këtu nuk është përmendur termi “ENERGJI” apo rrymë për shkak të krizës që po kalon Kosova këto ditë. Mirë që është krijuar bursa por Kosova është në terr sot sikur në vitet e hershme të 2000-ave. Andaj, qeveria duhet të fokusohet në rezultate praktike dhe gjendjen praktike në sektor të energjisë dhe të sigurojë furnizim me energji elektrike. Ky është vetëm një hap i vetëm dhe nuk ka mjaftuar që kosovarët të kenë rrymë gjatë festave të fundvitit e shumë biznese edhe janë mbyllur pa rrymë këto ditë.
4. Shëndetësia publike është bërë më e mirë, më e lirë dhe me më shumë shërbime.
Komente: (a) Shëndetësia nuk është më e lirë. Kostoja e barnave për qytetarin e Kosovës është shumë herë më e lartë sesa për qytetarët rajonalë dhe evropianë bazuar në fuqinë blerëse të familjeve dhe pagën mesatare në vend; (b) Shëndetësia vazhdon të jetë shumë e shtrenjtë dhe se shërbimet publike janë përmirësuar vetëm me kufizim dhe në linjë me inercionin afatgjatë dhe gradual të përmirësimeve në sektor.
5. Pensionet janë rritur për 20 për qind.
Komente: (a) Pensionet janë rritur, por gjithashtu edhe janë dhënë ndihma nga 100 euro sikur kjo e fundit. Esenca është që pensionet janë aq të vogla saqë pensionisti kosovar mund të mos i dalë as për barna dhe energji ky pension; (b) Edhe pse ka pasur rritje, ka pasur një inflacion të jashtëzakonshëm që në disa produkte bazë ka kaluar 70% vlerën e rritjes; (c) Fuqia blerëse e pensionerëve më shumë gjasë është më keq sot sesa më herët.
6. I kemi dyfishuar dhe trefishuar shtesat për fëmijë;
Komente: (a) Shtesat për fëmijë janë rritur, këtu qeveria meriton kredi për këtë. Por në anën tjetër efektet ekonomike të këtyre veprimeve e kanë rritur dramatikisht importin dhe deficitin tregtar; (b) Deficiti është rritur për 90% dhe është thelluar nga 2.8 miliardë në vit në mbi 5 miliardë në fund të vitit. Deficiti mujor muajin aktual e kalon 500 milionë euro. E kjo vjen si pasojë e alokimit të shpenzimeve dhe rritjes së pagesave sociale në vend të rritjes së konkurrueshmërisë së bizneseve dhe prodhuesve vendorë. (c) Ironikisht, edhe pse këto ndihma dhe shtesa duken bukur, efekti për qytetarin është i njëjtë sa i përket fuqisë blerëse, vetëmse me këto veprime të qeverisë është rritur importi e deficiti dhe janë goditur bizneset lokale dhe fermerët.
7. Pas 13 vjetëve kemi pagë të re minimale më shumë se dyfish më e lartë.
Komente: (a) Paga minimale është rritur në 350 euro, por kjo është një kosto për bizneset dhe sektorin privat i cili ka konkurrueshmëri të ulët; (b) Rritja e pagës minimale kur alokohen mbi 1.2 miliardë para publike në politika dhe ndihma sociale e vetëm 50% e tyre apo rreth 600 milionë në investime kapitale vetëmse e rrit presionin te bizneset; (c) Qeveria po ju merr taksat dhe po ju rrit barrën financiare të taksave pa krijuar kushte shtesë dhe më të mira për to. Kjo vetëm do ndikojë negativisht në ambientin dhe konkurrueshmërinë e sektorit privat.
8. Në emër të drejtësisë kemi funksionalizuar Institutin për krime të luftës.
Suksese: (a) Ok, e arritur e mirë, por qëllimi i qeverisë ka qenë reforma e drejtësisë jo krijimi i një instituti. Një institut mund të krijojnë edhe 2-3 persona të thjeshtë qytetarë. Qeveria duhet të fokusohet në punët e mëdha dhe reformat në drejtësi që sjellin funksionalitet, llogaridhënie dhe krijojnë një drejtësi të paanshme profesionale.
9. Ka përfunduar me sukses procesi i regjistrimit të popullsisë, banesave.
Komente: (a) Procesi i regjistrimit është shtyrë disa herë dhe është përballur me sfida. Në fund është kompletuar por nuk është një projekt që duhet krenuar për nga efikasiteti; (b) Rezultatet janë vonuar disa herë dhe ende nuk janë publikuar të gjitha. Kemi një diskrepancë në tabela mes numrit të të regjistruarve dhe numrit faktik të banorëve. Projekt dhe punë e mirë, por nuk është një sukses i spikatur, duhet përmirësuar këtu ende.
10. vKrahas rritjes së numrit të ushtarëve dhe blerjes së armatimit nënshkruam kontrata për funksionimin e fabrikës së municioneve.
Komente: (a) Është rritur numri i ushtarëve dhe qeveria ka alokuar më shumë mjete buxhetore për politikën e mbrojtjes; (b) Fabrika e municioneve është nënshkruar kontrata por nuk dihet as për madhësinë, as vlerën e projektit e sidomos nuk ka një kornizë kohore. Kjo fabrikë është bërë në kohë zgjedhjesh dhe në frymën e fushatës zgjedhore. Është veprim i mirë po mbase ka edhe shumë gjëra të pakjarta ende.