Zyrtari policor e plagos kolegen aksidenalisht brenda stacionit të Policisë
Një plagosje aksidentale me armë ka ndodhur brenda Stacionit Policor Jugu në Prishtinë.
Një polic dyshohet se e plagosi me armë kolegen e tij.
Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se incidenti ndodhi brenda stacionit.
“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar sot në orët e mëngjesit nga Policia e Kosovës për një incident shkrepje aksidentale të armës së zjarrit në objektin e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë”, thuhet në reagim.
“Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbi ka plagosur një zyrtare policore në këmbë dhe e njëjta është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor”.
Sipas IPK-së, bëhet fjalë për një incident të shkrepjes aksidentale të armës së zjarrit.
“Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të udhëheqë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK). Arma e zjarrit është konfiskuar, ndërsa zyrtari policor që shkaktoi aksidentalisht shkrepjen është suspenduar”, thuhet në komunikatë.